Editorial

Dekreti i ri i rilindjes, ndalohet e qeshura e paautorizuar








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 22:54 - 29/10/20 |
Mapo.al

Falë gazetares Anila Hoxha, kemi mësuar një ngjarje që është tentuar të mbahet si periferike, si incident banal, fshehur diku në një komunikatë policie shkruar keq.


Del se kemi një zhvillim të forte, që tregon më tepër se shumëçka, gjendjen e shoqërisë dhe ditët që po jetojmë.


Rreth dy javë më parë, një grua sapo ka lënë punën në një kompleks shërbimi në qendër të Tiranës, e ka parë veten për disa orë në ambjentet e policisë e shoqëruar me forcë, sepse ka qeshur me të madhe në rrugë, teksa aty kishte një aktivitet politik Kryeministri i vendit.



Gruaja me siguri e di që e qeshura nuk është e ndaluar, ndoshta thellë diku e ka të konfirmuar se ky lloj reagimi futet tek të drejtat dhe liritë që gëzon njeriu. Si ato të shprehjes, të mendimit, të ndërgjegjes.


Mirëpo, në rrugicën Fuat Toptani në Tiranë, në orën 20.00 të mbremjes së 15 tetorit këto të drejta dhe liri ranë. Dhe me gjasë kudo tjetër, nëse aty po kalon Edi Rama.


Kjo nuk i ka shkuar në mend 45 vjeçares, e cila po nxitonte të kthehej në shtëpi, pas mbarimit të turnit.

Padijenija nuk është argument, këtë na e kanë thënë romakët. Dhe zonja ka kaluar ndoca orë të mira në komisariat.

Ndoshta kryeministri nuk është urdhëruesi direkt i shoqërimit të saj.

Ai është edhe më keq. Eshtë krijuesi i klimës, ku njerëzit që e rrethojnë, ato dhjetra ushtarakë të gardës e policisë, vendosin që e drejta për të qeshur është e ndaluar.

Lexo edhe :  Tiranë - Pronari, kamarieri dhe 4 klientë kapen në lokal duke konsumuar kokainë

Ata janë të specializuar. Dinë të qemtojnë e të dallojnë të qeshurat.

Ai gazmendi me idhujtari me batutat e shefit, lejohet. Madje stimulohet.

E ndaluar rreptësisht është e qeshura përqeshëse që tregon mosaprovim, që shpreh pakënaqësi. E qeshura protestuese s’duhet të lejohet asesi. S’duhet të pipëtijë.

Kjo ngjarje pra ka ndodhur në zemër të kryeqytetit tonë, në vitin 2020, teksa gjasme jemi në bisedime për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Nuk ka ndodhur as në periferitë e Anadollit në ndonjë inspektim të Erdoganit, as në rrugët e Minskit të Lukashenkos. Por në Tiranën e shumë çmimeve ndërkombëtare.

Dhe sak, nuk ka ndodhur as në ndonjë nga librat e Kadaresë, zor se e gjen të ngjashmen e saj edhe tek Nëpunësi i Pallatit të Endrrave. Aty kishte censurë të ndërgjegjes, po jo kontroll të të qeshurave.

Ndalimi i kësaj gjendjeje njerëzore, mund të jetë ndoshta forma e një tiranie të re, të paprovuar ende në planet.

Mirëpo, nisur nga premtimet e mëparshme të shefit të rilindjes, se asgjë nuk kemi parë akoma, s’ka pse të jemi krej të papërgatitur.

Me siguri, rilindas punëmbaruar dhe intelektualë si T.Balla, E. Veliaj, apo E.Spiropali, do të kenë shpjegimet e tyre.

Ato mund të jenë;

-Mos i qesh Skenderbeut

-Mos i qesh liderit më europian

-Mos i qesh odiseut

-Mos i qesh kapitenit

Sidoqoftë, gjindja le të mësojë tani e tutje se si të mbajë nën kontroll emocionet, veçanërisht të qeshurat e paautorizuara, nëse gjenden në një ambjent ku po kalon Kryeministri.


Etiketa: , ,

Pas