Forcat e NATO-s të cilët ndodhen në Shqipëri në kuadër të stërvitjes së armatosur “Defeder Europe 21”, kanë zbarkuar këtë të diel në Sheshin “Nënë Tereza”. Në kuadër të këtij zhvillimi u mbajt një ceremoni, ku të pranishëm ishin kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Republikës Ilir Meta dhe Ambasadorja e SHBA-ve, Yuri Kim.
Gjatë fjalë së saj, Ambasadorja Yuri Kim, u shpreh krenare që SHBA-të kanë një partner strategjik si Shqipëria dhe vlerësoi se partneriteti mes dy shteteve, do të jetë i përhershëm.
“Është një moment historik për aleancën e NATO-s. Defender 21 ka qenë me sukses, javët e fundit ushtarët nga Shqipëria, Bullgaria, Hungaria, Kosova, Mali i Zi, Holanda, Rumania dhe Britania e Madhe, SHBA janë stërvitur së bashku për të forcuar strategjinë tonë, në mënyrë që aleatët e NATO-s dhe partnerët të kryejnë çdo sukses përtej detit dhe në ajër. Gatishmëria jonë garanton ruajtjen e paqes dhe mbajtjen e kombeve tona të sigurta”, u shpreh Kim.
Ndërsa kryeministri Rama ghaë fjalës së tij përshëndetëse iu shprehu mirënjohjen të gjithë ushtarakëve të përfshirë në këtë stërvitjes dhe të gjithë ata nën uniformë. Nuk mungoi një falënderim i veçantë dhe për ambasadoren e SHBA Yuri Kim.
“Sot dua t’i falënderoj me mirënjohje të gjithë ushtarakët e përfshirë në këtë stërvitje kaq domethënëse nga SHBA-të dhe nga të gjitha vendet e tjera si dhe dua t’i bëj një falënderim të posaçëm përfaqësueses së qeverisë së SHBA-ve në Shqipëri, ambasadores Yuri Kim e cila me përkushtimin e saj mbresëlënës i ka dhënë një cilësi të re marrëdhënieve mes dy shteteve duke u përfshirë në vetë të parë në mbështetjen e kërkesave dhe të nevojave të vendit tonë qoftë në forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes, qoftë të kapaciteteve tona të drejtësisë”, u shpreh Rama.
Ndërsa presidenti Meta tha se Shqipëria ka treguar në këtë stërvitje profesionalizëm, si dhe ka shpalosur virtytet tradicionale që mbart, siç janë, besnikëria dhe mikpritja.
“Kjo stërvitje është tepër e rëndësishme për vendin tonë. Shkëmbimi i eksperiencës nga Forcat tona të Armatosura dhe trupave Amerikane do i shërbejë rritjes së aftësive të trupave tona. Ne kemi shpalosur mikpritjen dhe besnikërinë tonë tradicionale.
Kjo stërvitje do të vijojë të jetë e suksesshme. Shpreh falënderimet për kontributin e SHBA-ve dhe vendeve të tjera aleate, që zgjodhën vendin tonë si vendi pritës. Si vend anëtarë i NATO-s jemi krenarë” u shpreh Meta.
Kujtojmë se edhe ditën e pritjes, në portin e Durrësit, dy krerët e shtetit u bënë bashkë me ambasadoren e SHBA-ve për të nderuar stërvitjen.