Nga Alessia Selimi
Fragmente të shumta jetësore që jetohen me një dashuri të rrëmbyer dhe një urrejtje të pandalshme. Një gërshtetim i frikshëm i euforisë, nervozizmit, lumturisë së shfrenuar e pikëllimit. Në këtë betejë, ku ka më së shumti humbës, mund të jeni edhe ju. Çrregullimi bipolar, i konsideruar më parë si depresion maniak, është një gjendje e shëndetit mendor që shkakton ndryshime ekstreme të humorit; mund të ndihesh i trishtuar ose i pashpresë dhe të humbasësh interes ose kënaqësi në shumicën e aktiviteteve përgjatë përditshmërisë. Por nga ana tjetër mund të ndihesh euforik, plot energji ose jashtëzakonisht nervoz. Këto luhatje të thella në humor mund të ndikojnë në gjykimin, sjelljen dhe aftësinë tuaj për të menduar kthjelltazi.
Duke qenë e informuar deri në këtë pikë, gjithnjë e kam konsideruar veten si një njeri bipolar. E megjithatë, ata që më rrethojnë gjithnjë janë munduar të më largojnë nga ky mendim. Jam përballur edhe me fraza të tipit: “Të gjithë jemi nga pak bipolarë”. Mirëpo, përpara dy viteve, përballë një bipolari të vjetër, ky i fundit i kundërvu reagimeve klishe dhe më tha: “Të paktën je e vetëdijshme për gjendjen e shëndetit tënd mendor”. Ai, tejet i arritur në karrierë, më rrëfeu asokohe se për një periudhë relativisht të gjatë nuk e kuptonte se kë shihte në pasqyrë në çdo mëngjes të tijin. Dhe a mund të ketë ndjesi më të tmerrshme sesa të ndjesh se je shumëçka dhe asgjë njëkohësisht? Dhe a mund të ketë realitet më të trishtë sesa ai i të jetuarit përjetësisht me çrregullimin bipolar? Por ka gjithnjë dritë në fund të tunelit, pasi luhatjet e gjendjes suaj emocionale mund të menaxhohen duke ndjekur një plan trajtimi. Në shumicën e rasteve, çrregullimi bipolar trajtohet me barna dhe këshillim psikologjik (psikoterapi).
Gjen habitat në çdo moshë, por zakonisht diagnostifikohet në vitet e adoleshencës ose në fillim të 20-tave.Njerëzit me çrregullime bipolar, pavarësisht nga ekstremet e përjetuara të humorit, shpesh nuk e pranojnë faktin se paqëndrueshmëria emocionale pengon jetën e tyre dhe të të afërmëve. Kësisoj nuk marrin trajtimin dhe as informacionin e nevojshëm. Madje, ka edhe nga ata që e shijojnë ndjenjën e euforisë dhe ciklet e të qenurit produktiv, pa marrë parasysh se ndiqen gjithnjë nga pas nga përplasje të forta emocionale që mund t’i shkaktojnë depresion të thellë.
Informacioni kryesor që duhet përftuar lidhur me këtë gjendje të shëndetit mendor, qarkullon rreth natyrës që ajo ka. Por përpara se të kalojmë në këtë pikë, le të flasim për shkakun që e prodhon atë.Shkaku është ende i panjohur për mjekët, por ata mendojnë se mund të zbulohet përmes dy rrugëve; dallimeve biologjike dhe gjenetikës. Njerëzit me çrregullim bipolar duket se kanë ndryshime fizike në tru. Rëndësia e tyre vijon të mbetet e pasigurt, por mendohet se mund të ndihmojnë për të identifikuar shkakun. Nga ana tjetër, çrregullimi bipolar është konstatuar më i zakonshëm tek njerëzit që kanë një të afërm të shkallës së parë me këtë gjendje të shëndetit mendor (vëlla, prind…) Prandaj edhe studiuesit po përpiqen të gjejnë gjenet që mund të përfshihen në shkaktimin e çrregullimit bipolar.
Simptomat mund të ndryshojnë nga personi në person, ashtu sikurse mund të ndryshojnë karakterin e tyre edhe me kalimin e kohës.Por ajo që mbetet e sigurt është se ka disa lloje të çrregullimit bipolar. Çrregullimi bipolar I- I shkaktuar nga të paktën një episod që mund të ketë paraprirë episode të tjera të mëdha hipomanike ose depresive. Në këtë stad, në disa raste, mania mund të shkaktojë një pushim nga realiteti. Çrregullimi bipolar II-I shkaktuar të paktën nga një episod hipomanik ose depresiv, por pa praninë e një episodi manik.Kjo nuk është një formë më e butë e çrregullimit bipolar, por një diagnozë e ndarë. Ndërkohë që bipolarët e stadit të parë mund të përjetojnë episode më të rënda dhe të rrezikshme të luhatjeve emocionale, individët që i përkasin stadit të dytë të çrregullimeve bipolare mund të gjenden në depresion për periudha më të gjata, që mund të shkaktojnë në to dëme të konsiderueshme. Çrregullimi ciklotimik- Përgjatë dy viteve ( një vit nga fëmijëria dhe një tjetër nga adoleshenca) një individ mund të përjetojë shume periudha të simptomave të hipomanisë dhe depresionit.
Mania, Hipomania, Depresioni
Mania dhe Hipomania janë identifikuese të kundërta të çrregullimit bipolar, por ato përshkruhen pothuajse në të njëjtën mënyrë. Megjithatë, duhet thënë se mania është më e rëndë se hipomania dhe shkakton më shumë probleme të dukshme në shkollë, punë, aktivitete sociale, si dhe më shumë vështirësi në marrëdhëniet njerëzore. Një person manik dhe hipomanik vuan zakonisht nga simptomat e mëposhtme; optimizmi i tepruar, vetëbesimi i theksuar, euforia, paqëndrueshmëria, mendimet kundërshtuese, paaftësia për të marrë vendime të vlefshme. Sakaq, një person i zhytur në ujërat e depresionit përjeton ndjesinë e të qenurit i pavlefshëm, i papërshtatshëm me mjedisin dhe njerëzit përreth, fajtor. Por jo vetëm kaq; përballet me pagjumësinë ose domosdoshmërinë për të fjetur me orare të zgjatura, si dhe me mendimet për të planifikuar e arritur vetëvrasjen. Shenjat dhe simptomat e çrregullimit bipolar I dhe II mund të përfshijnë edhe veçori të tjera si ankthin e vazhdueshëm, menlankolinë, etj.
Sikurse e përmenda pak më parë, personat bipolarë e kanë të vështirë ta pranojnë gjendjen e shendetit të tyre mendor. Besoj se kjo vjen edhe për shkak të shoqërisë paragjykuese nga e cila rrethohemi. Nga frika se ndoshta mund të epiketohen si të luajtur mendsh, në mënyrë të pavetdijshme i dorëzohen në një pikë të caktuar erozionit të brendshëm. Për ta shmangur këtë betejë strapacuese, ku bipolari/ja vetëshpallet humbës/e, këta të fundit duhet ta kuptojnë se turp nuk përbën pranimi i unit në format origjinal, por braktisja e tij!