Vijon prej orës 11:00 mbledhja e Kolegjit Zgjedhor për të vendosur për vlefshmërinë e datës 30 qershor si ditë për zhvillimin e zgjedhjeve vendore apo jo. Trupa e gjyqtarëve e përbërë nga Ridvan Hado, Tomor Shkreli, Artur Malaj, Lindita Sinanaj dhe Astrit Kalaja u vu në lëvizje pas një kërkese ankimore nga Partia Uniteti Kombëtar, e cila kërkoi çregjistrimin nga zgjedhjet për organet për qeverisjet vendore, me argumentin se Presidenti i Republikës ka ndërmarrë një dekret që anulonte 30 qershorin.
Ky dekret i Presidentit mori formë ligjore në momentin që u botua në Fletoren Zyrtare dhe Partia Uniteti Kombëtar përfitoi duke kërkuar çregjistrimin nga zgjedhjet. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ishte hallka e parë që shqyrtoi këtë kërkesë. Ata rrëzuan Partinë Uniteti Kombëtar me argumentin se Kodi Zgjedhor nuk parashikonte çregjistrimin në këtë fazë të procesit.
Vetë KQZ-ja më herët kishte rrëzuar edhe vetë dekretin e Presidentit, duke theksuar se ai është nul dhe nuk sjell pasoja juridike. Por Vendimi i Kolegjit Zgjedhor, cilido qoftë ai, pak efekt pritet që të ketë në zbutjen e krizës politike, pasi palët qëndrojnë edhe më të përforcuara në qëndrimet e tyre për sa i përket zhvillimit të zgjedhjeve vendore.