Mbrëmjen e sotme në studion e emisionit ‘Studio e Hapur’ po diskutohet rreth protestës së qytetarëve të Kukësit kundër taksimit të ‘Rrugës së Kombit’ dhe arrestimit të 23 protestuesve, familjarët e të cilëve vijojnë protestat përballë Drejtorisë së Policisë së Tiranës.
I ftuar në studio, analisti Fatos Lubonja tha se kjo protestë është rezultat i sistemit që është ngritur në Shqipëri. Lubonja akuzoi kryeministrin Rama se po jep gjithçka me koncesion dhe se më së shumti po e përqëndron në duart e koncesionarit i cili ka marrë ‘Rrugën e Kombit’.
“Kjo që ndodhi është si rezultat i këtij sistemi që është ngritur në Shqipëri, sistem i ngritur mbi korrupsionin dhe grabitjen. Kryeministri nuk përfill, as ligjin, as popullin, as dialogun, por me arrogancën e pushtetit nuk punon për qytetarët, por punon me një grusht oligarkësh.
Ky është një mekanizëm sundimi dhe njerëzit duhet të durojnë çdolloj teke të këtyre oligarkëve. Rama s’do të dijë fare, shkon bën një mbledhje të Ram Geci, ne shkojmë si shoqëri civile, por na vë përballë bodigarkët e Ram Gecit.
Kur nuk proteston thotë jeni dele, kur proteston të dhunon. Ku të shkojnë njerëzit?!. E gjithë kjo situatë është një situatë kur në fund fare shumica e njerëzve ikin dhe shumica prej tyre ikën.
Kastratit ky po ja jep të gjitha, karburantet, kullat, ‘Rrugën e Kombit’. Kjo dhunë është dhunë verbale e vazhdueshme nga kryeministrit, e provokuar nga qeveria.
Ndaj them jemi të gjithë kuksian të trajtuar kështu dhe kur s’ke asnjë rrugë tjetër, vepron kështu duke i arrestuar ata.
Prokuroria vepron për ca njerëz që protestojnë për 5 euro, por nuk reagojnë kur vidhet prona publike”, deklaroi Lubonja.