Opozita e Bashkuar i ka konsideruar si provokim ndryshimet kushtetuese, të cilat hedhin në erë marrëveshjen e 5 qershorit. Veprimet e Ramës ajo i cilëson si sjellje tipike prej autokrati që ka frikë nga zgjedhjet e lira e të ndershme. Ndërkohë në komisionin e ligjeve, vazhdojnë të diskutohen ndryshimet kushtetuese. Opozita parlamentare ndryshon mendje, kërkon prag zgjedhor 2%
Ndryshimet kushtetuese për sistemin zgjedhor, të propozuara nga opozita parlamentare dhe të pranuara nga mazhoranca, janë dënuar dje në një deklaratë të përbashkët të opozitës së bashkuar.
Me anë të një deklarate të përbashkët, partitë e bllokut opozitar e konsiderojnë këtë si akt të paprecedentë që hedh në erë marrëveshjen e 5 qershorit, dhe dëmton seriozisht shanset për nisjen e negociatave.
“Opozita e Bashkuar dënon me forcë tentativën e Edi Ramës për prishjen e Marrëveshjes së 5 Qershorit për Reformën Zgjedhore. Ky akt i paprecedentë prish konsensusin e arritur me ndërmjetësimin dhe mbështetjen e partnerëve tanë strategjikë SHBA dhe BE, vë në rrezik stabilitetin e vendit, si dhe dëmton seriozisht shanset e Shqipërisë për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian”, thuhet në deklaratë.
Sipas Opozitës së Bashkuar, ky veprim diabolik po kryhet në kohë pandemie, vetëm për interesat dhe pushtetin personal të Edi Ramës, veprim që synon të nxisë konfliktin politik në prag të zgjedhjeve të ardhshme.
“Kurrë më parë nuk ka ndodhur që të ndryshohet Kushtetuta e Shqipërisë dhe rregullat e lojës së një gare elektorale në mënyrë të njëanshme dhe pa konsensus mes palëve pjesëmarrëse në zgjedhje. Ky provokim i ulët dhe sjellje tipike prej autokrati që ka frikë nga zgjedhjet e lira e të ndershme, synon të nxisë konflikt politik në vend në prag të zgjedhjeve të ardhshme, që janë kyçe për demokracinë dhe ecurinë e Shqipërisë në rrugën e saj europiane”, thuhet në deklarata duke shtuar se për këtë veprim është njoftuar Presidenti i Republikës, si dhe institucionet ndërkombëtare.
“Opozita e Bashkuar ka informuar zyrtarisht gjatë ditës së sotme Presidentin e Republikës dhe partnerët tanë strategjikë për këtë akt të paprecedentë që acaron më tej klimën politike në vend dhe e fut Shqipërinë në një kurs zhvillimesh të paparashikueshme. Opozita e Bashkuar ka qenë dhe mbetet plotësisht e angazhuar në përmbushjen e thirrjes së Sekretarit Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Europian, Joseph Borrel dhe Komisionerit për Zgjerimin, Oliver Varhelyi për kodifikimin pa ndryshime të marrëveshjes së 5 Qershorit, sa më shpejt në Parlament”, thuhet në deklaratë.
Komisioni
Ndërkohë dje në komisionin e ligjeve dhe Këshillin e Legjislacionit, opozita parlamentare është treguar e paqartë për sa u përket kërkesave të saj, kur ka kërkuar një ndryshim tjetër nga propozimet e mëparshme. Këtë herë ka të bëjë me pragun elektoral të partive në zgjedhje, për të përfituar mandate.
Në kërkesën e mëparshme ishin pikërisht deputetët e kësaj opozite që kishin kërkuar ngritjen e pragut nga 3% që është aktualisht në 5%. Por me sa duket, pesë përqindëshi është tepër i vështirë për t’u kaluar nga një parti e vogël dhe akoma më shumë për deputetët e opozitës parlamentare që i morën karriget në kuvend pas lënies të mandateve.
Në këto kushte, kanë qenë pikërisht “propozuesit” që kanë ndryshuar mendje, të cilin mazhoranca duket se e ka pranuar pa hezitim. Ky ndryshim vjen në një moment kur përflitet se deputetët e opozitës së bashkuar kanë ndërmend të krijojnë një parti për të konkurruar në zgjedhjet e ardhshme. Me pragun 2% një partie të vogël në rang kombëtar i duhet të marrë diku te 32 mijë vota, bazuar në zgjedhjet e 2017-s, për të arritur të marrë dy apo tri mandate në kuvend. Paksa e vështirë po të kesh parasysh mënyrën se si ata janë involvuar në politikë.
Ndryshimet
Ndryshimet në Kushtetutë, për ndryshimin e sistemit vijojnë në një moment kur të gjithë prisnin votimin e marrëveshjes së 5 qershorit nga ana e Ramës, për reformën zgjedhore. Në prillin e vitit të kaluar, Rama do shprehej se nëse miratimi i Reformës Zgjedhore do të ishte kusht për hapjen e negociatave të BE atëherë ai i kishte votat për ta miratuar atë.
Por sot me sa duket ka ndryshuar qëndrim, duke përdoru një artificë të opozitës parlamentare e cila menjëherë pas marrëveshjes propozoi ndryshim të sistemit, nga proporcional rajonal me lista të mbyllura, në lista të hapura.
Kjo mund të kuptohet deri diku me mbijetesën e tyre për të qëndruar në politikë, pasi shpresojnë që ky sistem t’i favorizojë, por nuk kuptohet kërkesa e tyre për ndalimin e koalicioneve.
Ndryshimet do të kërkonin ndërhyrje në shumë nene të Kodit Zgjedhor, ndërkohë që nga ana e ndërkombëtarëve është kërkuar që kodi të preket vetëm në nenet që parashikon marrëveshja.