Mapo Letrare

 Dashuria banon në shpirt






               Publikuar në : 18:00 - 06/07/19 |
mapo.al

Mevlyde Mezini Saraçi


Analizë e librit  “Sot pagëzova dashurinë”, i  autores, Iliriana Sulkuqi

Iliriana Sulkuqin e njoha në kohë të vështira, atëherë kur ende nuk ishin shuar zjarret e luftës, kur po ecnim nëpër gërmadha të qytetit të shkatërruar, në Gjakovën martire që i dha kaq shumë lirisë së Kosovës. Bashkë ua fshimë lotët e nënave dhe motrave që humbën më të dashurit e tyre në luftën e fundit.

Iliriana, një grua fisnike, e ndjeshme, e dashur, humane dhe shumë e kujdesshme nuk e harroi kurrë Gjakovën as Kosovën, përkundrazi e viziton shpesh dhe jep e merr dashuri për vëllezërit e motrat që i njohu në rrethana të vështira por dërgon edhe mesazhe të fuqishme dashurie për njerëzimin.

Iliriana është poete origjinale dhe shkruan me ndjenjat e shpirtit, për dashurinë, i fal dashuri dashurisë hyjnore, dashurisë për atdheun, dashurisë për jetën, për njerëzit, dashurisë për artin, dashurisë së vërtetë që zgjat përjetësisht.

Poezia e saj është vetë jeta dhe jeta e saj është poezi ndaj edhe nuk është vështirë ta zbërthesh kodin e jetës së poetes e cila ngërthen vargun e saj si një kështjellë që në fillim ngjan se nuk mund të arrihet, por në fakt e fton lexuesin në meditim duke zbërthyer kështjellën e vargjeve dhe duke mbajtur mend vetëm një të vërtetë që e mban njeriun në jetë, dashurinë.

Poezia e saj përçon mendimin filozofik të cilin e sjellë përmes figurave dhe metaforave të cilat e krijojnë edhe origjinalitetin e saj. Jeta e saj nuk ka qenë e lehtë ndaj edhe poezia është një shfletim i trajtësuar në luftën për jetë a vdekje por gjithmonë me shpresën për triumfin njerëzor. Po të lexosh poezitë e autores Iliriana Sulkuqi të ngjan sikur je mishëruar me jetën e saj dhe stilin e veçantë të të shkruarit, guximin e saj prej poeteje, për brumimin e poezisë së saj origjinale, siç është edhe jeta e saj e veçantë, por shumë origjinale.

Është poete e suksesshme me një modesti të rrallë por shumë madhështore.

Nuk e do vetminë, as sukseset nuk ia dedikon vetes por ka dëshirë të stimulon të tjerët që të angazhohen e punojnë ta duan njëri tjetrin, ta duan jetën, ta duan atdheun.

Në vitet e saj të vështira kur po luftonte me sëmundjen, për jetë a vdekje, Iliriana i mposhti të gjitha dhe fitoi. E sfidoi sëmundjen me dashuri për jetën pa iu nënshtruar dhembjeve e rrezikut që mund t’ ia merrte jetën. Mbase ishte terapia më adekuate, që rezulton edhe e kësaj dite ta kemi mes nesh, të re, të qëndrueshme, model të një gruaje që nuk e di çka është lodhja e as pushimi. Ajo madje përmes poezisë “ Vdekja më kërkon falje” na sjell këto momente vendimtare për jetën e saj përmes vargjeve brilante me përplot dhembje, por të mbushura me shpresë, qëndresë e krenari.

Poezia:

Vdekja më kërkon falje

/Prolog

Vdekjen

e kisha pranë fare pranë

unë vite e vite larg saj…

 

Në këto vargje Iliriana paraqet vendosmërinë e saj dhe bindjen shpirtërore se dashuria, njeriut ia zgjat jetën, ndaj përveç se e paraqet si poezi të shpirtit të shkruar në rrethana të luftës me jetën, autorja na përçon mesazhin e fuqishëm se njeriu nuk duhet ti nënshtrohet as një situate por duhet të luftojë me shpirtin e saj sepse vetë Zoti që na ka dhuruar jetën, brenda shpirtit tonë na ka dhënë edhe fuqinë e qëndresës. Mbase do të duket mistike por në realitet është e vërtetë pasi sot e kemi para nesh një bijë, motër, grua, një nënë që ka luftuar me vdekjen dhe e ka mposhtur falë besimit në vetveten.

Dhe kur gjithë ngjarjen e paraqet përmes kësaj poezie sa të dhembshme aq edhe të fuqishme, dashuria sërish dominon si bindje, shpresë dhe jetë por edhe si art.

 

Poezia:

Gra ju dua…

-për natën që ju bëri GRUA!

-për dhimbjet (përtej dhimbjeve)

Nga lindjet/

 

Termi poezi e dashurisë, ka një kuptim të gjerë, pasi përveç poezisë erotike përfshin edhe poezinë e dashurisë për atdheun, për vend-lindjen, poezinë e dashurisë me tematikë sociale, universale, refleksive, etj. Pra këtu në këtë poezi dedikuar gruas gjejmë elemente të lirikës së dashurisë si poete e veçantë që i tejkalon botëkuptimet dhe përmes vargut paraqet botën e gruas në raport me të gjitha virtytet e saj dhe rëndësinë që ka marrëdhënia shpirtërore e poetes me qenien grua.

Fare ose pak shkruhet në këtë mënyrë pasi që gjithë ata margaritarë që i nxjerrë nga shpirti krijues, vetë Iliriana Sulkuqi e ka përjetuar dhe e përjeton si çdo grua tjetër por jo gjithkush di ta ndjenë edhe dhimbjen e tjetrës, ndaj kjo mënyrë e shkrimit të poezisë e bën poeten më të veçantë. Këto janë vargje refleksive dhe shumë të ndjeshme siç është bota shpirtërore e vetë poetes, Iliriana Sulkuqi.

Poezia e saj është lirikë e bukur me mesazh të përkryer, pasi një reflektim i tillë, për situatën në të cilën po kalojmë në të dy krahët e atdheut,  në veçanti për gruan e cila ende mbetet vetëm si figurë e pa zbërthyer e këtij tranzicioni shpirtëror e shoqëror.

Poezia:

-eklips-

(…pasi  thura e shthura, si Penelopa, Pritjen e vegimtë…)

Duke të pritur Ty/ Mblodha copëzat e ëndrrave shpërndarë kuturu nëpër galaktika  hyjnore…,

ku dhimbjet, përtej vdekjes ishin bërë mikesha nga britmat, gulçimet nga lutjet,  heshtjet…,

i mblodha me gishtërinj, që dridheshin, mos më  thërrmohej ndonjëra…

Hoje më hoje u kalova një fill,  si qëndismat e vajzërisë /

Vargjet e poezisë me titull “Eklips” na bëjnë të kuptojmë se vetë titulli i librit vjen në bazë të vargjeve dhe ndjenjave të shprehura në këtë poezi por edhe në të gjitha poezitë tjera, pasi autorja është vetë dashuria e cila nuk ka se si ta pagëzon ndryshe këtë libër të mbushur me rreze dashurie përveç se me dashuri!

 


Etiketa: ,

Pas