Prej sot rreth 16 milionë italianëve nuk u lejohet lëvizja nga territoret e vendbanimeve të tyre, pasi përbëjnë rrezik për përhapjen e koronavirusit. Me një konferencë për mediat mbajtur rreth orës 2.30 duke u gdhirë mëngjesi i sotëm (8 mars 2020), kryeministri italian Giuseppe Conte informoi se ka firmosur një dekret të ri masash urgjente, të miratuar nga Këshilli i Ministrave për të përballuar emergjencën e koronavirusit që ka përfshirë Italinë. Nën konsultimin dhe të Komiteti Shkencor të ngritur pranë qeverisë, ky dekret hyn në fuqi menjëherë sot më datë 8 mars e deri më 3 prill 2020 e ndalon rreptësisht hyrje daljen e banorëve në zonat më të prekura nga virusi kryesisht në veri të Italisë.
Me qëllim ndaljen e limitimin e përhapjes së virusit COVID-19 në të gjithë territorin e Lombardisë dhe në territoret e 15 provincave Modena, Parma, Piacenza, Regio Emilia, Rimini, Pesaro, Urbino, Alessandria, Asti, Novara, Verbano-Cusio-Ossola, Vercelli, Padova, Treviso e Venezia ndalohet çdo lëvizje e personave fizikë në hyrje e në dalje të këtyre territoreve si dhe brenda vetë territoreve me përjashtim të lëvizjeve të motivuara për nevoja pune ose shëndeti. Por lejohet hyrja e personave që kanë në këto zona banesat e rezidencat e tyre.
Për individët në regjim karantine brenda këtyre territoreve është absolutisht e ndaluar të lëvizin nga banesat e tyre. Lokalet e restorantet duhet të respektojnë orarin e hapjes nga ora 6.00 deri më 18.00 si dhe në fundjavë do të qëndrojnë të mbyllura qendrat tregtare si dhe strukturat mesatare e të mëdha të shitjes.
Në nivel kombëtar shtohen gjithashtu masa të reja si pezullimi i aktivitetit të pube-ve, diskotekave, sallave të lojërave, sallave të basteve, sallave të bingove, të lokaleve të kërcimit që në rast shkelje u hiqet licenca e ushtrimit të biznesit. Pronarët e restoranteve e lokaleve, si dhe bizneseve duhet të garantojnë distancën të paktën 1 metër nga një klient në tjetrin, Pezullohet çdo tip manifestimi, eventi ose spektaklit kinematografik ose teatral publik e privat, pezullohet hapja e muzeve, institucioneve e objekteve të kulturës.
“Po përballojmë një emergjencë kombëtare”, u shpreh gjatë konferencës kryeministri italian. “Kërkoj të jemi vetë përgjegjës. Masat janë të rrepta e do të sjellin probleme, por kërkohet sakrificë nga të gjithë”. “Objektivat e këtij dekreti janë dy”, tha ai; ndalimi i përhapjes së virusit e limitimi i personave të sëmurë pasi nuk kemi mundësi për ta përballuar me personel mjekësor e struktura sanitare. Statistikat e fundit zyrtare të koronavirusti në Itali e kanë çuar në 233 numrin e viktimave e 5833 numrin e personave të infektuar. Deri më tani në Itali janë kryer 42 062 tampona për koronavirus.
Harta e zonave “të kyçura”
Shkollat, palestrat dhe muzetë të mbyllura
Kufizimet shumë të rrepta përfshijnë edhe mbylljen e shkollave të të gjitha niveleve, pezullimin e aktiviteteve të ndryshme, si skijimi apo ngjarjeve publike. Janë mbyllur edhe muzetë, palestrat, pishinat, teatrot, qendrat sociale dhe kulturore. Do të ketë ndalesë në konkurset publike, me përjashtim të atyre për personelin e kujdesit shëndetësor.
Masat për baret dhe restorantet
Baret dhe restorantet do të jenë të hapura nga ora 6 deri në 18 dhe detyrohen të mbajnë një distancë prej një metër nga njëri klient te tjetri, në të kundërt do t’ju pezullohet aktiviteti.
Lëvizje e kushtëzuar në dyqane dhe tregje
Dekreti gjithashtu thekson që aktivitetet tregtare duhet të respektojnë distancën prej një metri për klientët përndryshe do të ketë sanksione, deri në mbylle të aktivitetit. Strukturat e shitjeve të mesme dhe të mëdha do të mbyllen gjatë pushimeve dhe festave, si dhe dyqanet brenda qendrave tregtare dhe tregjeve. Rekomandohet gjithashtu të kufizoni qasjen në dyqane, tregje, panaire për të shmangur “tubimet e njerëzve”.
Spitalet, vendet e besimit dhe sportet
Afrimi i të afërmve dhe vizitorëve në spitale, hotele, ambiente banimi për të moshuarit, dhomat e urgjencës është “e kufizuar. Stafi “kërkohet të marrë masat e nevojshme për të parandaluar transmetimin e mundshëm të infeksionit”.
Takimet e biznesit duhet të shtyhen. Vendet e adhurimit mund të qëndrojnë të hapura, me kusht që ata të jenë në gjendje të garantojnë se nuk ka “mbledhje të njerëzve”.
Sa i përket sportit, ngjarjeve sportive dhe garave të të gjitha llojeve dhe disiplinave do të “pezullohen”, “në vende publike ose private”. Dekreti thotë gjithashtu, se “mbajtja e ngjarjeve dhe garave të lartpërmendura, si dhe seancat stërvitore të atletëve konkurrues, brenda ambienteve sportive, por me dyer të mbyllura” do të lejohet.