Demokraci apo stabilitet

Kriza politike në Shqipëri ka nisur të tërheqë vëmendjen e ndërkombëtarëve. Por si mund të arrijnë shqiptarët dhe të huajt të gjejnë ekuilibrin e ri politik në vend? Në forumin e MAPO-s flasin Paskal Milo, Agim Nesho, Lisen Bashkurti, Arben Çejku dhe Marko Bello

Nga Enton Palushi



Shqiptarët duket se e kanë mësuar se çfarë ndodh kur Shqipëria zhytet në një krizë politike. Fillimisht zbarkojnë një grup eurodeputetësh nga ata që raportojnë rregullisht për vendin tonë në Parlamentin Europian. Për shkak të ndikimit të ulët që ka ky institucion i BE në jetën politike të kontinentit, shanset janë që ata të mos arrijnë asgjë, madje mund të acarojnë më shumë situatën me ndonjë qëndrim partizan.

Më pas reagon sërish Brukseli, tani kryesisht me komisionerët e zgjerimit ose me kryediplomatët. Por për shkak se joshja e Brukselit nuk është si dikur, por edhe për shkak se qëllimi i BE-së është më shumë stabilokracia se ndryshimi, edhe ata nuk ia dalin.

Pas tyre, dikush i rëndësishëm pranë kancelarive të mëdha europiane, me shumë gjasë nga Berlini, viziton Tiranën. Dhe kur as ai nuk ia del, mbërrin zakonisht ‘buldozeri’ amerikan që i vë pikat mbi ‘i’.

A do ndodhë kështu edhe në rastin e krizës aktuale? Situata duket akoma më e vështirë, për shkak se këtë herë opozita ka ndërmarrë një veprim ekstrem: lënien e mandateve. Por jo vetëm kaq, në lojë është fuqishëm një aktor i tretë përveç politikës dhe ndërkombëtarëve: qytetarët. Protestat këtë herë janë më të forta, sheshet janë tejmbushur dhe zemërimi është i madh.

Por edhe Europa dhe SHBA nuk janë në ditët më të mira për të përballuar një tjetër situatë të vështirë në Shqipëri dhe rajon. Zgjedhjet europiane në prag e bëjnë situatën më kaotike. Kurse SHBA me administratën e re të Trump ka dhënë sinjale se disa gjëra mund të mos jenë si më parë.

Edhe Shqipëria nuk është megjithatë si dikur. Dikush këto ditë në një koment ka përmendur Teorinë e Lojës (Game Theory) për të shpjeguar situatën ku gjendet vendi. Shumë mendje të ndriçuara në botë kanë shkruar për këtë teori, por na duhet një shpjegim shkurt. Kur ekuilibri prishet, siç ka ndodhur me politikën në vendin tonë, palët do nisin betejën drejt ekuilibrit të ri. Përfundimi mund të jetë edhe një ‘non-zero sum game’ (lojë me shumën jo-zero), kur asnjë palë nuk del e humbur. Kështu u duk se ndodhi edhe në vitin 2017, kur PD mori disa ministra dhe hyri në zgjedhje, të huajt e lanë vendin në stabilokraci, kurse kryeministri Edi Rama vuri në jetë planin e tij për votimet.

Por situata shpërthyese aktuale parasheh vetëm një zgjidhje, atë ‘zero sum game’, ku njëra palë del e humbur dhe tjetra del e fituar. Kjo pasi opozita mendon se zgjidhja e vitit 2017 në fakt e nxori të humbur. Zgjedhjet u manipuluan dhe ja ku jemi në pikën ku ‘loja’ ka nisur sërish. Këtë herë dikush do digjet, pasi stabiliteti nuk u pa se ishte zgjidhja e duhur në kurriz të demokracisë. Se si do vendoset ekuilibri i ri, për këtë vështirë të thuhet që tani. Të huajt janë përpara një situate të pazakontë pasi e dinë se kauza e Perëndimit është që në fund duhet të triumfojë demokracia.

 

Milo: Niveli i angazhimit ndërkombëtar do përcaktohet nga shkalla e degradimit të situatës

Flet ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo

Pas situatës së krijuar në Shqipëri, në vend kanë mbërritur ata që media po i quan si ‘vala e parë e ndërkombëtarëve’. Bëhet fjalë për disa eurodeputetë. Si e lexoni qëndrimin e tyre? Disa thonë se kjo krizë kërkon një tjetër nivel reagimi. Ju si mendoni?

Parlamentarët europianë që erdhën në Tiranë dhe zhvilluan bisedime me aktorët kryesorë politikë shqiptarë nuk ishin thjesht disa eurodeputetë, por një delegacion i strukturuar i Komisionit të Jashtëm, vizita e të cilit ishte parashikuar prej kohësh në kuadrin e monitorimit të plotësimit të kushteve që i janë vendosur Shqipërisë për të hapur negociatat për anëtarësim në BE në muajin qershor.

Ky delegacion u ballafaqua me një situatë të paparashikuar në Shqipëri siç ishte dorëzimi i mandateve parlamentare në mënyrë të pakthyeshme nga opozita. Ky fakt e bëri vizitën e delegacionit evropian edhe më të rëndësishme sepse risolli në agjendën shqiptare edhe një çështje tjetër shtesë, madje më të rëndësishmen, stabilitetin politik të vendit që është kusht mbi kushtet.

Delegacioni parlamentar evropian ishte një mision faktmbledhës dhe si i tillë ai do dalë në fillim të javës së ardhshme me përfundime dhe rekomandime për situatën në Shqipëri. Thelbi i tyre do të jetë mesazhi që ata dhanë në Tiranë për opozitën shqiptare.

Sigurisht që nuk është vizita e fundit e tyre. Gjithçka do të varet nga zhvillimi i ngjarjeve në Tiranë. Precipitimi i mëtejshëm i tyre në kuptimin e rritjes së tensioneve politike, apo edhe më keq të protestave të dhunshme të opozitës që do të rrezikonte plotësisht rendin e sigurinë në vend, do të bënte që ky delegacion apo edhe dërgata të tjera nga Parlamenti Europian apo edhe nga institucione të tjera të BE apo edhe nga vendet anëtare të tij të vinin në Tiranë përsëri e përsëri dhe jo vetëm një herë, por disa herë. Niveli, sigurisht do të përcaktohet nga shkalla e degradimit të situatës politike e sociale në Shqipëri dhe nga angazhimi i vetë institucioneve të BE dhe i qeverive të vendeve anëtare të tij. Nuk duhet harruar se në maj janë edhe zgjedhjet për Parlamentin Evropian dhe ata nuk do të kenë edhe shumë kohë të merren me sherret tradicionale e pambarim të politikës shqiptare.

 

Bashkurti: Delegacioni i PE erdhi, foli dhe iku pa kurrfarë zgjidhjeje

Flet një nga njohësit më të mirë të çështjeve diplomatike, Lisen Bashkurti

Pas situatës së krijuar në Shqipëri, në vend kanë mbërritur ata që media po i quan si ‘vala e parë e ndërkombëtarëve’. Bëhet fjalë për disa eurodeputetë. Si e lexoni qëndrimin e tyre? Disa thonë se kjo krizë kërkon një tjetër nivel reagimi. Ju si mendoni?

Nuk është as hera e parë dhe as e papritur që Shqipëria hyn në një krizë politike të brendshme dhe që për zgjidhjen e saj ndërhyjnë faktorë të ndryshëm ndërkombëtarë. Mjafton të bëni një vështrim restropektiv të historisë politike të Shqipërisë mbas viteve ’90 dhe lehtësisht do arrini në konkluzionin e parë rreth pyetjes së huaj që është: ne prodhojmë kriza politike të brendshme në mënyra dhe përmasa të atilla saqë nuk i zgjidhim dot vetë, pa ndërhyrjen e huaj. Pra jemi prodhues krizash politike, por nuk kemi kapacitete për menaxhimin dhe zgjidhjen e tyre.

Në rastin konkret kriza politike e Shqipërisë ka kohë që ka nisur. Reagimet, pakënaqësitë, protestat, veprimet dhe lëvizjet shoqërore janë shtrirë në kohë, në hapësirë dhe në shumë shtresa të vendit. Veprimet e fundit të opozitës me dorëzimin e mandateve parlamentare shënojnë kulmin politik të krizës, përtej së cilës vendi mund të kalojë në mosbindje civile, në kaos dhe në anarki me pasoja serioze në të gjitha fushat.

Në këtë situatë krize dhe diskursi të ashpër politik erdhi në Shqipëri delegacioni i PE. Erdhi në një moment të paqartë, erdhi në mënyrë të nxituar dhe erdhi i papërgatitur. Vetë anëtarët e delegacionit të PE janë në pikun e fushatës së tyre zgjedhore për Parlamentin Europian dhe nën efektin e saj. Prandaj në çdo qëndrim e veprim të tyre u nisën më shumë nga impakti politik për veten dhe zgjedhjet e tyre, sesa nga qëllimi i vërtetë për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri.

Mund të thuhet se delegacioni PE u tregua konfuz, i painformuar mirë, i paqartë në qëndrime dhe i njëanshëm në deklarime. Delegacioni mbajti qëndrime të ngurta politike, pa sjellje, qëndrime dhe gjuhë diplomatike. Me këtë sjellje politike dhe mangësi diplomatike delegacioni e thelloi ndarjen midis palëve në krizë, në vend që ta ngushtonte atë. Delegacioni u duk që nuk kishte ardhur për të ndërmjetësuar për zgjidhjen e krizës, por për të mbajtur një qëndrim politik deklarativ të parafiksuar. Krizat politike kërkojnë zgjidhje diplomatike, pra kërkojnë gjetje kompromisi, nëpërmjet bisedimeve, dialogut dhe negociatave. Delegacioni i PE erdhi, foli dhe iku pa lënë pas asnjë impakt pozitiv në zgjidhjen e krizës politike. Delegacioni inkurajoi më shumë seç duhej mazhorancën dhe provokoi më shumë seç duhej opozitën. Me këtë qëndrim delegacioni i PE përkeqësoi më tej klimën politike në vend.

Pa menduar për nivele të tjera ndërmjetësimi ndërkombëtar, unë mendoj se politika shqiptare lypet të kërkojë dhe të gjejë zgjidhje brenda saj, të demonstrojë më së fundi që është pjekur për të menaxhuar dhe zgjidhur krizat vetë. Gjithashtu, mendoj se nuk janë shteruar institucionet kushtetuese, të paanshme dhe mbi palët për zgjidhjen e krizës. Paaftësia e politikës shqiptare për gjetjen e zgjidhjes së krizës dhe mos shterimi i gjithë institucioneve kushtetuese të paanshme dhe mbi palët për ndërmjetësim do ishin në vetvete një dështim më i rëndë se edhe vetë kriza. Në një vend demokratik ku mazhoranca dhe opozita nuk janë në gjendje të kërkojnë dhe të gjejnë zgjidhje të pranueshme midis tyre në interes të vendit dhe të qytetarëve si dhe nuk shfrytëzohen institucionet kushtetuese të paanshme dhe mbi palët për zgjidhjen e krizave demokracia nuk funksionon. Në këtë proces mazhoranca ka peshën kryesore politike, opozita ka peshën kryesore morale, ndërsa institucionet kushtetuese të paanshme dhe mbi palët kanë peshën e tyre shtetërore.

Opozita ka ndërmarrë një veprim ekstrem duke hequr dorë nga mandatet, kurse mazhoranca këmbëngul se vendi do shkojë në zgjedhje vetëm në vitin 2021. Si mendoni se mund të rikthehet ekuilibri politik në vend? Çfarë mund të bëjnë të huajt në këtë drejtim?

Dorëzimi i mandateve parlamentare do të thotë heqje dorë nga parlamentarizmi. Me këtë vendim opozita transferoi luftën politike në sheshet dhe rrugët e Shqipërisë. Interpretimi politik i dorëzimit të mandateve të opozitës po bëhet bardh e zi nga faktorët lokalë, por edhe ndërkombëtarë. Ka qasje që e quajnë precedent ta paarsyetuar të opozitës. Ka qasje që e quajnë precedent të imponuar nga mazhoranca. Njëra palë i referohet manualeve të demokracisë, pala tjetër i referohet rastit ‘sui generis’ të Shqipërisë. Unë mendoj së të dy palët kanë çfarë të shohin te vetvetja, por edhe te kundërshtari. Për mendimin tim rruga më e drejtë dhe më efikase e opozitës do të ishte gërshetimi i të dy alternativave, i parlamentarizmit dhe i protestave politike dhe qytetare. Gërshetimi i dy rrugëve të mësipërme do të shfrytëzonte avantazhet parlamentare dhe qytetare, do e fuqizonte aksionin politik të opozitës shqiptare, do të hiqte argumentet e brendshme të kundërshtarëve politikë dhe të faktorëve ndërkombëtarë si dhe do i shërbente më mirë shkuarjes drejt zgjidhjes së re.

Lidhur me opozitën do thoja që është mirë të mbajë parasysh se kur hyhet në një rreth krize është e nevojshme të ketë edhe një strategji dalje prej saj. Nuk hyhet në krizë vetëm me formula të ngurta dhe aksion të improvizuar. Hyrja në krizë pa strategji dalje është me pasoja për vendin dhe për vetë opozitën. Strategjia e daljes nga kriza dizajnohet me disa faza, me disa skenarë dhe me disa zgjidhje. Është detyrë e opozitës të jetë e gatshme dhe e qartë në strategjinë e saj ndaj mazhorancës.

Lidhur me mazhorancën, do të thoja që nevojitet të zbresë me këmbë në tokë, të shohë realitetin në sy, të heq dorë nga qëndrimet skematike, nga retorika propagandistike, nga sjelljet arrogante dhe të mendojë jo për margjinalizimin dhe anatemimin e skajshëm të opozitës, por për tërheqjen dhe përfshirjen e saj drejt një kompromisi politik. Është detyrë e mazhorancës që të ofrojë zgjidhje alternative, me sjellje tolerante dhe me frymë kompromisi ndaj opozitës.

Në kushtet kur mazhoranca dhe opozita qëndrojnë në tabore më vete dhe të ngurta lind nevoja që të hyjë në lojë një faktor i tretë i brendshëm kushtetues, i paanshëm dhe mbi palët, ose të pritet një faktor i tretë, në rastin konkret ndërkombëtar për të ndërmjetësuar në zgjidhjen e krizës. Në rast dështimi i çdo përpjekjeje politike të brendshme dhe i shterimit të çdo institucioni kushtetues të paanshëm dhe mbi palët, atëherë lind nevoja për ndërmjetësim ndërkombëtar. Por jo çdo faktor ndërkombëtar mund ta bëjë këtë rol, jo çdo delegacion i huaj ka vullnet për këtë mision, jo çdo i ardhur nga jashtë është i përgatitur për këtë sfidë, jo çdo përfaqësues i huaj ka paanësinë, besueshmërinë dhe kapacitetin për zgjidhjen e krizës. Mendoj se delegacioni i sapoardhur PE është shembulli më i mirë sesi nuk duhet të jenë ndërmjetësuesit ndërkombëtarë për krizën aktuale politike në Shqipëri.

 

Çejku: Retorika e burokracisë së Brukselit nuk frymëzon më si dikur

Flet Arben Çejku, drejtor i Qendrës Shqiptare për Qeverisje të Mirë

Pas situatës së krijuar në Shqipëri, në Tiranë kanë mbërritur ata që në media po quhen “vala e parë e ndërkombëtarëve”. Bëhet fjalë për disa eurodeputetë…

Vizita e eurodeputetëve në Tiranë ishte e rëndësishme, pavarësisht se nuk solli ndonjë dobi konkrete për krizën. Delegacioni i gjeti dhe i la palët në të njëjtën situatë. Por, vetë ardhja e këtij delegacioni ishte një shenjë e qartë treguese se jehona e krizës politike të Shqipërisë, nuk është e izoluar vetëm në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, por se ajo ka mbërritur tashmë në Bruksel. Mendoj se e njëjta valë shqetësimi ka prekur edhe Uashingtonin, i cili në javët në vazhdim besoj se do të jetë më aktiv në këtë drejtim. Ky grup, them se pati takime të rëndësishme dhe e mori bazën e të dhënave kryesore mbi krizën. Nuk besoj se ka patur iluzione, që ata do të sillnin zgjidhjen këtu. Aq më tepër, që ky grup nuk kishte ndonjë mandat negocimi nga Brukseli. Ai mund të konsiderohet më shumë si një grup faktmbledhës dhe do të jenë të tjerë ata që do të angazhohen më thellësisht për këtë krizë.

Si e lexoni qëndrimin e tyre?

Qëndrimet që mbajti ky grup në takimin me median, personalisht për mua nuk përbënin ndonjë surprizë, ishin brenda pritshmërisë. Opozita do të ballafaqohet sërish me presionin ndërkombëtar, për aq kohë sa ajo do ta ketë kristalizuar qëndrimin dhe ofertën e saj. Por, nuk duhet të harrojmë se, diplomatikisht, edhe qeveria i ka marrë mesazhet nga kancelaritë e huaja, pavarësisht se ato nuk bëhen gjithmonë publike. Referuar konferencës me median, që patën të enjten eurodeputetët, më vjen keq të them që politikanë të njohur si Knut Flekenshtajn apo të tjerë si ai, ende nuk e kanë kuptuar se retorika e burokracisë së Brukselit nuk frymëzon më si dikur në rajonin tonë. Ata duhet të kenë parasysh se, kur flitet për elita politike të korruptuara në Ballkan, e njëjta gjë thuhet edhe për politikanë dhe burokratë në Bruksel, të cilët stabilitetokracinë e kanë vënë prioritet strategjik për qeveri problematike të rajonit tonë, në krahasim me nevojat për demokraci që kanë popujt e këtyre vendeve, që në shumicë janë në valë protestash. Kjo do të thotë, që janë të padobishme retorikat që nuk ofrojnë zgjidhje, gjithëpërfshirje dhe parimore. Nuk ka rëndësi gjuha që përdoret, anglisht apo shqip; rëndësi ka mesazhi që japin.

Disa thonë që kjo krizë kërkon një nivel tjetër reagimi. Ju si mendoni?

Unë besoj se edhe vetë delegacioni i europarlamentarëve që ishte këtu në Tiranë, e ka kuptuar se sa i thellë është hendeku mes opozitës e mazhorancës. Unë mendoj se ata, pavarësisht mesazheve që dhanë në Tiranë (të cilat u kuptuan në mënyra të ndryshme), në Bruksel do të sugjerojnë ngritjen e një grupi tjetër për negocim më serioz me lidershipin politik të Shqipërisë.

Përveç Brukselit, i cili për disa javë do të përfshihet ethshëm në zgjedhjet për Parlamentin Europian, unë shoh një mundësi akoma më të madhe tek Uashingtoni për të na ndihmuar në tejkalimin e kësaj krize. Tryeza e një dialogu substancial dhe produktiv është e pashmangshme.

Opozita ka ndërmarrë një veprim ekstrem duke hequr dorë nga mandatet… Si mund të rikthehet ekuilibri politik në vend. Çfarë mund të bëjnë të huajt në këtë drejtim.

Kriza është shqiptare, faktorët janë shqiptarë dhe zgjidhjen duhet ta bëjnë shqiptarët! Kjo lidhet me zbatimin e marrëveshjes, sepse nuk janë ndërkombëtarët që duhet ta zbatojnë, por klasa jonë politike. Natyrisht, kjo krizë nuk do të zgjidhet aq lehtë dhe pa presionin e theksuar ndërkombëtar.

Ndërkombëtarët, në çdo rast do të ndikojnë në lehtësimin e dialogut dhe arritjen e marrëveshjes finale. Por, duhet të jenë palët e përfshira në këtë krizë, që duhet të mendojnë për zgjidhjen në interes të vendit. Bojkoti in extremis i opozitës, tashmë është një fakt i pakthyeshëm dhe ka krijuar një element të panjohur për krizat e dikurshme politike në Shqipëri. Braktisja e parlamentit në mes të mandatit të tij kushtetues, është një precedent jo fort i njohur dhe kjo pikë e krizës, kërkon një vëmendje shumë të madhe dhe trajtim me gjakftohtësi.

Mazhoranca, formalisht i ka të gjitha justifikimet ligjore për të ecur e vetme drejt zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019 si dhe për të mbaruar mandatin e saj në 2021. Përpjekjet e saj të sforcuara për të dëshmuar në sytë e publikut, se kriza nuk është gjithëpërfshirëse, por e izoluar vetëm tek opozita dhe vendet e saj bosh në parlament, janë të mirëkuptueshme. Ajo do të vazhdojë ta luajë këtë kartë publikisht sa më gjatë të jetë e mundur, por nga ana tjetër, jam i bindur që edhe ajo së brendshme po e mendon se rrugëdalja e vetme do të jetë dialogu dhe kompromisi me opozitën. Dhe natyrisht, kompromisi me opozitën do të shoqërohet edhe me kosto politike. Mazhoranca ka kapacitete të mjaftueshme, me eksperiencën e duhur dhe vizionin e nevojshëm, për të iniciuar debatin e brendshëm, në favor të një dialogu real me opozitën, për ta kapërcyer sa më shpejt dhe sa më lehtë këtë krizë. Nuk besoj se janë të gjithë të ndërvarur te pushteti, ashtu siç besoj se edhe në krahun e opozitës ka kapacitete të mjaftueshme, që mendojnë interesin e vendit para interesave të tyre partiake dhe personale.

Pikërisht në këtë fushë edhe ndërkombëtarët do të navigojnë për të dizajnuar një marrëveshje gjithëpërfshirëse, të pranueshme dhe të zbatueshme nga palët, duke mos lejuar thellimin e mëtejshëm të krizës, e cila mund të ketë pasoja për të ardhmen tonë demokratike dhe europiane. Ndërkombëtarët, nuk mund ta zgjidhin krizën as me diktat dhe as me magji, por duke u bazuar fort në alternativat dhe mundësitë që ofrojnë palët. Unë besoj se kriza do të zgjidhet përmes një tryeze dialogu, me prezencën e SHBA dhe BE dhe, marrëveshja e re do të jetë një paketë e gjerë detyrimesh, që përveç problematikës së zgjedhjeve, do të përfshijë edhe disa elementë të tjerë të rëndësishëm politiko–ligjorë.

 

Nesho: Do shtohet presioni i të huajve për krijimin e një qeverie të re

Flet diplomati i njohur dhe analisti Agim Nesho

Pas situatës së krijuar në Shqipëri, në vend kanë mbërritur ata që media po i quan si ‘vala e parë e ndërkombëtarëve’. Bëhet fjalë për disa eurodeputetë. Si e lexoni qëndrimin e tyre? Disa thonë se kjo krizë kërkon një tjetër nivel reagimi. Ju si mendoni?

Para dy ditësh një delegacion i parlamentit evropian vizitoi Shqipërinë dhe më pas Maqedoninë e Veriut. Këto vizita janë zhvilluar në kuadrin e vlerësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e hapjes së negociatave për aderim në Bashkimin Europian. Shqipëria dhe Maqedonia dështuan të merrnin këtë konfirmim në maj 2018 në samitin e Sofjes, por u la i hapur një vlerësim i situatës për fundin e vitit 2019. Duke qenë një vizitë e fundit e përfaqësuesve të Parlamentit Europian përpara zgjedhjeve evropiane që do zhvillohen pas dy muajsh në maj 2019, reagimi i euro-deputetëve ishte politikisht korrekt – të mos hyjnë në thellësi të çështjes, por të shprehen në thelb vetëm për vërtetësinë e “nevojës së parlamentit dhe parlamentarizmit”.

Shprehje të tilla ‘by the book’ janë bërë të zakonshme gjatë periudhës së tranzicionit demokratik në Shqipëri, kur përfaqësues të tjerë të institucioneve ndërkombëtare dhe Parlamentit Europian justifikonin të pajustifikueshmen – zgjedhjet e vitit 1996 dhe legjitimitetin e tyre. Ajo që po ndodh në Shqipëri sot është një veprim ‘in extremis’ për një situatë ‘in extremis’. Demokracia shqiptare gjithmonë e më shumë po rrëshqet në një regjim jo liberal, me pushtet autoritarist të pakontrolluar që ka kapur të gjitha pushtetet në Shqipëri. Mungesë të plotë transparence, mungesë në zbatimin e shtetit ligjor, korrupsion dhe lidhje të politikës me krimin e organizuar. Të njëjtat fenomene janë shprehur qartë në Strategjinë e Zgjerimit, shkurt 2018, të Komisionit Europian për Ballkanin Perëndimor.

Pas publikimit të fakteve tronditëse nga “Zëri i Amerikës” se edhe procesi i zgjedhjeve ishte prekur dhe delegjitimuar, Opozita nuk mund të mbetej fasadë, por doli nga parlamenti dhe bëri thirrje për vendosjen dhe funksionimin e demokracisë. Këta përfaqësues të Parlamentit Europian duke mos njohur gjendjen dhe folur ex katedra nuk mund të zhvillonin “leksion demokracie” në një “sulltanat lindor”.

Duke krijuar një efekt negativ tek opinioni publik shqiptar, ata thellojnë mosbesimin tek institucionet europiane, të cilat kanë mbyllur sytë në rastet kur krimi ka hyrë në politikë dhe Parlament, kur Shqipëria u kthye në një narko-shtet etj. Ky mision nuk mund të ishte vala e parë e negocimit kur mbron stabilitetin fals të Shqipërisë. Ai për më tepër ju tregon shqiptarëve mosfunksionimin e institucioneve të Brukselit në mbrojtje të vlerave morale dhe demokracisë europiane.

Opozita ka ndërmarrë një veprim ekstrem duke hequr dorë nga mandatet, kurse mazhoranca këmbëngul se vendi do shkojë në zgjedhje vetëm në vitin 2021. Si mendoni se mund të rikthehet ekuilibri politik në vend? Çfarë mund të bëjnë të huajt në këtë drejtim?

Kemi arritur në një situatë ku opozita e bashkuar e vendit ka djegur mandatet dhe i është bashkuar popullit. Kërkesat e saj nuk janë për të marrë pushtetin në tavolinë, por rikthimin e legjitimitetit të zgjedhjeve dhe demokracisë funksionale në Shqipëri. Ata kërkojnë që garantuesi i zgjedhjeve të jetë një qeveri e re pa kryeministrin Rama, si shkaku kryesor i deformimit të sistemit politik, i prishjes së balancave. Kjo krizë politike kërkon një zgjidhje politike. Zgjedhjet konsensuale të vitit 2017 treguan se ishin vetëm një farsë.

Elementet bazë të zgjidhjes së krizës janë:

Së pari, ndërgjegjësimi i klasës politike shqiptare për një zgjidhje sa më të shpejtë, kur interesat kryesorë të shqiptarëve dhe Shqipërisë janë integrimi në Bashkimin Europian. Pushteti nuk është qëllim në vetvete. Ai duhet t’u shërbejë interesave të popullit. Ky variant në Shqipëri ka fare pak gjasa të ndodhë sepse liderët shqiptare mendojnë se janë të pazëvendësueshëm dhe misionarë dhe partitë kanë humbur misionin e tyre.

Së dyti, negocimi i zgjidhjes politike nga aktorët kryesorë ndërkombëtarë aleatë të Shqipërisë, si SHBA dhe BE. Duke njohur interesat e fuqive të tjera rajonale në Ballkanin Perëndimor si dhe përpjekjet e tyre për një Ballkan të destabilizuar do të rrisin interesin e Perëndimit për të gjetur një zgjidhje sa më shpejt. Perëndimi nuk është se nuk i njeh problemet serioze të funksionimit të demokracisë si në Shqipëri ashtu edhe në Ballkanin Perëndimor, por kërkojnë që situata të mos dalë jashtë kontrollit, të mos manipulohet nga fuqi të huaja, të kontrollojë lëvizjet “dëshpëruese” të liderëve ballkanikë të korruptuar dhe të shmangë precedentin e krijuar me lënien e parlamentit.

Mendoj që kjo krizë do të “përpëlitet” disa muaj, por qëndresa e opozitës për të mos marrë pjesë në zgjedhjet lokale do të rrisë presionin e ndërkombëtarëve për një zgjidhje të shpejtë politike dhe krijimin e një qeverie të re. Rilindja, ky eksperiment i madh në një vend demokratik, nuk mund të kthejë sërish partinë-shtet në pushtet.

 

Bello: Gjithçka varet nga mbështetja e qytetarëve për kauzën e opozitës

Flet ish-diplomati dhe një nga emrat e njohur të politikës në PS, Marko Bello

Pas situatës së krijuar në Shqipëri, në vend kanë mbërritur ata që media po i quan si ‘vala e parë e ndërkombëtarëve’. Bëhet fjalë për disa eurodeputetë. Si e lexoni qëndrimin e tyre? Disa thonë se kjo krizë kërkon një tjetër nivel reagimi. Ju si mendoni?

Dje të gjithë pamë sesi delegacioni i Parlamentit Europian mbështeti hapur mazhorancën dhe qortoi opozitën për braktisjen e Kuvendit dhe “djegien” e mandateve. Europarlamentarët i mbetën besnikë kështu konceptit të tyre se demokracia zhvillohet brenda institucioneve dhe se opozita, duke dalë jashtë tyre, dëmton si veten ashtu edhe vendin, aq më tepër që në qershor pritet një vendim tjetër nga Këshilli Europian mbi çeljen ose jo të negociatave për anëtarësim të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Sigurisht që europalamentarët nuk mund të zëvendësojnë kancelaritë e vendeve anëtare të BE dhe në ditët e ardhshme pritet me shumë interes qëndrimi i vendeve anëtare dhe kryesisht SHBA, si partneri kryesor strategjik. Unë mendoj se në këtë fazë, qëndrimi i faktorit ndërkombëtar do të jetë thuajse i njëjtë, ndoshta me ndonjë nuancë, por gjithsesi në mbështetje të reformës në drejtësi, luftës kundër krimit e korrupsionit dhe nuk do të mungojnë thirrjet që opozita të rikthehet në parlament. Gjithçka do të varet nga dinamika e ngjarjeve që pritet të ndodhin…

Opozita ka ndërmarrë një veprim ekstrem duke hequr dorë nga mandatet, kurse mazhoranca këmbëngul se vendi do shkojë në zgjedhje vetëm në vitin 2021. Si mendoni se mund të rikthehet ekuilibri politik në vend? Çfarë mund të bëjnë të huajt në këtë drejtim?

Ndoshta është ende shpejt për të kuptuar nëse opozita do të tërhiqet nga vendimi i saj ekstrem si rezultat i presionit në rritje të ndërkombëtarëve, apo mazhoranca do të detyrohet të pranojë një zgjidhje politike që nënkupton edhe zgjedhjet e parakohshme. Në rast se kauza për të cilën lufton opozita do të përkrahet gjithnjë e më shumë nga qytetarët, nëse qeveria do ta ketë të vështirë të ruajë rendin dhe stabilitetin e vendit, mund të shikojmë ndryshim në qëndrimin e ndërkombëtarëve, të cilët do të rrisin presionin ndaj mazhorancës dhe kryeministrit, duke u kërkuar atyre që të gjejnë zgjidhje të pranueshme nga palët, me qëllim që vendi të mos rrëshqasë në hulli të rrezikshme destabilizimi. Por, nëse pretendimet e opozitës nuk do të mbështeten, në rast se ajo nuk gjeneron dot shpresë dhe optimizëm se gjerat në këtë vend mund të përmirësohen, nëse lidershipi i saj nuk arrin të bindë me alternative të besueshme qytetarët, mazhoranca mund ta ndryshojë situatën në favor të saj dhe të qeverisë deri në fund të mandatit.


Fatal error: Uncaught ___C_0: (E_ERROR) Trying to access array offset on value of type bool in /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/js/tinymce/skins/wordpress/images/formatting.config:252 Stack trace: #0 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(13): ___C_5->_errorHandler(2, 'Trying to acces...', '/home/gazetamap...', 13) #1 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(17): JNews\Module\Block\Block_9_View->get_demo_style() #2 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(74): JNews\Module\Block\Block_9_View->get_image_size() #3 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(63): JNews\Module\Block\Block_9_View->build_column(Array, 'jeg_col_2o3') #4 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(47): JNews\Module\Block\Block_9_View->render_column(Array, 'jeg_col_2o3') #5 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/BlockViewAbstract.php(17): JNews\Module\Block\Block_9_View->render_output(Array, 'jeg_col_2o3') #6 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/ModuleViewAbstract.php(165): JNews\Module\Block\BlockViewAbstract->render_module(Array, 'jeg_col_2o3') #7 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Single/SinglePost.php(1265): JNews\Module\ModuleViewAbstract->build_module(Array) #8 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Single/SinglePost.php(205): JNews\Single\SinglePost->related_post(false) #9 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php(307): JNews\Single\SinglePost->related_post_hook('') #10 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php(331): WP_Hook->apply_filters(NULL, Array) #11 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/plugin.php(474): WP_Hook->do_action(Array) #12 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/fragment/post/single-post-1.php(66): do_action('jnews_single_po...') #13 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template.php(772): require('/home/gazetamap...') #14 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template.php(716): load_template('/home/gazetamap...', false, Array) #15 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/general-template.php(204): locate_template(Array, true, false, Array) #16 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/single.php(16): get_template_part('fragment/post/s...') #17 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template-loader.php(106): include('/home/gazetamap...') #18 /home/gazetamapo/public_html/wp-blog-header.php(19): require_once('/home/gazetamap...') #19 /home/gazetamapo/public_html/index.php(17): require('/home/gazetamap...') #20 {main} thrown in /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/js/tinymce/skins/wordpress/images/formatting.config on line 252