Gazetari Artan Hoxha ka publikuar sot videon e ekzekutimit të biznesmenit Guxim Gjyriqi në Tropojë që është njëkohësisht edhe djali i tezes së Fatmir Haklajt. Hoxha publikoi pamjet dhe i komentoi ato në studion e ABCNEWS. Artan Hoxha shpjegoi se kishte shkuar në Tropojë për të investiguar mbi vrasjen në fjalë duke zbuluar detaje të rendësishme dhe duke siguruar pamjet e ekzekutimit.
“Ngjarja ka ndodhur në skaj të vendit. Në një qytet të vogël. Larg kryeqytetit. Larg syrit të medias dhe autoriteteve. Është një vrasje me mesazh dhe paralajmëron një zinxhir vrasjes siç kanë ndodhur më parë. Pse e cilësoj shqetësuese? Jemi 11 ditë nga atentati dhe ajo është një ngjarje e spostuar. U tha që u gjet një makinë e djegur, u tha se u qëllua nga një makinë me kallashnikov. Të gjithë këto nuk ka një përputhje me ato që pash unë në Bajram Curri, në Has apo Gjakovë ku mendohet se mund të kenë ikur autorët. Por Çfarë ndodhi mesnatën e 5 janarit?
Guxim Gjyriçi babai i tre fëmijëve, pronar i një lokali në Bajram Curri. Pasditë ka dalë nga banesa, ka bërë një pushim nga ora 16:00 dhe është kthyer në lokal duke parë një ndeshje nga ora 22:15 minuta. Të afërmit janë larguar për një kafe dhe Guximi ka mbetur i vetëm në atë vend. Është raportuar që ka ndodhur në orën 23:40 minuta, por viktima është vrarë shumë më parë. Këtë moment e tregojnë kamerat e sigurisë. Nga kjo që po publikojmë, kemi dy automjete që largohen nga vendi i ngjarjes. Është një Benz dhe një Ford Fiesta që largohen. Kjo e dyta është 17 sekonda pas Benzit. Ford Fiesta është automjeti që u gjet në Golaj i djegur. Janë pamje të siguruara privatisht nga unë. Uroj që policia të ketë sekuestruar të gjitha kamerat e HEC-it të Fierzës që filmojnë kalimin në drejtim të Qafë Malit. Rruga e largimit është e mbuluar nga kamera. Uroj që të jenë marrë këto kamera,”– shpjegon Artan Hoxha.
“Pamjet tregojnë orarin kur ka ndodhur ngjarja. Kufoma është gjetur 40 minuta pasi ka ndodhur vrasja. Në këtë kohë ata kanë patur mundësi të largohen me shpejtësi nga Morina, nga Qafa e Luzhës për në Krumë dhe Kukës. Aty ka një urë që mund të bllokohej. Mund të shihen edhe kamerat që ka patur në këto drejtime. Autorët kanë lënë mbrapa një makinë të djegur që shohim në pamje. Kjo është makina e dytë dhe jo e para. Nga informacionet me rezulton që njëra nga makinat e dyshuara ka dalë nga Qafa e Morinës dhe ka hyrë në Gjakovë dhe është futur sërish në Golaj dhe ka marrë pjesëtarin tjetër të grupit që ka djegur “Ford Fiesta”-n. Dogana është shumë afër aty. Nëse shikoni, në automjetin e parë që nuk është fiksuar në skenën e krimit nga dëshmitarët. Autorët kanë vëzhguar lëvizjet e Guximit, sepse ai nuk mbrohej dhe lokali qendronte hapur deri pas mesnate,”- vijoi gazetari më tej.
Guxim Gjyriqi, biznesmen dhe djali i tezes së Fatmir Haklajt u ekzekutua me armë zjarri në hyrje të karburantit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur duke gdhirë data 6 janar. Guxim Gjyriqi njihej në zonë si një njeri i qetë dhe pa probleme. Ai nuk rezulton të ketë pasur precedentë penalë, kështu që pistat ku po hetohet janë dy: konflikte të kohëve të fundit dhe konkurenca për shkak të bizneseve të tij. Sipas gazetarit Artan Hoxha, dyshohet se vrasja e Guximit është një mesazh ndaj vëllait të tij, ish-punonjës policie i cili ndodhet në SHBA.