Departamenti i Shtetit paska dekoruar ish kreun e KED për “qëndrime të guximshme” në lidhje me të vërtetën, transparencën dhe llogaridhënien.
Ato që Departamenti i Shtetit i klasifikon si “guxim” të ish kreut të KED, Komisioni i Venecias disa muaj më parë, pasi i ka shqyrtuar me imtësi, i ka vlerësuar si qëndrime jo transparente, marrje peng të institucionit dhe makinacione të tjera me axhenda politike të cilat cuan në një ngërç të rrezikshëm të emërimeve në Gjykatën Kushtetuese.
Duket ajo që shihet si thikë pas shpine drejtësise dhe institucionit nga njëra palë, u vleresuaka si guxim nga pala tjetër…
Ndërkohë, që prej javës së kaluar, ashtu si pa ditur, Tiranës i është shtuar edhe një “hero”. Një organizatë ndërkombëtare ka vendosur ti japë (apo shesë?) cmimin “hero” Kryetarit të Bashkisë së Tiranës për “përmirësimin e lëvizjes e transportit në qytet”… Qytetarët shqiptarë mund të flasin shumë për bemat ë këtij heroi, por duket se nuk ka denjuar njeri tu marrë mendimin.
Emetimi pa kriter i këtyre dekoratave ndërkombëtare për “guximtarë” dhe “heronj”, dhënë pa pikë kujdesi e respekti për ndjeshmërite e qytetarëve shqiptarë është një shaka e hidhur, e vështirë për tu kapërdirë.
Është një shuplakë që i vjen shoqërise sonë nga ndërkombëtarë që mesa duket nuk e dinë sensin e masës dhe nuk kanë arritur të kuptojnë se standartet e dyfishta që përdorin në marrëdhëniet me Shqiperinë, në fund të fundit, rëndojne në shpinën e kërrusur të qytetarit shqiptar.
Qytetari shqiptar nuk kërkon shumë.
Në luften e vet për dinjitet ai kërkon vetëm dicka:
Miq, shokë a ç’të doni…ndërkombëtarë!
Ndoshta nuk e ndihmoni dot qytetarin shqiptar, por të paktën mos ia vështirësoni betejat!