Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ishte i ftuari i nderit në Forumet UET. Nën moderimin e përgjegjëses së Departamentit të Shkencave Humane dhe Komunikimit, prof. asoc. dr. Belina Budini, ai bëri disa komente të forta në lidhje me çështje të aktualitetit politik në Kosovë.
Ai i mëshoi fort idesë se teza e shkëmbimit të kufijve është përhapur qëllimisht në këto momente.
“Një shumë e caktuar parash është derdhur që të bindin njerëzit në Kosovë dhe Shqipëri për këtë tezë,” tha Haradinaj.
Kryeministri kosovar ishte i rreptë kur tha se nuk mund të diskutohet me Kosovën për kufijtë, pasi kjo çështje është mbyllur që pas luftës, kur është vendosur standardi që Serbia nuk afrohet më shumë se 25 kilometra me Kosovën.
“Nëse hapim këtë zonë për diskutim, jo vetëm që kthehemi pas, por kthehemi edhe para vitit 1999”, tha Haradinaj. “Kosovës nuk mund t’i kërkosh zgjidhje që të kënaqë Serbinë,” përsëriti disa herë Haradinaj.
Sipas tij, Serbia ka punuar vazhdimisht që në Kosovë të nisë një diskutim mes politikës për çështje kufijsh. “Pse duhet ta kënaqim Serbinë,” insistoi Haradinaj.
“Të tilla eksperimente do kenë pasoja për brezat,” theksoi ai.