Aktualitet

DËBIMI I DIPLOMATËVE/ Irani me tone më të zbutura, por “kërcënon” sërish Tiranën





Na ndiqni në Facebook
               Publikuar në : 11:31 - 21/01/20 |
mapo.al

Në të dy deklaratat e Iranit për Shqipërinë, përmendet vendi i tretë në emër të të cilit po komploton Shqipëria, që është SHBA. Duke u shprehur dje, se Tirana paska zgjedhur rrugën e gabuar, në fakt Teherani, ka konfirmuar një prej vendimeve më të mira që ka marrë vendi ynë, në raport me aleancën strategjike dhe orientimin në atë pjesë të botës demokratike e perendimore, ku ne aspirojmë të integrohemi.


Republika Islamike e Iranit ka përmendur dje drejtpërdrejt Shqipërinë, në reagimin e saj, pas dëbimit nga Tirana, në mesin e javës së shkuar të dy diplomatëve. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, ka përdorur tone më të buta se sa ato të liderit Suprem, Khamenei, pas vrasjes së gjeneralit Soleimani. Por, kësaj radhe, është përmendur emri i Shqipërisë. “Shqipëria ka bërë shumë gabime dhe ne ndjejmë se disa evente në vendin tonë kanë krijuar disa keqkuptime. Në sugjerojmë që ata mos t’i lidhin mardhëniet tona të mira me një vend të tretë. Shqipëria duhet të kthehet në rrugën e duhur dhe ajo në të cilën është tani nuk është e duhura”, është shprehur sot përmes një deklaratë në rrjetin social, zëdhënësi i diplomacisë iraniane. Pak ditë më parë, pa e përmendur me emër Shqipërinë, lideri suprem, Khamenei përdori tone shumë më të ashpra, qartazi për vendin tonë. “Në çështjen e sigurisë, përpara ngjarjeve të muajit të kaluar në një vend të vogël dhe djallëzor evropian, një element i Amerikës me disa iranianë mercenarë dhe tradhtarë që kanë shitur atdheun e tyre, ka bërë programe kundër Iranit”, deklaroi Ajatollah Khamenei në një fjalim drejtuar popullit të tij.



Dëbimi i dy diplomatëve


Me 15 janar, disa forca të anti-terrorit përcollën për në Rinas e në këtë sipër i dëbuan nga vendi, dy diplomat iranianë. Të identifikuar nga autoritetet si Mohammad Ali Arz Peimanemati and Seyed Ahmad Hosseini Alast, ata u dëbuan “për shkak të zhvillimit të veprimtarisë në mospërputhje me statusin e tyre dhe parimet e Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike”, shkroi në faqen zyrtare në Facebook, ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj. Por, rreth një vit më parë, në dhjetor 2018, po ashtu, u dëbuan ambasadori i Iranit dhe një diplomat tjetër për “dëmtimin e sigurisë kombëtare”. Në atë kohë, këtë vendim e përshëndeti edhe Presidenti Trump. Po ashtu, aktin e fundit të dëbimit të dy diplomatëve, e vlerësoi Departamenti Amerikan i Shtetit. “Ne përgëzojmë veprimin e qeverisë së Shqipërisë për të dëbuar dy të ashtuquajturit diplomatë të Iranit. Regjimi iranian vazhdon të përdorë objektet e tij diplomatike në Europë dhe vende të tjera si mbulesë për të komplotuar sulme terroriste, kërcënuar dhe spiunuar iranianët që jetojnë jashtë Iranit”, theksoi zëdhënësja e DASH, Morgan Ortagus. Shqipëria e ka gjetur veten në këtë rreth tensioni mes Iranit dhe SHBA, jo për shkak të pozicionit gjeografik, apo ndonjë rrethane tjetër, por për faktin se ne kemi strehuar mbi 3 mijë anëtarë të MEK, sic njihen. Të quajtur Muxhahedinë, ata konsiderohen nga Teherani si armiq të republikës së tyre dhe tradhëtarë. Irani i ka dënuar ata me vdekje, dhe bën cdo përpjekje për ti gjetur. Ndërkohë ky grupim ka gjetur mbështetjen e SHBA, dhe për shkak të raporteve të shkëlqyera që ka vendi ynë me aleatin strategjik, Tirana zyrtare ka pranuar prej vitesh ti strehojë ata. Pas kërcënimeve të para të Khameneit, kryeministri Rama reagoi, duke thënë se Shqipëria nuk rrezikon, pasi ne jemi anëtarë të NATO dhe kemi mbështetjen e SHBA. Ai shtoi se strehimi I muxhahedinëve I bën nder vendit tonë, dhe shprehur kënaqësinë që ky akt ka gëzuar konsunsisn e plotë politik në vend, të të gjithë forcave politike.

Komplotet ndaj muxhahedinëve

3 muaj më parë, në tetor, Policia e Shtetit deklaroi në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat, se kishte shkatërruar disa sulme të planifikuara terroriste të qeverisë iraniane kundër grupit të muxhahedinëve disidentë iranianë të strehuar në Shqipëri. Këta janëanëtarë të Organizatës Popullore të Muxhahedinëve të Iranit, të njohur me inicialet MEK (Mojahedin-e-Khalq), opozita politike e regjimit klerik të Iranit. Shqipëria, ka strehuar në 6 vitet e fundit rreth 3 mijë anëtarë të kësaj organizate. Zhvendosja e tyre në Shqipëri, nga bazat amerikane në Irak, ku u rrezikohej jeta nga sulmet me raketa të qeverisë iraniane, është bërë në bazë të një marrëveshjeje mes qeverisë amerikane dhe asaj shqiptare, të nënshkruar në vitin 2013, me bazë motive humanitare. Muxhahedinët jetojnë në një kamp të ruajtur mirë, pranë Durrësit. Ata bëjnë një jetë mjaft të didiplinuar dhe të kontrolluar. Qeveria u ofron të gjitha shërbimet e nevojshme. E kanë rreptësisht të ndaluar largimin nga kampi. Ata e dinë mirë se janë të rrezikuar kudo në botë ku ndodhen prej regjimit të Iranit. Për këtë arsye, kohët e fundit, masat policore rreth këtij kampi janë shtuar ndjeshëm.

Sa rrezikon Shqipëria?

Në një intervistë për Dojce Welle, Redion Qiriazi, ekspert për ҫështjet e sigurisë kombëtare, shprehet se dëbimi i dy diplomatëve iranianë mund të pasohet me një situatë të rënduar të sigurisë kombëtare. “Ka një kërcënim gjithmonë e më të prekshëm nga regjimi i Iranit. Kërcënimi me i mundshëm eshte ai i sulmeve te izoluara kibernetike apo terroriste, ku Irani ka kapacitete të konsoliduara dhe të testuara. Këto sulme mund te ndërmerren në territorin shqiptar, por edhe në vendet ku Shqipëria ka trupa me misione ushtarake, në veçanti në Lindjen e Mesme apo Azinë Qendrore”. Ndërkohë, pas zhvillimeve të fundit, Ministria jonë e Jashtme, zyrtarisht u ka bërë thirrje shtetasve shqiptarë që të shmangin udhëtimet apo qendrimet në zonat e konfliktit apo të Lindjes së Mesme. Kryeministri Rama e sheh strehimin e muxhahedinëve si “një risk që i bën nder Shqipërisë, që është në vazhdën e traditës shqiptare” duke lënë të kuptohet strehimin e hebrenjve në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku asnjë prej tyre nuk iu dorëzua nazistëve. Ai ka pranuar që Shqipëria i ka strehuar disidentët iranianë “në funksion të aleancës strategjike dhe të padiskutueshme me SHBA”. Në të dy deklaratat e Iranit për Shqipërinë, përmendet vendi i tretë në emër të të cilit po komploton Shqipëria, që është SHBA. Duke u shprehur dje, se Tirana paska zgjedhur rrugën e gabuar, në fakt Teherani, ka konfirmuar një prej vendimeve më të mira që ka marrë vendi ynë, në raport me aleancën strategjike. Mund të ketë rrisk dhe kosto, por ama, ky pozicionim i Shqipërisë, e vendos vendin tonë, haptazi në pjesën e botës demokratike e perendimore, ku ne aspirojmë të integrohemi.

Mapo.al


Etiketa: ,

Pas