Pedagogët e Universitetit të Tiranës, në Asamblenë e mbajtur sot, kërkuan njëzëri shfuqizim të ligjit të arsimit të lartë dhe të të gjitha vendimeve të Këshillit të Ministrave. Deklarata të forta u bënë në drejtim të qeverisë dhe politikanëve që të mos ushtrojnë presion ndaj pedagogëve.
Ndërkohë, janë miratuar pikat e një dokumenti që do t’i paraqitet qeverisë. Pika e para dhe më kryesorja duket se është shfuqizimi i plotë i ligjit të arsimit të lartë.
Pikë tjetër është shfuqizimi i të gjitha VKM-ve të dhjetorit dhe urdhrave të nxjerra nga Ministria e Arsimit. Rikonfirmim të mbështetjes ndaj studentëve dhe dënimi i çdo presioni ndaj tyre. Po ashtu kërkohet ndalimi i denigrimit të figurës së pedagogut dhe lënia e një jave kohë për qeverinë që të shfuqizojë të gjitha aktet e dhjetorit.
Pedagogët thanë më tej se nëse kërkesat e tyre nuk do të plotësohen deri në 1 shkurt, atëherë do të fillojë greva pa afat.
(Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Fakulteti i Shkencave Sociale, Fakulteti i Drejtësisë, Fakulteti i Ekonomisë dhe Fakulteti i Gjuhëve të Huaja)
Deklaratë
Drejtuar Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama, dhe ministres së Arsimit, të Sportit dhe të Rinisë, znj. Besa Shahini
Duke njohur dhe duke vlerësuar rëndësinë dhe seriozitetin e situatës aktuale në Arsimin e Lartë, dhe më specifikisht në Universitetin e Tiranës,
Me përgjegjësinë më të lartë për të ofruar mësimdhënie dhe kërkim shkencor të nivelit më të mirë për studentët tanë,
Me detyrën për të ruajtuar dhe për të forcuar rolin e universitetit publik në Shqipëri,
Nxjerrim këtë deklaratë:
- Rinkonfirmojmë mbështetjen e studentëve për kërkesat e tyre.
- Shprehemi kundër Ligjit “Për arsimin e Lartë” 80/2015, si dhe kërkojmë shprehjen e vullnetit të qeverisë për fillimin e procesit legjislativ për hartimin e një ligji të ri për Arsimin e Lartë, në bashkëpunim me studentë, pedagogë dhe aktorë të tjerë të rëndësishëm, në një proces konsultimi të hapur dhe gjithëpërfshirës.
- Kërkojmë shfuqizimin e menjëhershëm të VKM-ve të datës 26 dhjetor 2018: Nr.777, Nr.781, Nr. 783, si dhe urdhrat po të datës 26 dhjetor: Nr.183: Nr.184: Nr.185, të cilat bien në kundërshtim me autonominë universitare dhe lirinë akademike.
- Kërkojmë rritjen e buxhetit për arsimin e lartë publik, si dhe
- Ndalimin e menjëhershëm të fushatës denigruese ndaj pedagogëve dhe miratimin e statusit të pedagogut.
Presim përgjigje dhe masa konkrete brenda datës 1 shkurt 2019 për pikat e mësipërme. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë do t’i drejtohemi të gjithë trupës akademike të universiteteve publike në nivel kombëtar, për grevë të përgjithshme.
Ftojmë të gjitha universitetet e tjera publike të shprehen dhe të koordinojnë qëndrimet për sa më sipër.