Tv amerikan, MSNBC, ndërpreu transmetimin Live të konferencës të presidentit Donald Trump, nga Shtëpia e Bardhë, pasi ai deklaroi fitoren e zgjedhjeve.
Spikeri i MSNBC, Brian Williams, teksa shkëputi lidhjen direkte me Trump, u shpreh deklarata e presidentit amerikan ishte e gabuar. Sipas Williams, “Trump pretendoi në mënyrë të gabuar” kur u shpreh: “Nëse numërohen votat e ligjshme, unë fitoj lehtë“.
Gazetari i MSNBC e ndërpreu konferencën duke u futur në studio dhe tha: “Jemi këtu përsëri në pozicionin e pazakontë jo vetëm të ndërprerjes së konferencës së presidentit të SHBA, por edhe të korrigjimit të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
Pas këtij momenti, MSNBC nuk u rilidh më me konferencën Live të Trump nga Shtëpia e Bardhë i cili këmbënguli se ka fituar zgjedhjet, por votat janë manipuluar.
Joe Biden kryeson garën me 264 vota elektorale kundrejt 214 të Trump. Së fundi, Biden përmbysi rezultatin në Georgia duke fituar 16 votat e radhës si dhe ngushtoi ndjeshëm diferencën në Pensilvania, shtet i cili ka 20 vota elektorale.