Autoritet policore në kryeqytet njoftuan këtë të hënë kapjen e autorit të dyshuar të vendosjes së një sasie tritoli në shtëpinë e Xhelal Dacit. Ngjarja në fjalë ndodhi të premten në Kamëz.
Kështu, autor i dyshuar i kësaj ngjarjeje është Vilson Brahaj, 23 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Kamëz. Brahaj, sipas policisë, dyshohet se e ka vendosur sasinë prej 500 gramë lëndë plasëse në banesën e Dacit, kundrejt pagesës.
“Autori i dyshuar, pas kryerjes së krimit ka hedhur në lumë tek “Ura e Tapizës” rrobat e përdorura gjatë kryerjes së krimit, ndërsa automjetin e kishte fshehur në një bodrum afër “Urës së Tapizës”. Për arsye hetimore nuk bëjmë me dije të dhënë të tjera“, sqaron policia në njoftimin e saj.
Autoritetet sekuestruan gjithashtu edhe makinën e përdorur nga 23-vjeçari.
Kjo ishte hera e dytë që familjes Daci i vendosej tritol. Ata akuzuan për këtë familjen Kolaveri me të cilën prej vitesh kanë një konflikt.
Xhelal Daci fitoi lirinë para 7 muajsh. Ai ishte dënuar për fshehje të provave që zbulojnë të vërtetën dhe armëmbajte pa leje. Për të njëjtën ngjarje, djali i tij Gazmir Daci është dënuar me 35 vite burg për vrasje me dashje të Valmir Kolaverit dhe plagosjen e Robert Kolaverit që mbeti i paralizuar nga plumbat.
Si familja e autorit dhe ato të viktimës janë banues në rrugën “Martin Camaj” në Bathore. Prej kohësh uniformat blu i kanë mbajtur në vëzhgim familjen Daci dhe Kolaveri, pasi ngjarja e mëngjesit të premtes është një rast i përsëritur.