Kryesore

Debati mbi kampin e Tepelenës / Nevila Nika: Në Arkivin e Shtetit ka 200 radiograme ku flitet për spastrimin e veriut të Shqipërisë





Na ndiqni në Facebook
               Publikuar në : 21:28 - 03/04/18 |
mapo.al

Gjatë bashkëbisedimit në Forumet UET mbi  kampin e përqendrimit të Tepelenës, ku i ftuar ishte Agron Tufa, drejtor i  Institutit  të Studimeve mbi Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, ish-drejtoresha e Arkivit Qendror të Shtetit, Nevila Nika foli mbi specifikën e kampit të Tepelenës dhe pse nuk mund të barazohej me atë të Burrelit apo Spaçit dhe zbuloi se në Arkiv ka rreth 200 radiograme ku flitet hapur për spastrim të veriut të Shqipërisë.


“Të deportuarit në kampin e Tepelenës –  fillimisht në Berat –  nuk kanë ngjashmëri me burgun  Spaçin e të Burrelit, ai i Burrelit është ndërtuar në kohën e mbretit Zog edhe sot kam përshtypjen se  është i tillë. Ishin burgje që shkonin ata që dënoheshin me një vendim gjyqi, të padrejtë, të drejtë, pak rëndësi. Anti-enveristë ishin pjesa e parë. Komunistët nuk ishin anti-enveristë,  ishin etiketuar të tillë si kundërshtarë të liderit por nuk kishte lidhje që ishin kundra tij.  Kampi i Tepelenës është një kamp ku dërgohen familjet nga veriu i Shqipërisë. Në arkiv janë rreth  200 radiograme ku flitet  hapur për spastrimin e veriut të Shqipërisë nga armiqtë. Po t’i lexojnë të rinjtë sot,  gjëja e parë që  do të mendoje është  se atje ka ende të huaj.



Kur sheh se radiogrami thotë: “ Ekzekutohet se i është gjetur një plumb dhe e  gjithë familja t’i largohet nga fshati e kulla t’i digjet”,  kupton se nuk ka të bëjë me dënim, me  faje apo të qenë fajtorë.  Përn jë plumb janë pushkatuar dhe jo pak.”- tha Nika, duke shtuar se në dokumente janë edhe emrat dhe firmat e atyre që kanë dhënë urdhrat, duke shtuar se mund t’u bëhet edhe gjyq, edhe pse nuk jetojnë më. “Janë pafundësisht familje që nuk gjejnë varret e të afërmve. Gjëra që nuk kanë ndodhur në vend të tjera. Pas ekzekutimit familjeve u është dhënë trupi për ta varrosur. Në Shqipëri,  asnjërit nuk i është dhënë kufoma. Ky është rast unik.” shtoi Nika në historinë e vendeve ish-komuniste. Ajo tha se ka shumë dimensione studimi periudha e komunizmit.


“Në përvojën time gati  4 dekada në Arkivin Qendror të shtetit kam konstatuar një fakt të hidhur;  deri në  ‘90 e kam kuptuar pse nuk vinin njerëzit. Ne lexonim me detyrim, sepse këtë detyrë kishim, flisja vetëm me familjen time. Kisha njohuri nga familja, por kur kam lexuar aty kam ndjerë një dhimbje të jashtëzakonshme. Kam takuar një grua të mbijetuar nga kampi i Tepelenës  në vitin 1991, ia thashë edhe Pëllumbit. Ajo kishte ikur nga Tirana nuse e re,  në janar  të ‘45 dhe rikthehej në 1991. Një vuajtje e pafund, Mandela nuk është asgjë. Kur ajo rrëfente se hanim krimba, dhe ishim të lumtur kur gjenim krimba në kërcunjtë e përroit , kur mblidhnin dru kot, pa asnjë nevojë. Kemi dëshmi nga kampi i Tepelenës.”

Nika tha se një prej fatkeqësive është se në Shqipëri nuk ka dëshmi fotografike apo filmike e audio. “Imazhi filmik, fotografik dhe audio janë një mrekulli krahasuar me një dokument. Nuk përfytyron dot sesi ajo grua ku iu pushkatua burri me bombën në Ambasadën Sovjetike,  lindi në shkallët e maternitetit sepse nuk e linin të hynte brenda. Shqiptari kundër shqiptarit.”  Nika tha se duhet folur  më shumë në shkolla rreth kësaj periudhe.


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas