Ndryshe nga ambasada amerikane, OSBE dhe Delegacioni i BE, ambasada gjermane në Tiranë ka lëshuar një deklaratë më të butë për djegien e mandateve nga ana e opozitës. Në deklaratën e ambasadores Schütz u bëhet thirrje gjithë forcave politike të përfshihen në dialog konstruktiv. Në fund bëhet thirrje të mos përshkallëzohet dhuna dhe në këtë pikë ambasadorja ndan të njëjtin qendrim me Presidentin Meta.
Deklarata e plotë e ambasadës gjermane
Unë po i ndjek me shqetësim të madh zhvillimet aktuale. Jam e bindur se bojkoti i parlamentit apo dorëzimi i mandateve janë një rrugë e gabuar. Gjithsesi çdo deputet e merr këtë vendim në mënyrë individuale dhe mban përgjegjësi për këtë para së gjithash përpara zgjedhësve të vet. Por në interes të Shqipërisë unë u bëj thirrje të gjitha forcave politike që ndryshimet në opinione t’i përballin në formën e një dialogu konstruktiv në parlament. Duke mbajtur në vëmendje vendimmarrjen e BE-së për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë duhet thënë, se nuk ka kohë për të humbur, në mënyrë që reformat të vijojnë dhe të arrihen rezultate konkrete.
Dhuna, sikurse e pamë të shtunën e kaluar, është e papranueshme. Në këtë kontekst u bëj thirrje të gjithë pjesëmarrësve të japin kontributin e tyre, që protestat e ardhshme të zhvillohen në mënyrë paqësore. Edhe ata që organizojnë protestën mbajnë përgjegjësi, që situata të mos përshkallëzohet. Në këtë pikë ndaj të njëjtin qëndrim me Presidentin Meta në deklaratat pas bisedës së tij me Presidentin Federal gjerman Steinmeier.
Bashkelidhur: Qendrimi i Metës
Meta flet për Deutsche Welle: Opozita të bëjë një hap pas, mazhoranca të bëjë dy