Dikur

Dashuritë e Stalinit








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 10:02 - 28/09/20 |
Spiro Mehilli

Më 4 janar 1902, pas djegies së rafinerisë së naftës në Batum, Stalini shkoi në qytetin Barskana në shtëpinë e qiradhënëse Natalia (Natasha) Kirtovës, përkrahëse e partisë socialdemokrate, fshatare e bukur 22 vjeçe, burri i së cilës ishte zhdukur pa lënë gjurmë dhe të dy u lidhën në një dashuri pasionante. Në vitin 1904 Stalini në Baku u njoh me Sergei Allilujevin, i cili e ftoi në shtëpi. Sergei, rom me origjinë, ishte i martuar me gruan e bukur dhe të shthurur Ollga Fedorenkon, që kishte pasur histori dashurie me një polak, një hungarez, një bullgar, një turk, me shokun e Stalinit, Viktor Kurnatovskin dhe me vetë atë, nga përflitej se kishte lindur gruaja e tij e ardhshme, Nadjezhda Allilujeva. Vite më vonë, Pavli, i vëllai, i tha së motrës, Nadjezhdës, se nga vrima e çelësit kishte parë në dhomë të ëmën zhveshur me Josifin (Kobën, Soso). Në fundin e vitit 1905, Josif Visarionoviçi u martua me bukuroshen Ekaterina (Kato) Shvanidzen, dhe në vitin 1907 atyre u lindi djalë, Jakovi. Në vitin 1907, ai e çoi të shoqen dhe të birin në gadishullin Bailo. Katon, shkonte dhe e takonte Sergei Allilujevi, në atë kohë ish-drejtor i hidrocentralit buzë Detit Kaspik. Pikërisht aty vajza e vogël e tyre, Nadjezhda ra nga oborri drejt e në det. Josifi u hodh në ujë dhe e shpëtoi.


Më 22 nëntor 1907 në moshën 22 vjeçe, në Tbilis, vdiq Ekaterina (Kato) Shvanidze, pasi vuante nga tuberkulozi. Ceremonia e varrimit u bë më 25 nëntor 1907 në Kishën Kulubanskaja dhe u varros në Kishën e Santa Ninës në Kubia. Djalin ua la prindërve të së shoqes dhe u largua për t’u marrë me punë partie. Ai asnjëherë nuk e ka dashur të birin. Në vitin 1908, një shok nga Batumi i propozoi atij motrën e bukur 18 vjeçe, Allvasi Talakvaxen dhe ajo u bë e dashura e tij. Në fund të shkurtit të vitit 1909 Josif Stalini arriti në fshatin Solvishegodsk dhe u prit në gjirin e komunitetit nga mësuesja Tatjana Sukova, me të cilën u lidh. Në Solvishegodsk do të kishte edhe dy dashnore të tjera. Në 23 mars 1910 “Shitësi i qumështit”, që në atë kohë mbante emrin Zakhar Melikiance, u arrestua për të tretën herë nga koloneli Martinov dhe kaloi mbi 6 muaj në burgun Bajlov në Baku dhe më pas u dërgua për 5 vjet në Solvishegodsk duke iu ndaluar të jetonte në Kaukaz dhe në shumë qytete të Rusisë. Atje u njoh me gruan e re dhe të fejuar, Stefani Petrovskaja, e cila mbajti lidhje dashurie dhe donte të martohej me Soson. Në fillim ai e mohoi lidhjen e tyre, por për shkak të tuberkulozit, u detyrua të martohej me Stefanin në prani të drejtorit të burgut. Mësuesja 23-vjeçare aristokrate nga Odesa, me besim katolik, kishte kryer studimet e larta në Moskë dhe ishte dënuar 2 vjet azil në Vologda. Ajo sapo kishte kryer dënimin kur u njoh me Soson.


Ajo nuk u largua nga Solvishegodsku dhe i shkoi atij nga pas deri në Kaukaz. Në shtator të vitit 1910 Josifi u transferua në provincën e Vollogdës. Në fillim u vendos në familjen Grigorov. Pas 23 shkurtit 1911 ai u regjistrua si çift me pastruesen Serafina Korosheninën, por pas kësaj date, me urdhër të provincës së Vologdës, Serafina u dërgua të shlyente dënimin në Nikolsk. Atëherë ai filloi të bashkëjetonte në një dhomë të vetme me vejushën Maria Kozakova, të cilës burri i ishte vrarë në luftën ruso-japoneze në vitet 1904-1905 dhe kishte 5 fëmijë në ngarkim. Kur u largua prej saj, ajo kishte mbetur shtatzënë. Në 25 maj 1911 Zivilevi e arrestoi Soson sepse kishte marrë pjesë në një mbledhje me revolucionarë dhe e dënoi 3 ditë izolim në burgun lokal. Kur u lirua dhe u kthye për t’i dhënë lamtumirë qiradhënëses, mësoi se i kishte lindur djali, Konstandini, që iu dha ligjërisht atësia nën emrin e burrit të vdekur, pra Konstandin Stepanoviç*. [*Konstandini u bë profesor universiteti, pastaj zëvendëskryetar i drejtorisë së propagandës në KQ e më pas zv.ministër i prodhimeve kinematografike. Gjatë LIIB Konstandini u gradua kolonel, e ëma vdiq nga uria në rrethimin e Leningradit].



Në atë kohë shkroi disa letra, ku njëra nga ato i drejtohej të dashurës dhe nënës së gruas së ardhshme, Ollga Allilujevës: “Jam më shumë se mirënjohës, e dashura Olga Evgenievna, për ndjenjat e tua të ëmbla dhe të mira ndaj meje. Nuk do të harroj kurrë përkujdesjen që ke treguar për mua. Pres momentin në të cilin koha ime në azil të mbarojë dhe të vij në Petërburg që të të falënderoj personalisht për çdo gjë juve dhe Sergein. Kam akoma dhe dy vjet për ta përfunduar. E mora pakon. Faleminderit. Mendoj se nuk duhet të shpenzoni para për mua; paratë do iu nevojiten juve. Do të isha i lumtur jashtë mase nëse më dërgoni ndonjë kartolinë me pamje të natyrës dhe kjo mjafton. Në këtë përhumbje të gjatë, bota e natyrës është një mjerim i përçudnuar, ku në verë lumi dhe në dimër bora. Ja në këtë katandiset natyra, dhe unë jam i prirur nga një dëshirë e çmendur të shikoj panoramat e bukura, megjithëse ato do të jenë në letër. Përshëndetjet e mia djemve dhe vajzave. I transmetoni atyre përshëndetjet më të mira nga ana ime. Unë jetoj pak a shumë si më parë. Ndihem mirë. Shëndetin e kam të mirë, dhe jam mësuar me kushtet e këtushme. Por natyra është mjaft e egër: tri javë kemi përjetuar një temperaturë 45 gradë nën zero. Së shpejti. Përshëndetje respekti. Josifi”.


Në 6 korrik 1911 Josif Xhugashvili shkoi në Kotlas dhe më tej në Vologda. Hafijet i vunë emrin “Kaukaziani”. Këtu u njoh me Pelageja (Polia) Onufrievën, nxënëse në gjimnazin e Totmas, vajzë bujku të pasur të Solvishegodskut. Ajo ishte dashuruar me Shizhikovin që ishte i internuar në Totma dhe ia kishte mbathur me atë në Vologda. Këtu u njoh me Soson. Sapo Shizhikovi, punëtor në magazinën e mallrave dilte në orën 9 nga shtëpia për të shkuar në punë, brenda futej Josifi. Deri në dhjetor të vitit 1911 u fsheh te shtëpia e Simakovit. Në prag të vitit të ri u kthye në Vologda në shtëpinë e një çifti të moshuar që kishin një vajzë të divorcuar, Maria Bogolovskajan, nënë e tre fëmijëve të vegjël dhe një shërbyese 16 vjeçe, Sofia Kriukova. Josifi grindej shpesh me Marien dhe sipas Sofijes përmendeshin emra grash me të cilat ai shkonte, midis të cilave bënte pjesë dhe vetë Sofia. Nga fundi i shkurtit të vitit 1912 ai arriti në Petërburg dhe mori detyrë të kthente të përjavshmen “Zvjezda” në të përditshmen “Pravda”. E çuan te Tatjana (Tania) Sllavatinskaja, 30 vjeçe, bolshevike e martuar, e arsimuar dhe e bukur, jetime, autodidakte, që kishte studiuar në konservator dhe ishte e marrosur pas zërit të Shaliapinit.


Më 7 qershor 1913 Ministri i Punëve të Brendshme, Maklakovi, e dënoi me 4 vjet azil politik në Turukhansk, në Siberinë e errët. Udhëtoi në Jenisej, në Krasnojarsk në temperaturë minus 60 gradë për 26 ditë dhe mbërriti në fshatin Manastirskoje. U caktua të banonte në “Miroedika”, lagje në jug. Dy javë më vonë u shpërngul në lagjen “Kostino”. Svjerdllovi ndodhej jo larg, në “Selivanika”. Të dyve, pasi u dhanë nga 50 rubla, i zhvendosën 180 versta drejt veriut, madje 80 versta në jug të rrethit arktik, në Kurieka jetonin 67 fshatarë, 38 burra dhe 29 gra, në 8 shtëpi prej druri. Pjesa më e madhe i përkisnin Tarasevëve, Saltikovëve dhe 7 jetimëve Perepriginë: 5 vëllezër dhe dy motra, Natalia dhe Lidia. Ata u vendosën në shtëpinë e Aleksei dhe Anfisa Tarasevit. Në prill të vitit 1914 Stalinit i ra në sy vajza e vogël e jetimëve Perepriginë. Tridhjetekatërvjeçari Stalini nisi lidhje me 13-vjeçaren Lidia Perepriginën. Lidia mbeti shtatzënë. Kjo i xhindosi vëllezërit, por Stalini i premtoi xhandarit Laletin se do ta merrte për grua sapo Lidia të mbushte moshën. Në dhjetor të vitit 1914 Lidia lindi fëmijë që i vdiq pas pak kohësh. Dimrin e viteve 1915-1916 Stalini e kaloi në familjen e Perepriginëve dhe vazhdoi të ruante lidhjen me Lidian. Gjatë verës ai e la përsëri shtatzënë dhe siç e kishte zakon u zhduk për të shkuar në ishullin Polovinka për të gjuajtur peshk në lumin Jenisej.

U kthye në fillim të vjeshtës te Lidia 15-vjeçare në fazën e përparuar të barrës. Në vitin 1916 ajo lind djalë dhe ia vunë emrin Aleksandër. Stalini e braktisi. Lidia duke mos pasur shpresë te Josifi, u detyruar të martohej me fshatarin peshkatar Jakov Davidov, i cili e adaptoi Aleksandrin si fëmijën e tij.* [ *- Lidia u bë parukiere në Igarka dhe pati 8 fëmijë të tjerë. Aleksandri u bë postier dhe instruktor në komsomol, por në vitin 1935 u thirr në KPPB. Gjatë LIIB shërbeu si ushtar i thjeshtë. U plagos 3 herë, pastaj u gradua major në luftën e Koresë. Drejtoi mensën e qytetit minator të Novokuzneckut, ku u martua. Pati 3 fëmijë dhe vdiq në vitin 1987.] Në 21 shkurt 1917 u shpërngul te shtëpia e Vera Shveicerit ku kaloi net të arta me atë. Në prill të vitit 1918 kur Stalini shkoi me detyrën e komandantit në Caricin, në vagonin e blinduar mori si daktilografiste Nadjezhdën, pasi kishte frikë se mos Lenini e shtinte në dorë dhe duket aty u dashuruan. Pas kthimit u martuan dhe banuan në Kremlin e më pas në vilën elegante të quajtur Zubalova. Revolucionari 38-vjeçar u martua me vajzën 16-vjeçare me një diferencë moshe prej 22 vitesh. Më vonë Stalini flirtoi me Marusien, të dashurën e Molotovit, për të vazhduar me gruan e bukur të Aleksandër Jegorovit, Galina Jegorova, e lindur Zakrevskaja, 34 vjeçe, aktore kinematografie, brune me famë për dashuritë dhe veshjen.

Në 10 maj 1929 Stalini ftoi në daça Ekaterina Mikulinasen, 23 vjeçe dhe kaloi një natë duke përfituar nga mungesa e Nadjas, gjoja për t’i bërë vërejtje mbi librin e saj “Gara e punëtorëve në socializëm”. Po ashtu shkonte me bukuroshen topolake Ljudmilla Stal, 6 vjeçe më e madhe, aktiviste e njohur në radhët e grave, vajzë pronari në një fabrikë prodhimi çeliku në jug të Ukrainës* [*- Stal punoi në KQ dhe vdiq para LIIB], po ashtu edhe me Dora Kazan, shoqen e Nadjes. Në vitin 1930 ai u lidh me Gusevën, grua shumë e bukur e një oficeri, në Zuballova. Në vitin 1932, u dashurua me mexosopranon Vera Aleksandrovna Davidovën, këngëtare yll e Balshoi Teatrit. Ajo për Stalinin do të thoshte: Kur e pashë për herë të parë isha në skenën e Kremlinit duke kënduar në operën “Demoni”. Pas shfaqjes u shtrua një banket dhe mua protokolli më vendosi të ulesha mes Stalinit dhe Voroshillovit. Stalini hante shumë pak dhe pothuajse nuk pinte. Më shikonte me ca sy të zgurdulluar nga mahnitja. U ktheva në konviktin e artistëve dhe rastësisht futa dorën në xhepin e palltos. Papritur ndjeva se po prekja një copë letër të palosur. E nxora shpejt nga xhepi dhe e lexova: “Pas banketit do t’ju pres një makinë. Shoferi do t’ju sjellë në vendin e duhur. Ruani letrën. Mos flisni me asnjeri për këtë takim”.….Fillova të dridhem.

Në mendjen time fillova t’i lidhja faktet me njëra-tjetrën…..Kaluan disa çaste ku unë kujtova sytë e tmerrshëm të Stalinit…..M’u afrua një mezoburrë, më përshëndeti me respekt dhe më tha, “Shoqja Vera, po ju pret makina, mund të hyni dhe të ngroheni se jashtë bën shumë ftohtë, është 32 gradë nën zero” .… Pas pak, hyra e ngrirë nëpër një korridor të gjatë dhe si u gjenda në një dhomë, u lëshova mbi divanin e butë e rraskapitur nga tensioni dhe ankthi. U hap një derë dhe u shfaq Stalini. “Ju paskeni ardhur?” “Po, sapo mbërrita.” Erdhi një grua më mori peliçen, dorezat, kapelen dhe shallin. Pasi darkuam, pashë orën dhe i thashë Stalinit: “Visarionoviç është shumë vonë dhe duhet të kthehem në shtëpi sepse dhe ju jeni shumë i lodhur.” “Vera, unë kam një bisedë serioze me ju, shkojmë në dhomën tjetër, atje askush nuk do të na shqetësojë. Kam nevojë të flas me ty Vera, por pa dritë, sepse shpirtrat në errësirë flasin më mirë”… Kërkesës sime të ndershme dhe të thjeshtë për t’u larguar ai nuk i kushtoi as rëndësinë më të vogël. Në errësirën e plotë dallova dy sy të flakëruar si dy zjarre, m’u duk se para meje qëndronte një bishë e tërbuar, e neveritshme dhe jo një njeri normal. Stalini vazhdonte të më puthte dhe të më ledhatonte, mustaqet e tij të mprehta dhe të egra gërvishtnin fytyrën time dhe sytë, më erdhi vështirëm nga e gjithë kjo histori, por nuk bëja dot më asgjë…..Atë natë të tmerrshme nuk do ta harroj deri sa të jem gjallë.

Ai i thoshte shpesh asaj: “Dua të shoh nudo me dritë të ndezur, mos ki turp. Duhet të më ndihmosh. Hajde, ç’më rri si statujë. Koha është e çmuar. S’duhet ta harxhojmë kotë. Je e bukur, frymëzuese. Ti ma ndez gjakun kaukazian. E kam të vështir ta përmbaj veten. Gratë janë shtuar më shumë se qentë. Më afruan një kameriere të re gjoksmadhe që kur ta shoh t’më ndizet shpirti e t’më bëhet copash. Veroçka në jetën time kanë hyrë shumë gra, por asnjërën prej tyre s’e kam dashur me kaq pasion sa ju”; dhe në vitin 1934 do t’i thoshte: “Jeta është e shkurtër, pastaj na mbulon bari nën tokën mëmë të lagur dhe shpejt na pret një varr pa qefin. Do të bëjë një banjë me avull, me degë mështekne, të më kalojnë nëpër trup e nëpër duar putrat e forta të xhaxha kreshnikut rus”. Gjatë gjithë periudhës që Vera ishte dashnore e Stalinit ajo ka qenë dëshmitare e ngjarjeve më të llahtarshme që kanë ndodhur gjatë gjithë historisë së njerëzimit. Kur Evgenia (Zhenja) Zemljanitshin Allilujeva me të shoqin, Pavël Allilujevin, kunati i Stalinit, diplomat, u kthyen nga Berlini, midis saj dhe Stalinit lindi një miqësi. Pavli nga diplomat u kthye në komisar ushtarak në komisionin e mbrojtjes. Pas inaugurimit të Kushtetutës në vitin 1936, Zhenja Allilujeva dhe Stalini u bënë dashnorë. Në prill të vitit 1937 Stalini ka pasur lidhje sentimentale me mjeken 27-vjeçare Bronka Poskrebisheva. Nëntë muaj më vonë Bronka lindi Natali Poskrebishevën.

Vajza e Mihail Suslovit i tha Natalisë: “Të gjithë e dinë se babai yt i vërtetë shtrihet në Mauzoleumin e Leninit”. Një kuzhiniere e re, Valentina Istomina nga Zubalovo, në vitin 1938 u transferua në Kuntzevo dhe vazhdonte të ishte e dashura e Stalinit.* [*- Më vonë ajo u martua por qahej për xhelozi nga i shoqi. Veleçka u ngrit në detyrën e guvernantes që të kujdesej për veshjet e Stalinit.] Në fund të viteve tridhjetë qarkullonin fjalë se pas vdekjes së Nadjas, Stalini donte Roza Kaganoviçin, motrën e Llazar Kaganoviçit dhe se jo vetëm që kishte pasur një martesë të tretë me atë por se kishte pasur edhe një djalë prej saj, ose Majën, vajzën e tij, por që nuk u vërtetua. Po kështu u përfol dhe kunata e Malenkovit, por që dhe kjo nuk u vërtetua. Në vitin 1939 Stalini u dashurua me balerinën Marina Timofejevna Semenova dhe me Kira Simoniç Ivanovna (mbiemri i vajzërisë), që u zhduk në 5 maj të vitit 1940; me hebrejen Natalia Dmitrijevna Shpiler, që i ishte qepur Stalinit; me Natalia Sap që ishte e dashura edhe e disa personaliteteve të shquar si Tukaçevskit, Zinovievit, Kirovit, Budionit, Voroshillovit, Poskrebishevit, Jagodës etj., si edhe me Galina Josifovna Serebrjakovën, shkrimtaren e njohur, që në vitet tridhjetë merrte pjesë në pritjet që bëheshin në Kremlin. Midis shumë të tjerave mund të përmendim balerinën e madhe Ollga Lepeshinskën që pasi e mbajti për disa kohë ua kaloi anëtarëve të tjerë të Byrosë Politike, pa përjashtuar Valeria Brasovën dhe Bronisllava Zllatogorskën.

 

 


Etiketa: ,

Pas