Politika

Deklarata e Policisë, reagon Opozita: Edi Rama i frikësuar, do mbajë ai përgjegjësi






               Publikuar në : 16:07 - 12/02/19 |
mapo.al

“Asnjë skenar kriminal i Edi Ramës nuk do të cënojë sigurinë e protestuesve më 16 Shkurt”, deklaroi pak minuta më parë Sekretari i Përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi, duke iu referuar një deklarate të Policisë së Shtetit, sipas të cilës në mesin e protestuesve të 16 shkurtit kishte njerëz me rrezikshmëri për rendin.


Bardhi e cilësoi këtë deklaratë një tentativë kriminale të Ramës duke përdorur policinë për arsye politike.

“Në një përpjekje të mjeruar, i rrethuar nga zhgënjimi, zemërimi dhe revolta e shqiptarëve, Edi Rama, i vetmuar, shfaqi sot gjithë pasigurinë dhe frikën e tij, kur urdhëroi Policinë e Shtetit të përhapë panik lidhur me protestën e 16 shkurtit.  Skenari për të përdorur policinë si vegël politike është kriminal.

Ai tha se Partia Demokratike garanton çdo qytetar për sigurinë e tij në datën 16 Shkurt.

“Shqiptarët do t’i bashkohen protestës së opozitës, sepse e dinë mirë që kriminelët dhe bandat janë me Edi Ramën dhe jo mes protestuesve. Ne do të protestojmë si njerëz të lirë dhe me dinjitet. Paralajmërojmë Policinë Politike të Edi Ramës të rrijë larg protestuesve! Të mos pengojë lëvizjen e lirë të tyre! Përndryshe, secili prej shërbëtorëve të skenarit kriminal të Edi Ramës, do të mbajë përgjegjësi personale dhe ligjore!”- tha ai.

Po ashtu Bardhi ftoi qytetarët që të injorojnë këto “kërcënime” siç i quajti ai dhe të protestojnë ndaj pushtetit të kalbur nga krimi e korrupsioni.

Pas PD-së reagoi deputeti i LSI-së, Endrit Brahimllari, i cili tha se “policia nuk ka për detyrë të bëjë politikë”.

“Policia e shtetit të respektojë rendin dhe sigurinë politike dhe mos t’i shërbejë politikës. Ende janë në kërkim 3 drejtues të lartë të policisë së shtetit, të cilët ishin bërë njësh me krimin. Paralajmërojmë Edi Ramën të mbajnë larg provokatorët nga protesta e ditës së shtunë. I vetmi person që kërkon të destabilizojë vendin është Edi Rama”, tha ai.

Reagimet e opozitës, e cila po bëhet gati për të organizuar një nga protestat më të mëdha të saj që nga zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2017, erdhën pasi policia la të kuptohej se nga të dhënat e saj kjo protestë mund të ishte e dhunshme

“Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë qytetarëve që s’kanë lidhje me këtë tubim, të marrin masa për kufizimin e lëvizjes së tyre gjatë datës 16 shkurt në mjediset ku do të zhvillohet protesta. Policia e Shtetit informon gjithashtu se do të kryejë kontrolle intensive të mjeteve në disa akse kryesore me qëllim që të parandalojë përfshirjen e personave me rekorde dhe precedentë kriminalë në protestën e datës 16 shkurt në interes të sigurisë së pjesëmarrësve të saj dhe të qytetarëve të tjerë”, thuhej ndër të tjera në deklaratën e policisë./Gazeta Mapo/


Etiketa: , , , ,

Pas