Aktualitet

Debati – Pse po merremi kaq shumë me problemin afgan?














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 07:20 - 20/08/21 |
mapo.al

Media dhe opinioni publik janë përqendruar kryesisht te problemi i refugjatëve, ndërkohë që në vend problemet janë jo të pakta! Konviktet studentore po lirohen për të ikurit e luftës, vëmendja e administratës po përqendrohet më së shumti atje, ndërkohë që shifrat e të prekurve nga COVID po rriten ndjeshëm dhe pandemia nuk paralajmëron asgjë të mirë. Nuk janë mbyllur ende plagët e tërmetit të vitit 2019 dhe në këto kushte krizat botërore duken një luks i tepruar për shqiptarët. Ndërkohë mediet bëjnë me dije se dhoma e kongresit pritet të ngrejë dy komisione hetimore për të analizuar punën e administratës dhe shërbimeve sekrete të administratave Bush e Obama në Afganistan!






Prej së dielës, kur u njoftua rënia e kryeqytetit Kabul në Afganistan dhe nisi diskutimi për refugjatët, Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, është përfshirë në një debat të ethshëm mes ndjekësve të tij në Facebook dhe median kryesisht, në lidhje me mënyrën se si Shqipëria u ofrua për të qenë vend pritës i tyre. Prej pesë ditësh duket se shqiptarët dhe vetë kryeministri i ka zgjidhur të gjitha problemet dhe hallet që ka vendi, dhe është fokusuar vetëm tek ardhja apo mosardhja e refugjatëve afganë. Natyrisht, me nuhatjen e tij ai ka kuptuar se prozhektorët e medies jo vetëm vendase por edhe asaj ndërkombëtare do të fokusoheshin te kjo histori, dhe do liheshin mënjanë problemet e përditshme, dhe të gjitha fenomenet negative që e kanë shoqëruar qeverisjen e tij në këto tetë vite, apo dhe për atë se çfarë do të bëjë në tetë vitet e ardhshme.


Problemet
Ditën e djeshme kryeministri do jepte një intervistë për BBC ndërkohë që në Kukës dhe Mirditë vijojnë që flakët t’iu afrohen fshatrave. Raportimet nga terreni shprehen se situata e zjarreve në vend mbetet problematike, dhe vijojnë të jenë aktive vatrat në Majën e Rrunës, flakët po i afrohen Fshatit Shëmri. E njëjta situatë dhe në Mirditë, ku flakët në fshatin Thirrë rrezikojnë t’i afrohen tunelit. Për fikjen e tyre është angazhuar vetëm helikopteri hollandez, pasi qeveria shqiptare nuk ka kapacitete për të përballuar këtë situatë. E njëjta gjë po ndodh dhe në parkun ahor të Shrebenikut në Rrajcë, i cili ka hyrë në zonën e trashëgimisë botërore të UNESCO prej katër vjetësh. Edhe aty vijojnë të mbetet aktive vatrat e zjarrit, dhe zjarrfikësit i tremben erës së fortë që mund të djegë të gjithë parkun.







Në facebookun apo twitterin e kryeministrit nuk ka asgjë për këto, sikur mos ekzistonin. Dhe jo vetëm kaq, por Shqipëria rrezikon një valë tjetër COVID-19 por aq të rëndë sa kaluam në periudhën dhjetor 2020-mars 2021, për shkak të përhapjes së variantit të ri Delta të coronavirusit. Vetëm ditën e djeshme kishim katër viktima dhe 522 raste të reja të prekur. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti prezantoi masat e reja në lidhje me këtë çështje. Vetëm kryeministri ynë vazhdon t’i mëshojë fort çështjes së afganëve dhe sa herë që debati tenton të mbyllet ai sërish kërkon ta hapë. Një kronikë e djeshme e Top-Channel fliste për një familje në Shullaz të Krujës e cila prej nëntorit 2019 vijon të flejë në çadër dhe deri më tani nuk është bërë asgjë për të, dhe me sa duket me përkushtimin e kryeministrit për krizën botërore të Afganistanit sërish do vijohet të mos bëhet asgjë. Konviktet e studentëve po lirohen për refugjatët, por jo për të prekurit nga tërmeti.




Parashikimi
Por kryeministri shqiptar shkon dhe më tej. Në një kohë kur vetë shërbimet sekrete të SHBA dhe Evropës, po hetojnë në lidhje me dështimin e tyre për situatën e krijuar dhe vërshimin e refugjatëve pas rënies së qeverisë afgane, kryeministri shqiptar në një status të datës 15 gusht shkruan se këtë situatë e ka parashikuar në samitin e NATO-s, i cili u mbajt më 14 qershor. “Thashë në samit se pas tërheqjes së ushtrive të saj, bashkësia e qytetërimit demokratik të NATO-s nuk mund t’i lerë në mëshirën e barbarëve triumfatorë, njerëzit e ekspozuar si mbështetës të afërt të misioneve paqeruajtëse atje.



Dhe nënvizova me gojën plot, se Shqipëria ishte e gatshme të merrte pjesën e saj të barrës, të cilën të gjitha vendet e NATO-s duhet ta ndajnë mes tyre”. Duket paksa e pamundur, pasi për këtë çështje ishte angazhuar prej kohësh administrata e ish-Presidentit Donald Trump, e cila u angazhua në bisedimet e paqes mes Talebanëve dhe qeverisë Afgane, në lidhje me atë që do të ndodhte pas tërheqjes së trupave nga Afganistani. Presidenti aktual Biden, u bazua pikërisht në këtë marrëveshje kur urdhëroi tërheqjen e trupave, dhe asnjë prej 29 vendeve antare të NATO nuk e kish parashikuar atë çka do ndodhte. Në kongresin amerikan pritet të ngrihen dy komisione hetimore të cilat do analizojnë punën e administratave të presidentëve paraardhës, Bush, Obama, Trump si dhe paaftësinë e shërbimeve sekrete për të parashikuar situatën.

Përfundimi
Por e thamë që në krye të herës. E gjitha kjo që po ndodh nuk është gjë tjetër vetëm se tërheqje e vëmendjes nga problemet e mëdha që ka vendi. Nga menaxhimi skandaloz i situatës së zjarreve, nga COVID-19, nga llogaridhënia për korrupsionin. Me çështjen e afganëve kryeministri luan në fushë të tij dhe me atë rast një rrugë e dy punë. Tollovit mendjet e shqiptarëve me refugjatë afganë që mos kërkojnë ujë, shtëpi, shërbim mjekësor, arsim cilësor etj., dhe shfaqet si lider botëror që është faktor kyç në zgjidhjen e krizave, ndërkohë që pastrimi i parave, ekonomia kriminale dhe droga janë ulur këmbëkryq nën qeverisjen e tij.

1


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas