Një deklaratë e beftë, e papritur, por e qartë dhe e vendosur e Sali Berishës, ka dominuar në orët e vona të mbremjes dhe sot në mëngjes rrjetin social dhe mediat.
Berisha ka lënë të kuptohet se ai mund të rikthehet në krye të PD, i pyetur nga Cim Peka në Syri-tv.
Lideri historik i demokratëve u shpreh se do të ushtrojë çdo të drejtë kushtetuese (pra për të zgjedhur e për t’u zgjedhur) dhe se ai nuk i konsideron më pengesat.
Ky qendrim në vetvete është shumë i qartë. Sakaq, jo pak mbështetës të tij kanë shpërthyer me entuziasëm në Facebook, duke thënë që udhëheqësi, ose burri i shtetit, po kthehet.
Ky aktivizim i fortë i Berishës sjell një realitet të ri në PD ku njihet fuqia dhe ndikimi i tij.
Dhe kjo e gjitha, dy ditë para 13 qershorit, ku demokratët do të shkojnë në kutitë e votimit për zgjedhjen e kryetarit të ri, pasi me 25 prill qeveria e Ramës mori një mandat të tretë.
Deri më tani pyetja ka qënë se cilin kandidat mbështet Berisha në këtë garë dhe a ka ai sërish të njëjtën marrdhënie me Lulzim Bashën.
Mirëpo, qendrimi i mbremshëm duket se përmbys gjithçka lidhur me faktorin Berisha në PD.
Mbetet për t’u parë se si do të jenë reagimet dhe deklaratat sot, pas surprizës të ish-kryetarit të PD. Duke nisur së pari nga vetë kandidatët.
Sakaq duhet pranuar se me shpalljen që bëri lideri historik lëvizja tektonike në kampin blu ka ndodhur.
Sali Berisha duket se ka ndryshuar kurs pas shpalljes non-grata që i bëri Departamenti i Shtetit. Ai vetë ka pranuar se kishte konsideruar tërheqjen nga politika, por pas këtij akti ndaj tij, ka vendosur të qendrojë me gjithë energjitë dhe kapacitetin. Ai është po ashtu në një betejë ligjore, ku ka paditur në një gjykatë në Paris, Sekretarin e Shtetit Blinken.