“Janë dy popuj dhe dy shtete të ndara në Qipro. Duhen bisedime për një zgjidhje që të ketë në thelb dy shtete”.
Është kjo deklarata e presidentit turk Erdogan, i cili ndodhej në Qipron e Veriut për 37 vjetorin e Republikës së vetëshpallur turke, e cila njihet vetëm nga Ankaraja.
Me këtë fjali, Erdogan i jep goditjen përfundimtare shpresës për rigillimin e bisedimeve për ribashkimin në kuptimin federal të ishullit, të ndarë në dy pjesë që nga viti 1974.
Me anë të një pikniku në plazhin e ndaluar të Varosha, i hapur në mënyrë të njëanshme nga turqit pas 46 vitesh, presidenti turk krijon krisjen e rradhës në Mesdheun lindor, që u komentua nga Nikozia si një provokim i paprecedentë.
Por Erdogan këmbëngul se viktimat e vetme janë turko – qipriotët, të drejtat dhe ekzistenca e të cilëve janë injoruar prej vitesh. Qëndrimi i tij u shoqërua dhe nga disa avionë që vizatonin në qiell një flamur gjigant turk.
Pranë tij ishte nacionalisti Ersin Tatar, i cili fitoi zgjedhjet muajin e kaluar në këtë pjesë të Qipros, duke marrë një mbështetje të madhe ekonomike dhe diplomatike, në fund të një fushate që kishte si simbol marrjen në kontroll të Varoshës, Marash në turqisht.
I mbetur i braktisur pas arratisjes së greko – qipriotëve dhe e ruajtuar prej dekadash nga ushtarë të Ankarasë, të cilët aktualisht në ishull janë më shumë se 30 mijë, Saint Tropez e Qipros, u hap pjesërisht për publikun, pikërisht në prag të zgjedhjeve të muajit tetor, në të cilat Tatar fitoi ndaj të moderuarit Mustafa Akici, i cili mbështeste ribashkimin
Erdogan premtoi se vendi nuk do të jetë më simboli i zgjidhjes së munguar të problemeve, vetëm dy hapa larg linjës së gjelbër të vendosur nga OKB, dhe theksoi se do të nisë një periudhë e re.
Reagimet nga pala greke ishin shumë të ashpra. Sipas Athinës kjo ishte një shkelje e drejtpërdrejtë e rezolutave të Kombeve të Bashkuara.
Ndërsa për presidentin qipriot Nikos Anastasiades vizita synonte sabotimin e rifillimit të mundshëm të negociatave për paqe, të bllokuara pas dështimit të fundit në vitin 2017 në alpet zvicerjane.
Që atëherë rruga drejt ribashkimit u bë gjithnjë e më e vështirë sidomos pas shpërthimit të pretendimeve për burimet energjitike në rajon.
Por presidenti turk nuk heq dorë dhe e thotë qartë se do të vazhdojnë kërkimet sizime dhe aktivitetet e shpimit në Mesdheun lindor deri sa të arrihet një marrëveshje e barabartë. Dhe pavarësisht protestave të disa banorëve për ndërhyrje nga ana e Ankarasë, ai paralajmëroise atdheu do të jetë gjithnjë pranë turqve të Qipros. /abcnews.al