Debati i ekonomistëve: A ka të drejtë Kosova me taksën ndaj Serbisë?

Qeveria e Kosovës ka vendosur të mërkurën që taksa doganore për produktet e Serbisë nga 10% të shkojë në 100%, duke i dhënë një goditje “bombastike” transportit të mallrave mes dy vendeve. Reagimet kanë qenë të forta qoftë nga politika, por edhe nga ekspertët. Ndiqni më poshtë një debat mes dy emrave të njohur të fushës ekonomike në Kosovë dhe Shqipëri

Dëshpërimi i akumuluar



Nga Muhamet Mustafa, Instituti ‘Riinvest’ në Prishtinë

Ka kohë që është theksuar domosdoshmëria që Kosova të zbatojë parimin e reciprocitetit në marrëdhëniet ekonomike dhe politike me Serbinë, por edhe vendet e tjera. Kjo kërkesë legjitime është neglizhuar një kohë të gjatë nga institucionet e Kosovës, shpeshherë duke dashur të tregohemi “konstruktivë” ose edhe të “degjueshëm” ndaj sugjerimeve të ndryshme. Ky lloj qëndrimi inferior ka prodhuar efekte negative jo vetëm për prodhuesit kosovarë dhe ekonominë e Kosovës, por në përgjithësi në perceptimin e kapaciteteve shtetndërtuese të vendit. Problemet që janë akumuluar që prej se filluan negociatat në Bruksel e edhe më herët, gjetën një përgjigje këto ditë që duket si një, një reagim-produkt i një dëshpërimi të akumuluar. Më mirë do të ishte sikur ne me vite të zbatonim reciprocitetin. Kjo neglizhencë e jona ka prodhuar efekte negative edhe në aspektin politik aq sa Kosova e pavarur të mos pranohet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina si realitet dhe me respektin e duhur. Natyrisht se problemet me Serbinë kanë dimensione më të thella ekonomike dhe politike. Serbia me politikën e saj nuk ka heqë dorë nga shprehitë e vjetra dhe të reja koloniale ndaj Kosovës. Serbia tenton, në kontinuitet, që këtë mentalitet të saj ta kamuflojë me mitin e saj të sajuar me e ndjenjat mesjetare që në fakt janë produkt i atij mentaliteti kolonial. Serbia gjithnjë ka tentuar dhe ka arritur që tregu kosovar t’i servisojë disa sektorë të industrisë së saj përpunuese. Në vend të logjikës së partneritetit, respektit dhe marrëdhënieve të drejta gjithnjë në vijim të këtij mentaliteti, ajo edhe në kushtet e realiteteve të reja, kur Kosova është e pavarur, synon që ta ruajë këtë pozicion karshi tregut të Kosovës dhe që paralelisht të pengojë prodhuesit eksportues kosovar në forma të ndryshme duke tentuar njëkohësisht që ta mohojë, nënçmojë dhe denigrojnë shtetësinë e Kosovës dhe dëmtojë edhe ekonomikisht atë. Ofensiva politike e kohëve të fundit nga qeveria serbe kundër Kosovës dhe loja e saj e dyfishtë, ngreh e mos e këput, bisedime në Bruksel dhe destruksion në të gjitha fushat paralelisht me këtë është komplementare me këtë synim hegjemonist e kolonialist. Kjo natyrisht se prodhoi edhe më shumë efekte negative ne marrëdhëniet midis dy vendeve dhe përgjatë dialogut shtatëvjeçar në Bruksel, kur do të ishin normale veprimet në një drejtim të kundërt. Serbia nuk po shpreh as gatishmërinë më të vogël që t’i korrigjojë sjelljet e veta dhe të rregullojë marrëdhëniet ekonomike politike me Kosovën e pavarur, që nënkupton me gjithë qytetarët e Kosovës e jo vetëm me shqiptarët siç thotë presidenti i tyre.

Por të shohim shkurt relacionet tregtare midis dy vendeve për të parë më mirë kontekstin në të cilin do të reflektohen masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës. Gjatë vitit 2017 Serbia ka eksportuar në Kosovë 449 milionë euro, një rritje prej 15% në krahasim me një vit më parë. Kosova ka eksportuar në Serbi 44 milionë euro. Eksportet e Kosovës në Serbi mbulojë vetëm afër 10% të importeve nga ai vend, më keq sesa mesatarja me vendet e tjera. Ky raport ka ardhur duke u përkeqësuar në vitin 2018 për gati 25%, kur mbulueshmëria midis importit dhe eksportit, ka rënë në rreth 7%. Kërkesat e Kosovës që eksportuesit kosovarë të mos pengohen me barriera jotarifore (dokumentet dhe certifikata ndryshme të motivuara politikisht por edhe me efekte shumë të dëmshme ekonomike për eksportuesit kosovarë) kanë rënë në vesh të shurdhër tek pala serbe, e edhe tek ndërmjetësuesit e BE. Eksporti i Kosovës në Serbi është afër 30% më i vogël sesa në Shqipëri. Në kushte normale të një tregtie të lirë, duke marrë parasysh hapësirën dhe potencialet e tregut në Serbi do të duhej të ishte rreth 3 herë më i madh. Shikuar në një plan të raporteve globale të marrëdhënieve tregtare të Serbisë kjo masë nuk duket aq goditëse për Serbinë. Eksportet e saj në Kosovë janë diku rreth 3% të eksportit të saj të gjithmbarshëm. Por nëse shikohen më detajisht shihet se ato kanë peshën e vet për realitetin ekonomik të Serbisë. Në kuadër të eksporteve të Serbisë në vendet e CEFTA, eksportet në Kosovë janë rreth 21%. Kjo masë ka një efekt goditës sidomos për disa sektorë të ekonomisë së Serbisë siç janë nafta dhe derivatet e saj, prodhimi i lëngjeve, prodhimi i sheqerit e melases, prodhimi i grurit dhe i miellit dhe i përpunimeve të tyre, materialet ndërtimore, prodhimi i vajrave dhe i yndyrave ushqimore, ushqimi për kafshë dhe prodhimet e hekurit dhe çelikut. Vlera e eksporteve të Serbisë nga këta sektorë sillet prej 54 milionë e deri ne 10 milionë euro. Shumë uzina nga këta sektorë janë të varur nga eksporti në Kosovë me kapacitete të tëra të ndërtuara për ta servisuar dhe dominuar tregun e Kosovës edhe me masa e subvencione që janë në kundërshtim me parimet e CEFTA dhe të OBT. Nga vetë kjo strukturë e importeve nga Serbia shihet se këto janë mallra të rëndomta konsumi ose inpute për riprodhim që mund të sigurohen nga tregje alternative.

Nga pozicioni i Kosovës, efektet pozitive të pritura mund të jenë që Serbia të rishikojë pozicionin e vet dhe korrigjojë sjelljet e veta karshi Kosovës në planin ekonomik dhe politik. Efekti pozitiv mund të jetë edhe nxitje e prodhimit vendor dhe zëvendësimi i pjesshëm i këtij importi me prodhim vendor. Gjithashtu kjo do të reduktojë varësinë nga importet serbe dhe krijojë një fleksibilitet më të madh te prodhuesit dhe konsumatorët kosovarë për të shikuar më mirë për alternativat e furnizimit.

Natyrisht që kjo masë prodhon edhe efekte negative për të cilat qeveria besoj se është koshiente dhe ka (ose shpejt duhet të ketë) një sërë masash për neutralizimin e tyre. Mund të paraqiten problem afatshkurtra në furnizim, por kjo do të tejkalohet nga tregjet alternative. Natyrisht se mund të ketë një ngritje çmimesh por jo aq sa frigohemi dhe jo aq sa do të duhej të ishim të gatshëm që ta paguajmë si çmim për të arritur qëllimin për të cilin janë marrë masat. Edhe në Kosovë ka disa prodhues, jo aq shumë, që importojnë lëndët e para dhe materialet nga Serbia, veçanërisht tek përpunimi i miellit dhe i drithit dhe përpunimi i metaleve, që do të goditën keq pasiqë kjo masë mund të shtrenjtojë dukshëm produktet e tyre deri ne një shkallë të papërballueshme. Këtu qeveria duhet të reagojë shpejt që të neutralizojë efektet duke u kthyer taksën e paguar atyre.

Ky veprim i qeverisë ka një kosto jo të vogël edhe për Kosovën dhe krijon një momentum të ri që kërkon kapacitete për t’u menaxhuar që të arrihen qëllimet e projektuara. Kjo kosto duhet të përballohet nga të gjithë, nga qeveria dhe institucionet e tjera, nga bizneset dhe konsumatorët. Buxheti i projektuar i Kosovës për 2019 pas kësaj mase nuk mund të jetë i njëjti. Duhet të pësojë një ristrukturim serioz në dobi të prodhuesve dhe konsumatorëve. Kjo mund të përballohet duke evituar shumë shpenzime që mund të konsiderohen luks në kushtet e rikrijuara.

Siç edhe është pritur po vjen reagimi i shpejtë nga BE, lidhur me masën e ndërmarrë nga qeveria e Kosovës sot, për një taksë lineare për importet nga Serbia dhe atë nga zëdhënësja e Mogherinit, duke u thirrur në CEFTA. Reagimet e tilla vijnë edhe nga inercioni se mund të bëhet presion jopropocional ndaj Kosovës. Madje dhe gjuha e tyre shpesh del përtej asaj diplomatike. Qeveria e Kosovës ka marrë një vendim radikal nën presionin e veprimeve serbe. Ajo duhet të formulojë kërkesa të qarta dhe të argumentuara, e që nuk është vështirë të sajohen, për të kushtëzuar heqjen e kësaj mase. Pra Kosova duhet të krijojë një platformë për bisedime me BE dhe Serbinë se cilat kushte duhet të plotësohen që të hiqet ose reduktohet kjo masë. Shumë nga këto janë thënë në letrën e kryeministrit Haradinaj dërguar Mogherinit, por ato duhet të forcohen edhe më shumë.

Kosova ka ardhur në një momentum kur duhet të përgjigjet si shtet, pra si komb. Sigurisht se mund të gjejmë behane sesi është marrë e sesi do të duhej marrë kjo masë, por ajo është këtu dhe lufta primitive politike partiake rreth saj është e dëmshme dhe e palejueshme në këtë situatë.

Kosova është vendi anëtar i CEFTA dhe aspirant për BE që ka zbatuar parimet e tregtisë së lirë më mirë e më shumë se cilido vend tjetër. Bile deri në atë masë që e ka tepruar me mosmbrojtjen e industrisë së saj të re edhe në kufijtë e lejueshëm nga OBT dhe MSA. As me këtë masë Kosova nuk po heq dorë nga parimet e tregtisë së lirë dhe konkurrencës fair. Ajo ka targetuar vetëm dy shtete me qëndrim armiqësor ndaj saj për të mbrojtur interesin e saj ekonomik, politik dhe sovran. Ndaj një kuptim më racional i këtij konteksti nga ana BE dhe të tjerët do të ishte më produktiv, më simetrik dhe më i drejtë sesa direktivat me ton ekzekutiv nga përfaqësues të BE-së. Në vend të kësaj të gjithë e sidomos Serbia e B-H duhet të tregojnë konstruktivitetin e tyre të munguar në mënyrë që masa e ndërmarrë nga Qeveria e Kosovës mos të jetë më e nevojshme. Kosova duhet të mbetet edhe më tutje konstruktive për marrëdhënie të barabarta të respektit reciprok dhe fqinjësisë në dobi të dyanshme e sidomos të përgjegjshme ndaj pakicave kombëtare në Kosovë dhe Serbi.

 

Vendimi i gabuar i Kosovës

Nga Zef Preçi, Instituti i Studimeve Ekonomike në Tiranë

Do ta quaj një imitim ballkanik të luftës tregtare të Presidentit amerikan Trump. Një imitim i verbër, pa sens të fuqisë ekonomike që ka Amerika. Trump matet me vende të fuqishme ekonomikisht si p.sh. me Kinën, e kam fjalën për luftën tregtare që SHBA i shpalli Kinës, në shtator të këtij viti , duke ngritur tarifat për mallrat kinezë që hyjnë në SHBA. Në rastin e Kosovës e them me bindje që imitimi do të rrënojë imituesin, pra Kosovën dhe jo Serbinë apo Bosnjë-Hercegovinën.

Vendimi i qeverisë së Kosovës për rritjen 100% të taksës për mallrat që Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina eksportojnë në Kosovë, është i gabuar politikisht dhe shumë i nxituar. Ai minon progresin në procesin e integrimit europian duke cenuar bashkëpunimin rajonal, instrumentin më efikas për afrimin e Ballkanit Perëndimor (BP) me BE dhe një nga shtyllat kryesore të procesit të Berlinit. Ndërkohë që çdo lloj progresi në bashkëpunimin rajonal mes vendeve të BP i shërben afrimit me BE dhe e kundërta. Vendimi i Qeverisë së Kosovës bie ndesh me arritjet e deritanishme në BP, me përpjekjet për krijimin e Zonës Rajonale Ekonomike, lëvizjen e lirë të mallrave, kapitaleve, njerëzve. Ai bie ndesh me marrëveshjet ndërkombëtare dhe rajonale si CEFTA, ( Central European Free Trade Agreement) e krijuar enkas nga BE për të lehtësuar shkëmbimet tregtare mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kosova me Serbinë dhe Bosnjë–Hercegovinën kanë lidhje tregtare dhe ekonomike, që datojnë para shpërbërjes së ish-Republikës Federative të Jugosllavisë. Le të jemi realistë: në 20 vitet e fundit ato që kanë funksionuar mirë në shkëmbimet tregtare mes vendeve të BP për lëvizjen e lirë të mallrave dhe kapitaleve janë marrëveshjet e lidhura para se Federata Jugosllave të shpërbëhej. Në këto marrëveshje ka lidhje tregtare, kualifikim të fuqisë punëtore, investime etj. është përfshirë në mënyrë të natyrshme edhe Kosova. Ekonomia e saj kombëtare do të ketë humbje të mëdha. Vendimi nuk ndihmon prodhuesit vendas. Përkundrazi.

Është një vendim i përkohshëm, i nxituar, i paarsyetuar. Besoj që qeveria e Kosovës do të tërhiqet nga ky vendim vetëvrasës në kuptimin ekonomik të fjalës. Presioni nga BE do të rritet. Në kontekstin e dialogut Prishtinë – Beograd, për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, vendim i qeverisë së Kosovës për rritjen 100% të taksës për mallrat që Serbia eksporton në Kosovë është një acarimi artificial , i panevojshëm që nuk i shërben përpjekjeve që po bën elita e Kosovës. Kosova ka shumë gjëra për të bërë.

Të luftojë më mire se deri tani korrupsionin, të garantojë rritjen e eksporteve kosovare drejt Serbisë dhe jo të mbyllë importet dhe të shkelë marrëveshjet ndërkombëtare./DW


Fatal error: Uncaught ___C_0: (E_ERROR) Trying to access array offset on value of type bool in /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/js/tinymce/skins/wordpress/images/formatting.config:252 Stack trace: #0 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(13): ___C_5->_errorHandler(2, 'Trying to acces...', '/home/gazetamap...', 13) #1 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(17): JNews\Module\Block\Block_9_View->get_demo_style() #2 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(74): JNews\Module\Block\Block_9_View->get_image_size() #3 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(63): JNews\Module\Block\Block_9_View->build_column(Array, 'jeg_col_2o3') #4 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(47): JNews\Module\Block\Block_9_View->render_column(Array, 'jeg_col_2o3') #5 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/BlockViewAbstract.php(17): JNews\Module\Block\Block_9_View->render_output(Array, 'jeg_col_2o3') #6 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/ModuleViewAbstract.php(165): JNews\Module\Block\BlockViewAbstract->render_module(Array, 'jeg_col_2o3') #7 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Single/SinglePost.php(1265): JNews\Module\ModuleViewAbstract->build_module(Array) #8 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Single/SinglePost.php(205): JNews\Single\SinglePost->related_post(false) #9 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php(307): JNews\Single\SinglePost->related_post_hook('') #10 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php(331): WP_Hook->apply_filters(NULL, Array) #11 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/plugin.php(474): WP_Hook->do_action(Array) #12 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/fragment/post/single-post-1.php(66): do_action('jnews_single_po...') #13 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template.php(772): require('/home/gazetamap...') #14 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template.php(716): load_template('/home/gazetamap...', false, Array) #15 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/general-template.php(204): locate_template(Array, true, false, Array) #16 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/single.php(16): get_template_part('fragment/post/s...') #17 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template-loader.php(106): include('/home/gazetamap...') #18 /home/gazetamapo/public_html/wp-blog-header.php(19): require_once('/home/gazetamap...') #19 /home/gazetamapo/public_html/index.php(17): require('/home/gazetamap...') #20 {main} thrown in /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/js/tinymce/skins/wordpress/images/formatting.config on line 252