Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazment Bardhi paraqiti dokumente zyrtare nga sistemi i burgjeve në Itali se kryebashkiaku i Vaut të Dejës Mark Babani, (Marq Babaj), është arrestuar dhe dënuar me burg për grabitje makinash. Babani: Nuk është e vërtetë, Bardhin do e padis për shpifje. Bardhi: Do paraqes të tjera dokumenta. Votimet e 30 qershorit dhe rënia e 5 % të bashkive ende pa nisur punë…
Partia Demokratike akuzoi kryebashkiakun e sapoemëruar të Vaut të Dejës se ka qenë i dënuar në Itali për grabitje makinash dhe se këtë fakt e ka fshehur në formularin e dekriminalizimit. Dokumentat u publikuan nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazmend Bardhi, duke iu referuar sistemit zyrtar të burgjeve të vendit fqinj. “Mark Babani, me emrin e rremë Marq Babaj, është arrestuar më datë 4 Prill 1994, në Itali, në zonën e Siçilisë, për kryerjen e veprës penale “Vjedhje në rrethana rënduese, e kryer në bashkëpunim”-tha Bardhi. Është rasti i tretë që PD denoncon mbi bazën e dokumenteve dhe fakteve kryebashkiakët e dalë nga votimet e 30 qershorit. Pas Valdrin Pjetrit të Shkodrës dhe Agim Kajmakut të Vorës tashmë radhën e ka pasur Babani. Vetë kryebashkiaku reagoi menjëherë duke mohuar akuzat, madje u hodh në sulm, teksa premtoi se do padiste në gjykatë Bardhin për shpifje dhe se me paratë që do fitonte do i përdorte për rikonstruksion shkollash. E menjëhershme qe kundërpërgjigja e Bardhit i cili ndër të tjera i kujtoi Babanit të tjera raste dhe premtoi se në ditët në vijim do të paraqesë të tjera dokumenta. Përtej deklaratave të kreut të bashkisë, duket se PD po ndjek të njëjtën taktikë me rastet e mëparshme, duke i nxjerrë dokumentat kompromentuese një e nga një. Nëse rasti Kajmaku dhe Babani vërtetohen zyrtarisht se kanë qenë të dënuar, atëherë mazhorancës i bien ende pa nisur punë 5 % e bashkive të vendit.
Denoncimi
Sikurse ishte paralajmëruar ditën e djeshme sekretari i Përgjithshëm i PD-së në një konferencë shtypi bëri publike një material ku tregonte se Babani, me një emër tjetër ka qëndruar në burg nga data 4 prill deri më 6 maj 1994. “Ai është arrestuar nga Policia italiane duke vjedhur makina. Kandidati i Edi Ramës për Vaun e Dejës ka qenë pjesë e një grupi kriminal që vepronte në zonën e Siçilisë dhe që kishte kryer disa vjedhje. Mark Babani alias Marq Babaj ka qëndruar në burg deri më datën 6 Maj 1994 dhe më pas është dënuar dhe dëbuar nga shteti Italian. Kjo është vetëm një pjesë e dosjes kriminale të kandidatit të Edi Ramës për Vaun e Dejës”, deklaroi Bardhi teksa tregoi me fakte të shkuarën e Mark Babanit. Sipas ligjit për dekriminalizimin nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen kryetarë bashkie, personat ndaj të cilëve është marrë një masë arresti me burg, vendim dënimi apo dëbimi në një nga vendet e Bashkimit Europian. “Edi Rama duhet të marrë përgjegjësitë dhe të flasë sot përse vendosi që të identifikohet me një kriminel si Mark Babani në Vaun e Dejës. Deri më sot Edi Rama ka bërë të kundërtën e marrjes së përgjegjësisë publike për emërimet e tij kriminale në bashkitë e vendit. Ai është fshehur si burracak pas zvarritjeve të prokurorisë, e cila akoma nuk ka një përgjigje për asnjërin prej kriminelëve të Edi Ramës”-theksoi më tej Bardhi. Nga ana tjetër, fill pas publikimit të dokumentave që tregonin se Marq Babani ishte skeduar, arrestuar dhe dënuar me burg për grabitje automjetesh, reagoi edhe vetë kryebashkiaku. Ai pranoi se ka qenë emigrant në Itali, por nuk është arrestuar dhe as dënuar asnjëherë. Ai tha se nuk ka ndërruar kurrë emrin dhe se dokumentet e PD-së janë sajesa. “Unë se kam patur kurrë emrin Saimir. Ndërsa mbiemrin e kam ndryshuar dhe e kam deklaruar këtë fakt”, tha ai në një reagim për mediat, pasi Gazment Bardhi publikoi dokumentet për dënimin e tij në Itali. “E gjithë kjo histori është e sajuar. Është një histori që nuk ka lidhje me mua. Unë deklarimet i kam pasur shumë të qarta. Ato nëse kanë prova mund të shkojnë në prokurori. Absolutisht nuk ka lidhje me gjurmët e gishtërinjve të mi. Unë jam i gatshëm që të shkoj në Prokurori dhe të jap shenjat e gishtave. Normalisht ata do sajojnë që të më ulin imazhin”-theksoi kryebashkiaku, madje edhe duke “sfiduar” se Bardhin do e presë një proces gjyqësor për shpifje. Gjithsesi duket se faktet janë më kokëforta se çdo deklaratë, pasi burime konfidenciale shprehen se për rastin e kryebashkiakut të Vaut të Dejës kanë edhe dokumente të tjera që sipas tyre vërtetojnë se ai është arrestuar, dënuar dhe dëbuar për disa vepra penale.
Zgjedhje të “rëna” ende pa u ngritur…
I gjithë procesi i 30 qershorit ishte dhe është në pikëpyetje të madhe, në aspektin moral dhe ligjor. Zgjedhjet u zhvilluar në më shumë se gjysmën e bashkive të vendit pa kandidat rival, ndërsa pjesa tjetër me kandidatë fiktiv, ku fitorja e Partisë Socialiste ishte e sigurt ende pa u hapur kutitë e votimit. Zgjedhjet si kurrë më parë në 20 vitet e fundit u konsideruan nga OSBE/ODIHR me shumë problem që lidhen që nga pamundësia e qytetarëve për të zgjedhur, deri në presione të hapura ndaj administratës, shkelje ligjore nga KQZ apo mosmarrja në kundërshtim me procedurat ligjore të dekretit të presidentit. Nga ana tjetër, vendosmëria e kryeministrit për t’i zhvilluar ato votime me premtimin e “Rilindjes së bashkive”, ka rezultuar i dështuar dhe me akuza të rënda. Tre nga kryebashkiakët përfundimisht mund të ikin nga ai post për shkak të ligjit të dekriminalizimit. Partia Demokratike e cila ka denoncuar rastet shprehet se kjo është forma që ka gjetur kryeministri, që të bashkëqeverisë me element të botës së krimit. Që nga momenti i hyrjes në fuqi të ligjit të dekriminalizimit dhe deri më tani janë 117 zyrtarë të lartë, si deputetë, kryetarë bashkish, anëtarë të këshillave bashkiakë dhe nëpunës të administratës së lartë që janë shkarkuar ose kanë dhënë dorëheqjen, pasi në të shkuarën kanë pasur probleme ligjore.