Presidenti rus Vladimir Putin do të shpallë zyrtarisht sot pasdite aneksimin e katër rajoneve ukrainase.
Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi të enjten dekrete që njohin rajonet e pushtuara ukrainase Kherson dhe Zaporizhzhia si të pavarura, përpara aneksimit të tyre të paligjshëm nga Rusia.
Në dekretet, të publikuara në internet nga Kremlini këtë të premte, Putin njeh “sovranitetin dhe pavarësinë shtetërore” të dy rajoneve jugore të Ukrainës.
Vendimi i paligjshëm dhe i njëanshëm vjen pas votimeve të manipuluara që u zhvilluan fundjavën e kaluar, në pjesët e pushtuara të Ukrainës, nën “vëzhgimin” ushtarak dhe të votuesve që u mbajtën të terrorizuar nën kërcënimin e armëve.
Në shkurt, Kremlini nënshkroi dekrete të ngjashme për rajonin e Luhansk dhe Donetsk.
Nënshkrimi i dekreteve është një hap i ndërmjetëm dhe i hap rrugë rajoneve të pushtuara që të aneksohen zyrtarisht nga Rusia. Putini do të shpallë aneksimin zyrtar të katër rajoneve këtë të premte pasdite.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy premtoi një përgjigje “të ashpër” ndaj aneksimeve dhe Joe Biden tha se SHBA “kurrë, kurrë, kurrë” nuk do ta njohë përpjekjen e Rusisë për të aneksuar territoret në Ukrainë.
Putin dhe qeveria ruse pavarësisht presionit perëndimor, e kanë krahasuar vazhdimisht ndërhyrjen dhe vendimin për të aneksuar rajone ukrainase, me Ndërhyrjen e SHBA dhe të NATO-s në Kosovë.