Intervistoi: Mirgen Çela
Është ndër aktoret më të dashura të publikut shqiptar. Fama e saj arriti majat duke u prezantuar me role të ndryshme në një prej spektakleve më të ndjekura të humorit në Shqipëri “Portokalli”. Prej rreth 5 vitesh Delinda Disha nuk i është ndarë publikut çdo të diel, përveç kësaj aktorja e talentuar ka patur shumë role dhe në teatër. Ajo është nënë e një djali dhe e martuar prej vitesh me njeriun që dashuron. Për të gjithë ata që nuk e dinë, Delinda e ka takuar për herë të parë njeriun e zemrës në Akademinë e Arteve, në një shfaqje. Në një intervistë ekskluzive për Gazetën Mapo, Delinda tregoi si ishin fillimet e saj, sa të vështirë e kishte për të depërtuar në tregun artistik shqiptar dhe ndër to, si ajo tashmë gëzon suksesin përmes talentit dhe vullnetit që nuk i shteron kurrë.
Si nisi Delinda të merret me aktrim?
Si çdo gjimnazist dhe unë merrja pjesë në organizimet dhe festat e shkollës. Më pas, në vit të katërt bëra një shfaqje në Teatrin e Fierit me regjisorin Mehmet Xhelilaj dhe më pas nga ai moment e ndava mendjen, do bëhem aktore thashë dhe ja ku jam tani.
Që e vogël kam imituar perfekt. Por gjithmonë dhe babai më thoshte: Del, ke për t’u bërë artiste sepse të kam vendosur emrin e një aktoreje të viteve ’89 (Delinda).
Sa e vështirë ishte të depërtoje në tregun artistik në Shqipëri?
Të depërtoja në tregun shqiptar pak e vështirë, jo shumë, por nëse je talent, e shfaq talentin tënd dhe sigurisht shpërblimin monetar dhe artistik e ke pas. Tregu ynë është shumë i pakët e duke qenë i pakët është akoma edhe më i vështirë. Jam me fat, por them se ka të bëjë talenti dhe puna.
Çfarë duhet të ndryshojë në kinematografinë shqiptare?
Kinematografia jonë është shumë e dobët, dhe më vjen keq që pas ’90, se më parë të ishe aktor filmi ka qenë fat. Regjisorët përpiqen t’i bëjnë filmat me amatorë që t’i paguajnë sa më pak që të marrin vetë sa më shumë lekë. Ka shumë probleme për mendimin tim që nga buxheti që miratohet, që nga drejtuesit e institucioneve, që nga konkurset, mënyra si zhvillohen, tematikat, mungesa e skenaristëve është e metë e madhe e shumë e shumë të tjera gjëra.
Angazhimet profesionale, a ju bëjnë të jeni larg familjes?
Angazhime kam shumë dhe përpiqemi si unë si bashkëshorti im Eldo, pasi dhe ai ka angazhimet e veta që çdo kohë të lirë ta shfrytëzojmë e ta kalojmë familjarisht bashkë me djalin tonë dhe me familjet tona. Gjithë kohës jemi në lëvizje, në udhëtime me punë. Po një gjë është e sigurt, gjithë kohës jemi të lidhur nëpërmjet telefonatave.
A keni ende një ëndërr të parealizuar?
Ëndërr të luaj një film në Hollywood. Pres, shpresoj dhe jetoj me këtë ëndërr të bukur e cila është ende e parealizuar.
Si janë marrëdhëniet me kolegët në “Portokalli”, a ka përplasje mes jush?
Puna ka debate, por e rëndësishme është që janë debate pune në proces krijimtarie e sipër.
Me cilët prej kolegëve ke marrëdhënie më të mirë?
Me të gjithë kolegët kam marrëdhënie të mira.
Cilat janë vështirësitë që hasni më shumë?
Vështirësia ime aktualisht në punë nëse do mund ta quaja është të shkruarit e skenarit çdo javë, por që arrihet dhe me sa duket me sukses se për të luajtur personazhe e karaktere nuk e kam problem, punoj shumë plus talentit.
A keni patur një moment ku keni thënë, “mjaft më, nuk merrem më me këtë profesion”?
Moment kur kam thënë ‘mjaft’ ka patur, por e rëndësishme është që ka qenë thjesht një mendim kalimtar nga mërzia e sipër. Sepse është shumë e vështirë të jesh ‘unë’.
Për cilën arsye do të hiqje dorë nga aktrimi?
Nga aktrimi nuk heq dorë kurrë, nuk më mërzitet asnjëherë, është gjëja që di të bëj më mirë. Aktrimi është dhuntia që ma ka dhënë zoti e që më mbështet familja ime që të vazhdoj përpara me besim dhe dashuri, ndër të tjera aktrimin e kam dhunti që ka ardhur si pasojë e bashkimit të kromozomeve të krijuesve të mi, mamit dhe babit.