Meghan Markle dhe Princ Harry kanë tërhequr së fundmi vëmendjen e mediave, me praninë e tyre në Romë, në ceremoninë martesore të stilistes Misha Nonoo dhe maniatit të naftës Michael Hess.
Në vilën Aurelia, pronë piktoreske e shekullit të XVII, Meghan u pikas e veshur me një fustan të zi mbrëmjeje “Valentino”, prej tyli dhe gurë të çmuar kristali. Ndërsa Harry ishte veshur me një kostum klasik. Sipas burimeve të “People”, çifti mbretëror mbërriti në Romë të enjten përmes një linjeje të thjeshtë ajrore .
Meghan dhe Harry nuk ishin të vetmit të njohur të ftuar në dasmën e Nonoo-s. Vajza e presidentit amerikan Donald Trump dhe bashkëshorti i saj, njëkohësisht këshilltar i Shtëpisë së Bardhë, ishin gjithashtu të pranishëm. Ivanka kishte veshur një fustan të gjatë ngjyrë nude, me një rrip floriri në mes. Me po të njëjtën ngjyrë, kishte përzgjedhur edhe çantën e saj të dorës.
Përpos tyre, fotografët pikasën edhe emra të njohur të industrisë së muzikës dhe filmit, si Katy Perry, Orlando Bloom, Karlie Kloss dhe Joshua Kushner.