Banka Botërore ka publikuar ditën e sotme raportin “Doing Business” për vitin e fundit, i cili përfshin ekonomitë e 190 vendeve të botës. Në raportin e këtij viti Shqipëria renditet në vendin e 82 duke humbur 19 pozicione nga një vit më parë. Shifra këto që tregojnë një përkeqësim të të bërit biznes në Shqipëri vetëm në harkun e një viti.
Edhe pse ka bërë hapa përpara nga viti i mëparshëm, si pikat më të dobëta të të bërit biznes në vend vijojnë të mbeten procedurat e marrjes së lejeve të ndërtimit që zgjatin 320 ditë ose dyfishi i standardi Europian dhe pagesa e taksave vjetore që Shqipëria numëron mesatarisht 35 nga 14 që aplikon Europa.
Dobësi paraqiten edhe në mbrojtjen e investitorëve të vegjël apo në respektimin e afateve gjyqësore kur palët hasin mosmarrëveshje.
Reformat e vazhdueshme, ndërkaq, kanë ndihmuar që Shqipëria të vlerësohet më mirë për ecurinë e hapjes së një biznesi, tregtinë ndërkufitare, procedurat e falimentit dhe aksesi në kreditë bankare, për të cilat vendi renditet i 25-i deri 53-i në botë.
Lista e Bankës Botërore kryesohet nga Zelanda e Re dhe pasohet nga Singapori dhe Hong Kongu. Në fund të listës, ndërkohë janë Somalia, Eritrea dhe Venezuela. Në këtë renditje, Kosova renditet në vendin e 57.