Zgjedhjet e 25 Prillit nuk do t’i japin votuesit shqiptar mundësinë për të vlerësuar kandidatët për kryeministër përmes një debati publik mes tyre. Lulzim Basha është gati dhe sfidon. Përse kryeministri Edi Rama refuzon një përballje publike me kundërshtarin?! Gazeta MAPO sjell një historik të debateve të vetme elektorale në politikën shqiptare në këto 30 vite, Nano-Berisha dhe Rama-Mustafaj
Nga Blerina Gjoka
Që kur grekët e lashtë krijuan Agoran, një hapësirë publike debati për të diskutuar dhe për të marrë vendime demokracia merr kuptim vetëm me përballjen e dy a më shumë alternativave të ndryshme, dy a më shumë kandidatëve të ndryshëm. Në botën moderne amfiteatrot e demokracisë greke janë zëvendësuar me studiot televizive, ku dy orët e një përballjeje mes dy liderëve janë vendimtare për votuesit.
Në prag të zgjedhjeve të 25 Prillit, kur jemi futur në vitin e 30-të të demokracisë, shqiptarëve u mungon “Agora” e debatit publik mes kandidatëve për kryeministër. Një praktikë demokratike që e ndjekin dhjetëra vende të botës për t’u dhënë mundësinë zgjedhësve të shohin sy më sy njerëzit që ata do të votojnë dhe kësisoj dhe programet e premtimet që ata ofrojnë. Në agorën shqiptare kjo gjë ka ndodhur vetëm dy herë në këto 30 vite, por pa mundur të krijojnë dot një traditë politike.
Liderët i shohim çdo ditë në televizione dhe mitingje duke folur me orë të tëra për premtimet e programet e tyre, duke replikuar me njëri-tjetrin në hapësirat sociale, por jo në një skenë përballë njëri-tjetrit. Mungesa e një debati publik mes dy kandidatëve për të udhëhequr vendin pas 25 prillit, Lulzim Bashës dhe Edi Ramës, po refuzohet nga ky i fundit me këmbëngulje. Rama, kryeministër në detyrë që kërkon një mandat të tretë i ka thënë disa herë “jo” ftesës së kundërshtarit të tij opozitar Basha.
Ftesa e fundit për debat Ramës i erdhi të enjten në darkë në emisionin “Opinion” në tvKlan, ku Basha rikonfirmoi që është i gatshëm në çdo moment për të bërë debat. Sipas kreut të Partisë Demokratike, kundërshtari i tij nuk vjen në debat sepse nuk ka një bilanc qeverisës. Ndërsa Rama refuzon debatin pa një argument të vërtetë po duke intimiduar kundërshtarin e tij me ironi. Sipas Ramës, Basha nuk është lideri i vërtetë i opozitës, ai është “kukull e Saliut dhe Monikës” dhe kjo është arsyeja pse nuk pranon të ulet përballë tij në një debat politik.
Por, Basha, i cili po ndjek në karrierën politike pak a shumë një trajektore të ngjashme me Ramën, ministër, kryebashkiak i Tiranës, kryetar i partisë më të madhe në opozitë dhe tashmë kandidat për kryeministër, beson se ndodhet në pozita favorizuese në një debat të tillë dhe vijon t’i hedhë dorashkën Ramës sa herë t’i jepet mundësia si për t’i treguar se ai ka frikë nga debati. Në një rast të vetëm patëm mundësinë të shohim një përballje mes tyre, kur Basha ndërhyri live me lidhje telefonike në emision gjatë kohës që fliste Rama.
Edhe pse rastësore dhe e shkurtër kjo përballje mes tyre tregoi shumë për modelin që na ofrohej në rast të një debati të vërtetë publik. Ndërsa kreu i PD-së po argumentonte mbrojtjen ndaj një akuze që kryeministri kishte ngritur ndaj tij në studion e “Opinion”, Rama përdori intimidimin dhe ironinë, si mjete shumë të dashura të tij në diskursin politik me kundërshtarët.
Nëse në botën perëndimore debati është një traditë politike që zbatohet si një respekt i detyruar i politikanëve për demokracinë dhe votuesin, në vendin tonë shihet si një “lëshim” nga ana e atij që është në pushtet për kundërshtarin në opozitë. Kemi dy shembuj kur kryeministrat refuzojnë të përballen me opozitarin. Të njëjtën taktikë që ndoqi Sali Berisha me Ramën, kur ky i fundit ishte në opozitë po ndjek vetë Rama me Bashën. “Saliun e pres vetëm në debat para shqiptarëve”, – thoshte Rama në vitin 2011 kur ambasadori amerikan Arvizu e ftonte në një takim larg kamerave me kryeministrin për të lehtësuar tensionin politik mes palëve. Ftesat e Ramës për debat publik morën përgjigje ironike nga Berisha edhe në 2013-ën, kur i sugjeronte Ramës që ta bënte debatin me Ilir Metën për të përcaktuar kush do jetë lideri i së majtës.
Për herë të parë dhe të vetme debati i nivelit të lartë mes një kryeministri dhe kryetarit të opozitës ka ndodhur në vitin 2002, edhe pse nuk ishte një debat në funksion të zgjedhjeve të cilat ishin zhvilluar disa muaj para debatit, ai moment shërbeu për të ulur tensionin politik dhe për të hapur udhën e konsensuseve në politikë. Protagonistë ishin Fatos Nano dhe Sali Berisha, të cilët pavarësisht se thyen akuj nuk arritën të vendosnin një traditë të tillë demokratike në politikën shqiptare të mëvonshme.
Pse Rama e refuzon debatin?!
“Prej 2006-ës e kam ftuar z. Rama në debat dhe ka refuzuar. Debati i fundit që z. Rama ka bërë, është në vitin 2000. Që nesër. Që nesër e deri më 25 prill, kur të dojë është i ftuar në debat”. Kjo deklaratë e Bashës është bërë para disa muajsh kur ethet e fushatës sapo kishin nisur. Dhe vazhdimisht kësaj ftese Rama i është përgjigjur negativisht herë duke e anashkaluar një përgjigje direkte ose duke intimiduar kundërshtarin politik.
“Ka një problem sepse unë e konsideroj Bashën një kukull të vënë, një marionetë që përdoret si dhëndër për një dasmë imagjinare ku nusja nuk do të paraqitet. Pas tij është Luli, Monika e Saliu. Mendimi im është ky, nuk kam përballë liderin e vërtetë të Opozitës”, tha Rama herën e fundit që u pyet për këtë gjë në fund të marsit të këtij viti nga gazetari Blendi Fevziu.
Sigurisht që ky argument është një rrugëzgjidhje për të dalë nga situata pasi ai kryetarin e opozitës e ka njohur si kundërshtar pasi është ulur në tryezë dhe ka firmosur dhe marrëveshje politike me të në vitin 2017 para zgjedhjeve. Por ashtu si sot, edhe atëherë Rama nuk preferoi të dalë në agorën e kamerave në një përballje alternativash, idesh dhe projektesh. Refuzimi i Ramës ka qenë i vazhdueshëm që kur Basha drejtonte bashkinë e kryeqytetit dhe sapo ishte zgjedhur në krye të PD-së dhe e ftoi publikisht Ramën kryeministër që të debatonin për bllokimin e investimeve në Tiranë. Hera e parë dhe e fundit që ai është ulur në karrigen para një kundërshtari ka qenë viti 2000 kur vendosi të kandidonte për kryetar të bashkisë Tiranë përballë Besnik Mustafajt.
Po çfarë mund të sillte një përballje në prag të 25 prillit?!
Në vitin e 8-të të qeverisjes shumë analistë besojnë se ai nuk ndihet komod në një përballje me kundërshtarin politik para një publiku të gjerë për shkak të problemeve të mëdha me qeverisjen, mungesën e një bilanci konkret, situatën e menaxhimit të pandemisë dhe rindërtimit nga tërmeti i fundvitit 2019, dhe skandalet e shumta me të cilat është shoqëruar qeverisja e tij, sidomos në 4 vitet e fundit. Nëse do të shkonte në debat do të detyrohej të jepte përgjigje për raportet e ashpra ndërkombëtare për qeverisjen e tij.
I fundit ishte ai i Transparency International, ku zbërthehej mekanizmi i kapjes së shtetit nga Rama, kontrolli i tij mbi parlamentin, institucioni më i lartë vendimmarrës i republikës, i cili është në shërbim të interesave private në miratimin e disa ligjeve të porositura të miratuara në mënyrë jotransparente. Pas 8 vitesh në pushtet Rama e ka tashmë të vështirë të përballet me Ramën e 8 viteve më parë, në vend të rezultateve i duhet të ripremtojë të njëjtat gjëra që ka premtuar në vitin 2013. Përballja do të kërkonte përgjigje nga ai për eksodin e ri të shqiptarëve nën sundimin e Rilindjes së drejtuar prej tij, një eksod që po cilësohet si “ikja e trurit” për shkak të emigrimit të të rinjve të shkolluar apo klasës së mesme, njerëzve profesionistë.
Nëse do të ishte përballë kundërshtarit do të duhej të jepte përgjigje dhe për skandalet e mëdha që e kanë shoqëruar qeverisjen e tij, ndër të cilat janë dosjet 184 dhe 339, dy dosje hetimore për vjedhjen e zgjedhjeve ku në përgjimet e publikuara nga gazeta gjermane BILD shfaqen ministra dhe kryebashkiakë të tij duke folur me elementë kriminalë. Një politikan si Rama, që e ka fokusuar karrierën e tij politike më fort tek imazhi, batuta dhe elemente kontroverse për të tërhequr vëmendjen e publikut do të ishte jokomod përballë Bashës, një kundërthënie e tij në profilin politik dhe me avantazhin e pozicionit të kritikut e akuzuesit të opozitarit që përçon pakënaqësinë e qytetarit shqiptar sot për të gjitha problemet e qeverisjes.
Në një vend në krizë ekonomisë, me varfëri të skajshme, papunësi dhe një mijë probleme të tjera ka plot gracka ku mund të kapësh mat një kryeministër që pas 8 vitesh në pushtet po e var fushatën elektorale në premtime ekstreme nga ndërtimi i aeroporteve te garantimi i ujit të pijshëm. Në anën tjetër këmbëngulja e Bashës për debat duket si një moment i dëshirueshëm për opozitën për të fituar terren në prag të zgjedhjeve, duke shfrytëzuar dhe gjithë pakënaqësinë e akumuluar te votuesit në gjithë këto vite.
Edhe vetë Rama kur ishte në opozitë i kërkonte përballje ish-kryeministrit Sali Berisha, por u refuzua. Basha do të rrezikonte të përballej me ironinë dhe intimidimin e Ramës, një taktikë që ai e përdor edhe me gazetarët sa herë gjendet përballë tyre në studiot televizive. Njësoj përfundoi dhe një debat minimalist, i vetmi mes tyre, në emisionin “Opinion” ku Basha u fut live në lidhje telefonike për të kundërshtuar akuzat që po ngrinte Rama ndaj tij.
Debati i vetëm 5-minutësh Rama-Basha
Para disa muajsh kreu i PD-së Lulzim Basha ndërhyri live në emisionin “Opinion” me telefon duke akuzuar Kryeministrin Rama se ka shkatërruar bizneset e ka rrënuar ekonominë. Por teleshikuesit u zhgënjyen me atë fragment debati pasi nga ana tjetër në vend të argumenteve politike u dëgjuan vetëm fjali fyese të tipit “ik fli Luli, ik fli zemër”.
Pjesë nga debati:
Fevziu: Kryeministri ka cituar një kontratë të paekzekutuar tuajën për plehrat në Bashkinë e Tiranës, e cila kishte një kosto më të lartë sesa kjo e sotmja.
Basha: E gjithë ajo çfarë ka thënë është grumbull gënjeshtrash. E vërteta është si vijon: Në vitin 2011, Rama bëri një memorandum mirëkuptimi me Bankën Botërore dhe IFC për të hartuar një studim për plehrat e Tiranës. Në 2011 pasi u largua nga Bashkia nën drejtimin tim autorizova një studim fizibiliteti, me bashkëpagesë nga Banka Botërore dhe nga Bashkia e Tiranës, që Sharra e lënë në mjerim për 11 vite nga Rama, të kishte një trajtim sa më dinjitoz për qytetarët e Tiranës.
Fevziu: Ishte studim apo ishte propozim i juaji që ia kërkuat qeverisë të miratohet?
Basha: Studimi i fizibilitetit i hartuar nga specialistë të Bankës Botërore dhe jo nga anëtarët e Bandës së Lushnjës, jo nga Mërtiri që bashkë me Edi Ramën dhe Arben Ahmetajn janë pronarë të incineratorëve, por nga Banka Botërore studimi i fizibilitetit krijonte mundësinë për arritjen e tre objektivave të Bashkisë Tiranë. Brenda vitit të parë të gjithë kontejnerët e plehrave, brenda unazës së vogël të Tiranës të futeshin nën tokë. Brenda tre viteve të gjithë kontejnerët e plehrave në të gjithë Bashkinë e Tiranës të futeshin në tokë. Qytetarët të mos paguanin asnjë qindarkë më shumë për taksën e pastrimit dhe atë taksë Tirana do të kishte kontejnerë nën tokë dhe një trajtim në landfillin e Sharrës në praktikë, me praktika europiane.
Rama: E artist, e artist (qesh). Po kush do t’i paguante ato Vebiu? O Lul, me Vebiun do t’i paguaje ato?
Basha: I ke aty të gjitha. Ti kishe bërë në plan këtë që bëre. Ti theve një marrëveshje me qeverinë gjermane prej 2 milionë eurosh të taksapaguesve gjermane, që kishte këshilluar se Shqipëria nuk ka nevojë për incineratorë.
Basha: Ajo është një memo.
Rama: Nuk është memo ajo. Ajo është raporti i grupit.
Basha: Mos gënje nuk është ai raporti i grupit. Ti tregoji shqiptarëve se pse kur as taksapaguesit e Tiranës dhe as ata shqiptarët nuk do paguanin asnjë lek dhe Tirana do kishte kontejnerët në tokë pse i vure shkelmin studimit të Bankës Botërore? Sot që po flasim i keni marrë 75 milionë euro shqiptarëve, për tre incineratorë, me një pronar që i ka regjistruar me kompani guaska jashtë shtetit, me një pronar me precedentë penalë, anëtarë të bandës së Lushnjës, këtë tregoju shqiptarëve ti.
Rama: Ik o Lul fli, shko fli shko. Fli vëlla o Lul.
Basha: Sot kjo shfaqje e shëmtuar konfirmon hajdutërinë, konfirmon gënjeshtrat nga fillimi deri në fund të të parit të qeverisë edhe për disa muaj dhe më e zeza e të zezave është që këto miliona euro sot i mungojmë shqiptarëve që kanë humbur vendin e punës, pensionistëve që u thotë ky vër maskën se do të vë gjobë.
Rama: Lul, fli vëlla. Fli gjumë të ëmbël, Fevzi na e hiq të lutem të flejë ai edhe ne të vazhdojmë bisedën. Ose po iki unë. Të flejë gjumë se nuk i bën mirë të rrijë zgjuar kaq vonë, nuk e di pse rri zgjuar kaq vonë se ai fle zakonisht. Fli Lul fli. O Fevzi mos na e banalizo tani se do iki fare. Mbylle mos na e banalizo dhe mos na bëj sherr kot këtu. Lul fli zemër, fli. Fli artist, fli gjumë.
Debati Rama-Mustafaj
“Super debati i Tiranës”, u cilësua atëkohë, viti 2000, kur gazetari Blendi Fevziu arriti të ulë përballë njëri-tjetrit në stilin amerikan të debatit dy kandidatët për kreun e bashkisë Tiranë, Besnik Mustafajn nga PD dhe Edi Ramën nga PS. Në vitin 2000 Rama ishte ministër i Kulturës dhe sapo ishte katapultuar në politikën e Tiranës nga jeta e artistit në Paris me ftesë të ish-kryeministrit Fatos Nano.
Në skenën e thjeshtë përballë simpatizantëve të dy partive secili nga kandidatët prezantoi përpara publikut 5 pikat e platformës elektorale dhe më pas u përfshinë dhe në një debat personal për moralin e tyre si figura publike. Rama pak nervoz në pamje të jashtme konsiderohej si një yll në ngjitje tek e majta e cila po tentonte të merrte bashkinë më të madhe në vend që drejtohet nga demokratet prej 8 vitesh. Përballë tij ishte Besnik Mustafaj, një politikan i ditëve të para të demokracisë dhe një shkrimtar i njohur.
Mustafaj këmbënguli në dy-tre pika të forta, te korrupsioni duke i kujtuar Ramës shpenzimet disamilionëshe për fasada si ministër Kulture dhe te mungesa e moralit politik të tij duke i kujtuar qëndrimet fyese dhe konfliktuale me votuesit, si me artistët, veteranët apo pensionistët. Madje Mustafaj i kujton dhe një thënie të tij kontroverse të jetës së Ramës si publicist siç ishte; “për një vizë greke shes trupin”.
Debati Rama-Mustafaj ka qenë i pari dhe i fundit i zhvilluar për garën e kryeqytetit. Që prej asaj kohe kandidatët për bashkinë më të madhe të vendit nuk kanë pranuar të dalin më në një ballafaqim publik. Në vitin 2003, Rama nuk pranoi të dilte në debat me Spartak Ngjelën, ndërkohë që edhe katër vjet më vonë në 2007 nuk u zhvillua asnjë debat mes Ramës dhe Sokol Olldashit. Rama po ashtu refuzoi debatin edhe në vitin 2011 me Lulzim Bashën, ndonëse u ftua nga forumi “Iniciativa për Tiranën”.
Pjesë nga debati:
Besnik Mustafaj: Unë kam një pyetje për konceptin që ka për elektoratin Zoti Rama duke patur parasysh se ç’ka shkruar e ç’ka thënë për shumë kategori të popullsisë të marra veç e veç që nga pensionistët, matogrudët, demokratët. Do doja të dija se kush është elektorati që ju besoni se do t’iu japë votën? Pyetja e dytë ka të bëjë përsëri me një shkrim të Zotit Rama i cili shkruan se për një vizë greke shet trupin. Ç’garanci jepni se keni ndryshuar mendim?
Besnik Mustafaj: Thelbi i saj ka të bëjë me moralin e funksionarit prandaj unë pyes. Mua më duket e rëndësishme që ti dhe unë dhe cilido që hyn në këtë garë të japi garancira. Unë doja të të ndihmoja me këtë pyetje.
Edi Rama: Faleminderit shumë për ndihmën që më jep, por në këtë rast i prish punë imazhit tënd. Kjo është një shpifje shumë e ulët dhe nga ana tjetër nëse ti do një përgjigje nga unë për moralin tim, unë të them që morali im është shumë i thjeshtë dhe ka katër shtylla: Mos vrit, mos vidh, mos gënje dhe mos shko me gruan e tjetrit. Dakord.
Edi Rama: Dhe unë Besnik, as nuk kam vrarë, as nuk kam gënjyer, as nuk kam vjedhur dhe s’kam bërë dhe atë tjetrën.
Nano-Berisha, përballja e elefantëve
Përballja mes Sali Berishës dhe Fatos Nanos në vitin 2002 në “Opinion” në Tv Klan është debati më i famshëm dhe më i ndjekur në vend, emision që u transmetua në atë kohë edhe në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi. Dy liderët politikë të asaj kohe “rrahën” mendimet ballë për ballë, nën moderimin e gazetarit Blendi Fevziu për të përfunduar në një shtrëngim duarsh që u cilësua historik.
Të dy vinin nga një politikë e gjatë konfliktuale në realitetin e ri politik postkomunist që kishte kulmuar me ngjarjet e vitit 1997. Po ashtu Nano ulej përballë një kundërshtari gjatë qeverisjes së të cilit ai ishte dënuar me burgim 4 vjet.
Ishte hera e parë që liderët politikë të dy partive kryesore të vendit ballafaqoheshin në një përballje televizive, në një kohë kur nuk kishte kaluar shumë nga viti i mbrapsht 1997.
Filozofitë dhe mendimet e ndryshme politike që i ndanin ishin të mëdha dhe 2 orët mes tyre treguan se dy kundërshtarët kishin gjëra që i bashkonin dhe i ndanin, por në fund arritën në një konsensus që do të shënonte një kapërcim të madh në jetën politike të vendit.
Nano, i cili kishte shumicën në atë kohë pranoi që presidenti i vendit të zgjidhej me konsensus me opozitën e drejtuar nga Berisha si një lloj kompensimi për parregullsitë e zgjedhjeve, për të cilat Berisha akuzonte se i ishin vjedhur mandate.
Momenti kulminant ishte diskutimi i burgut të Nanos kur Berisha u shfajësua për burgosjen e kundërshtarit të tij duke ia thënë Nanos në sy se dosjen ia kishin bërë të vetët.
“Unë i bëra të miat, uroj që të mos mbetesh në klasë, t’i bësh si duhet se ato janë vënë qartas për mua, për ju. Në rast se ke qenë në burg, dosjen ta kanë përgatitur të gjithë njerëzit e tu. Po i deshe emrat, t’i them këtu.
Dosjen e kanë përgatitur që të gjithë bashkëpunëtorët e tu dhe jam i bindur që e ke lexuar. Së dyti, dosjen e kanë rivizionuar ekspertë të mëdhenj gjyqësor të Europës. Së treti, 104 deputetë, përfshi ata që i ke sot në qeveri, kanë votuar për heqjen e imunitetit tënd. Së katërti, më 7 Mars të 1997 kërkuan lirimin e Zani Çaushit, por jo tëndin”, -i tha Berisha.