Behgjet Pacolli ka reaguar pas debatit të fortë në politikën dhe mediat e Kosovës, se ai ka mbërritur në Prishtinë ilegalisht, duke u strehuar në makinën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Përmes këshilltarit të tij, Naim Murseli, Pacolli ka bërë të ditur se ndodhet në Tiranë, në shtëpinë e tij.
Dje pati një furi mediatike, pasi u dyshua, se teksa Pacolli zbriti në Rinas me avionin privat, duke qënë se ministria e shëndetësisë, i kishte thënë se do të karantinohej si gjithë të tjerët po të zbriste në Prishtinë, ai mund të ishte futur në Kosovë me ndihmën e Presidentit Thaçi.
Thaçi, hyri në Shqipëri përmes pikës kufitare të Vërmicës, dhe u rikthye pas një ore, pa u kontrolluar.
Mediat dyshuan se pasagjeri i tij, mund të ishte Behgjet Pacolli. Ministri i Brendshëm në detyrë, u shpreh se nëse kjo ka ndodhur, të dy do të mbanin përgjegjësi, edhe Presidenti, edhe Pacolli.
Sot, biznesmeni dhe politikani i njohur, ka reaguar duke thënë se është në Tiranë.
Ndërkohë që Thaçi, ka bërë deklarata të ashpra, duke dënuar presionet e qeverisë ndaj tij.
Albin Kurti është shprehur se Thaçi nuk mund të bëjë lëvizje pa vënë në dijeni protokollin e shtetit, pasi duhet të japë shembullin si kreu i shtetit, për të gjithë qytetarët.