MAPO siguron video nga ngjarja e një viti më parë kur Santiago Malko u përfshi në një konflikt me dy vëllezër, pronarë të një pike bastesh në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur në zonën e Kinostudios në datën 27 qershor 2018. Në pamjet filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë, duket ish-polici dhe një person tjetër i identifikuar si R.M, me armë në dorë. Është Santiago Malko ai i cili hap zjarr në drejtim të dy vëllezërve, Juxhin dhe Rivelino Mumajesi.
Njëri prej tyre, Juxhini merr një plumb në bark dhe duket i shtrirë në dysheme e verandës së lokalit, ndërsa tjetri, Rivelino Mumajesi me bluzë të bardhë, plagoset në këmbë dhe është i gjakosur. Të dy vëllezërit arrijnë t’i mbijetojnë të shtënave. Gjithçka ka ardhur nga një përplasje fizike jashtë barit. Më pas dy vëllezërit duken në verandë teksa hedhin tavolina dhe karrige në drejtim të Santiago Malkos dhe shokut të tij, ndërsa këta të fundit përgjigjen me të shtëna pistolete. Pas kësaj ngjarje, Santiato Malko nuk është arrestuar nga policia edhe pse ka konsumuar veprën penale të plagosjes së dyfishtë me armën e shërbimit.
Santiago Malko u ekzekutua në atentat mbrëmjen e 27 gushtit në rrugën “Xhanfize Keko” në kryeqytet. Autorë të ngjarjes janë identifikuar vëllezërit Leonard dhe Elis Duka, Xhoni Nica, Oltian Loka, Ilir Selmani, Aleksandër Maxhaku, dhe Dritan Agaj, të gjithë banues në Tiranë. Menjëherë pas ngjarjes u arrestua Blendi Teta, i cili shërbeu për zbërthimin e dinamikës së krimit që tronditi kryeqytetin në fundgusht.