fbpx

Aktualitet

Delegacioni gjerman: Të mbahen zgjedhjet siç e përcakton Kushtetuta





               Publikuar në : 14:38 - 12/06/19 |
mapo.al

Delegacioni i deputetëve të Bundestagut gjerman në një deklaratë për mediat pas takimeve në Shqipëri theksoi se me rëndësi është të respektohet Kushtetuta e Shqipërisë dhe të mbahen zgjedhjet në datën e caktuar. Deputeti Josip Juratovic tha se gjatë vizitës në Shqipëri ka takuar mazhorancën dhe opozitën parlamentare sepse sipas tij, ata janë përfaqësuesit e popullit, duke lënë të nënkuptuar se s’ka patur takime me anëtarë të PD-së, apo LSI-së.


“Kemi pasur kontakte me përfaqësues të parlamentit, komisioneve parlamentare, kryeministrin Rama, ministren e Drejtësisë dhe të Brendshmin për një panoramë të plotë të vendit dhe reformave. Për ne ka qenë e rëndësishme të mësojmë ecurinë e reformave për të ditur sa e përgatitur është Shqipëria për negociatat”, tha kreu i delegacionit Juratovic.



Ndërsa i pyetur për krizën politike dhe refuzimin e opozitës për të shkuar në zgjedhje me Ramën, Kryeminister, ai tha se “janë punë të brendshme të vendit. Por, kam kuptuar se ky vend ka një Kushtetutë dhe Kushtetuta është baza e një vendi. Në Gjermani Kushtetuta vlen si baza dhe për këtë arsye kam besim te ajo që përcakton Kushtetuta. Nëse Kushtetuta parasheh që zgjedhjet duhet të zhvillohen në një moment të caktuar, ato duhet të zhvillohen në këtë moment”.


Më tej gazetarët i kujtuan se Meta ka anuluar zgjedhjet e 30 qershorit, por deputeti gjerman i qendroi deklaratës se duhet të mbahen zgjedhjet. “Kjo është pjesë e kulturës politike. Unë jam askushi të jap receta dhe s’dua të lavdëroj dikë apo të kritikoj dikë tjetër. Nëse zgjedhjet janë përcaktuar më 30 qershor ato duhet të realizohen”.

Delegacioni i deputetëve të Bundestagut përbëhet nga Josip Juratovic, anëtar i Bundestag-ut dhe Kryetar i Grupit Parlamentar (SPD), Renata Alt, anëtare e Bundestag-ut dhe zv/kryetare e Grupit Parlamentar (FDP) dhe Hansjörg Müller, anëtar i Bundestag-ut dhe anëtar i Grupit Parlamentar (AfD).


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas