Me historitë e dashurisë me protagonistët e telefilmave nuk ka asnjëherë të papritura. Ai është nga fillimi në fund burri që të ka rrëmbyer zemrën. Dhe nëse një ditë nuk do ta duash më, nëse do kuptosh që ai është i gjithi një i panjohur bukurosh me karakterin e shkruar mbi skenar, ti thjesht qesh me të shkuarën. Ose dhe disa mund të qeshin me ty
Muajin e kaluar shtëpia botuese “Pegi” botoi një libër, që mua më pëlqen ta quaj “libër-karamele” për formatin e vogël, mbështjelljen me ngjyra, lehtësinë për ta konsumuar dhe shijen e mirë që linte në fund. Quhet “Djemtë e pashëm” dhe tregon tri historitë e dashurisë të një vajze romantike. E para është me Markun. Në fillim e pa në sallonin e shtëpisë së mikeshës së saj. Të nesërmen ai I erdhi në shtëpi. Dhe që nga ajo ditë vinte gjithmonë në të njëjtën orë. I veshur gjithmonë bukur. Njëlloj tërheqës. Ai nuk e preku kurrë. Ata nuk bënë kurrë dashuri. Ajo do donte, por nuk ndodhi. Ajo thjesht nuk dilte nga shtëpia për ta pritur dhe kur ai vinte vishte fustane joshëse, çorape të holla e këpucë me taka. Si përfundim Marku ishte protagonisti i një telenovele. Pas kësaj historie, ndërkohë që karamelja letrare ende nuk ishte shkrirë, më vërshuan në kokë dhjetëra dashuritë e vajzave dhe grave që njoh me protagonistët e telenovelave. Asnjë prej tyre nuk ka shkuar aq larg për dashurinë e saj virtuale sa protagonistja e librit, por copëza të sjelljes së saj më kujtuan të tyren: faktin që anulojnë çdo gjë vetëm për të parë protagonistin në serinë e radhës, flasin për të tërë kohës, e shohin në ëndërr e madje nisin e fantazojnë për të.
“A sikur të shtrihesha unë afër tij! As nuk doja të bëja seks fare, thjesht t’i rrija afër e ta shihja”, m’u kujtua zëri i parukieries mes gumëzhimës së tharrëses, ndërkohë që në ekran një femër tjetër brune ishte pikërisht në vendin e lakmuar nga parukieria. E ndërkohë që Gymyshi seç i pëshpëriste në turqisht Mehmetit, tharrësja kishte ngrirë në drejtim krejt tjetër nga koka e klientes, siç ndodhte rëndom po të shkoje në parukeri në orarin e “Gymushit”. E kishte shpallur që herën e parë dashurinë me turkun biond dhe gjatë gjithë sezonit konsiderohej e mirëqenë që çdo krehje në atë orë kushtonte 500 lekë e një copë historie nga telenovela turke. Mirëpo, Mehmeti ose Kivanç Tatlitug, nuk ishte i vetmi me të cilin po tradhëtonte të fejuarin parukieria, në atë kohë. Mbrëmjeve, në Top Channel, atë sezon, jepej telefilmi italian “L’Onore e il Rispetto” me Gabriel Garko-n. “Ngaqë nuk kemi akoma shtëpinë tonë, kur duam të rrimë bashkë shkojmë në hotel, por unë kur është Tonia Braccioforte nuk bëj asgjë pa mbaruar ai. Pasi shoh atë pastaj, as më vjen fare të shkoj me të fejuarin.” Ishte më shumë sesa shaka, derisa të fejuarit nuk ia kishte thënë ndonjëherë. Dhe nuk i ndodhte asaj për herë të parë. Dashuri të tilla me ata burra të pashëm, që të vijnë në shtëpi në një orar të caktuar, që thonë gjithmonë fjalët e duhura, që dinë të kapen me grushta e të qajnë për dashurinë, që pijnë e dehen e nuk mbajnë erë alkool, që dinë të sillen e të qeshin me dhëmbët e bardhë, që janë rebelë e romantikë, heronj dhe të ndjeshëm, ata me atë vështrimin e ngulët e gjestet joshëse, që nuk vishen kurrë keq e që janë perfekt nga mëngjesi në mbrëmje, ka pasur që kur u shpik kinemaja, televizioni dhe modeli i aktorit sharmant. Ndër të parët në Shqipëri ka qenë me siguri Komisar Katani: bashkë me mafiozët italianë plagosi dhe shumë zemra femrash shqiptare. Ishin vitet kur mund të bije lehtë në dashuri me të parin të huaj që dilte në ekran, mjaftonte një veshje e mirë dhe ca gjeste xhentilese që mungonin në jetën reale, por jo te filmat me titra. Por dashuritë me personazhet e (tele)filmave nuk u zhdukën me shtimin e alternativave. Përkundrazi u krijua mundësia për të zgjedhur mes tipave dhe portreteve të tyre!
“Jo, nuk dua- kujton sot njw notere, si i kish thënë një herë djalit që kwrkonte ta ndalonte në gjimnaz në Dibër dhe pasi ai e kish pyetur aq herë Pse? Pse? e kur vëmendja rreth e rrotull kish rënë e gjitha mbi të, ajo, e njohur për tipin serioz e fjalët e zgjedhura i kish thënë: sepse jam e dashurar me Ron Moss”. Mosssssssssssss! I gjori adoleshent, me siguri ka menduar ndonjë djalë të rritur me emër pak të çuditshëm, por në fakt pengesa ishte pikërisht Rixhi i Beautiful-it. Ishin të rrezikshëm anëtarët e familjes Forester për të rrëmbyer zemra, kjo dihej, por kush do e mendonte që rreth pesëmbëdhjetë më vonë turqit do i linin në bisht të gjithë!
Kivanç Tatlitug pasi u dha shumë vajzave një burrë me fytyrë engjëlli për të ëndërruar, të quajtur Mehmet, ia doli që disa të tjerave t’ua rrëmbente zemrën me djalin haram, me sjellje të forti, por me zemër të butë, Kuzey-n. Edhe Onuri (Halit Ergenç), kur hoqi kostumet otomane të rolit të Sulltanit, për të veshur ato të biznesmenit që dashurohet me Sheherezaden, krijoi një mashkull pafundësisht joshës për fanset. “Mos e krasoni lart e poshtë me të tjerë. Ai është burrrrë”, u hodh një ditë një vajzë që kish ndjekur disa seri të telefilmit turk. Megjithatë asgjë, askush, asnjë nuk mund të krahasohet me atë…Ezelin, The Ezel.
Dhjetëra femra gjetën burrin ideal te ai, atë që e kishin kërkuar në qiell për vite të tëra e gjetën pikërisht mbi tavolinën e televizorit në orën tetë të mbrëmjes. Dhe pasi e gjetën nuk mund ta linin më, nuk bënin asgjë tjetër në atë orë, nxitonin të ishin në shtëpi sa më afër tij dhe 23 orët e tjera, deri sa ta shihnin prapë, i kalonin duke kontrolluar në internet fakte për Ezelin (Kenan Imirzalioglu dwshtoi plotësisht për të fituar zemrat e grave me ndonjë rol tjetër), duke folur sa i parezistueshëm është ai, si flet, si qesh, si qan, si ecën, si fut dorën në xhep! Çdo gjë që bënte ai ishte një arsye më shumë për ta dashuruar. “Me një burrë si ai do martohesha në çast”. “Ai është burri më i bukur në botë!” Dhe nëse dikush goxonte t’ua mohonte këtë…i keni vetë parasysh grindjet e femrave. “Aaaaa, bërtiste një ditë një mikesha ime, po nuk quajte atë të bukur, kë mund të quash?!”. Ai nuk ishte vetëm i bukur, “ai i kishte të gjitha” dhe sa për i bukur, të bukur gjen ku të duash, ai ishte “I bukuri i dheut”. E kështu erdhi, pa dhe fitoi mbi gjysmat e femrave Ezeli në Shqipëri. Pastaj siç dihet koha bën të vetën. Edhe dashuritë e mëdha zbehen. Kështu ndodhi dhe me Ezelin, por më besniket e pritën me po atë pasion edhe kur erdhi për herë të dytë, gjatë kësaj vere dhe mënyra si ai fliste, qeshte, qante, fuste e nxirrte dorën nga xhepi, ishte njëlloj tërheqëse.
Kanë një gjë të mirë këto dashuritë si përfundim, më e keqja që mund të ndodhë me to, është të zbehen, për të zhgënjyer nuk zhgënjejnë kurrë!
Ky shkrim u botua më parë në revistën “Madame Mapo”/ Mapo.al