Aktualitet

Demokracia e sotme nuk është ajo çfarë parafytyronin themeluesit e Amerikës









Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 17:30 - 23/01/21 |
Dora Mekouar

Etërit që themeluan Amerikën ishin ndër më të pasurit e kolonive kur ata hartuan dhe nënshkruan Kushtetutën, dhe të tillë e prisnin se do të ishte udhëheqja e kombit të ri.



“Nuk ishte parafytyruar si një lloj demokracie e drejtpërdrejtë, ku të gjithë amerikanët do të hidhnin votën për të gjitha çështjet”, thotë Andrew Wehman, profesor i asociuar i historisë në Universitetin Qendror të Miçiganit. “Vetë votimi, mendonin ata, duhej të rezervohej për njerëzit me pasuri dhe arsim, por nuk dëshironin të kufizonin llojet e tjera të pjesëmarrjes politike”.


Themeluesit prisnin që njerëzit e thjeshtë, të varfër dhe të paarsimuar, të merrnin pjesë në mënyrë indirekte, nëpërmjet qeverisjes së tyre vendore, në takimet me publikun dhe veprimeve protestuese, si p.sh. bojkoti.




Disa prej themeluesve ishin veçanërisht të shqetësuar për populizmin dhe mbizotërimin e turmave.



“Ata ishin nga njerëzit që mendonin se demokracia ishte një fjalë e turpshme. Madje edhe John Adams thoshte gjëra të tilla. Ai nuk donte që njerëzit e varfër të votonin; ai nuk donte që gratë të votonin”, thotë zoti Wehrman.


Bruce Kuklick, profesor i historisë amerikane në Universitetin e Pensilvanisë, thotë se hartuesit e Kushtetutës kishin një perceptim shumë të ndryshëm të demokracisë nga ç’kanë amerikanët sot.

“Themeluesit nuk e donin aspak këtë lloj demokracie. Kushtetuta është shkruar në mënyrë që të drejtat e qytetarisë të jenë shumë, shumë të kufizuara”, thotë ai. “Ata shqetësoheshin për demokracinë… Ishte një formë e keqe e qeverisjes, sepse pasi i lë të gjithë të marrin pjesë, atëherë ka të ngjarë të zgjidhet një demagog. Ka të ngjarë të vijnë njerëz në pushtet që tërheqin histerinë e masave. Ajo ide është zhdukur prej kohësh”.

Zoti Wehrman tregon se hartuesit e Kushtetutës u kujdesën që vetëm një pjesë e një dege të qeverisë federale, Dhoma e Përfaqësuesve, të zgjidhet gjerësisht nga populli. Kolegji Zgjedhor zgjedh presidentin, komandanti i përgjithshëm zgjedh gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe, fillimisht, senatorët zgjidheshin nga legjislaturat e shtetit.

“Është një përpjekje tjetër për t’iu larguar pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë të një grupi të madh njerëzish në procesin politik”, thotë zoti Kulick. “Pra, janë gjithë ato kufizime të tjera që ata shkruajnë në Kushtetutë për të shmangur atë që e parafytyrojnë si një anije në rrezik mbytjeje, ku shumë njerëz të paditur dhe të varfër marrin të drejtën e votës”.

Vetëm pas ratifikimit të vitit 1913 të Amendamentit të 17-të të Kushtetutës, senatorët amerikanë u zgjodhën me votim të drejtpërdrejtë nga populli.

“Në mënyrë të qartë, Kushtetuta u shkrua dhe u miratua për të sprapsur disa nga veprimet e ndërmarra nga legjislaturat e shteteve. Njerëz si James Madison dhe Alexander Hamilton menduan se legjislaturat e shteteve dhe votuesit në shumicën e shteteve kishin shkuar shumë larg, se shumë njerëz po merrnin pjesë në politikë, shumë njerëz po votonin”, thotë zoti Wehrman.

Për shembull, shteti Nju Xhersi u dha të drejtën e votës banorëve që mund të arrinin një prag të caktuar të pronësisë. Kjo përfshinte gratë dhe afrikano-amerikanët, të cilët ishin në gjendje të votonin nga 1776 deri në 1807, kur shteti i kufizoi të drejtat e votimit vetëm për burrat e bardhë.

“Ata (themeluesit) menduan se kishte shumë zëra në legjislaturat e shtetit, se shtetet po bëheshin shumë radikale dhe i detyroheshin interesave të njeriut të thjeshtë, kur duhej të ishin më të rezervuar dhe më akomodues për të pasurit dhe të arsimuarit që merreshin me biznes”, thotë zoti Wehrman.

Atëherë, çfarë do të mendonin për Amerikën e sotme njerëz si Alexander Hamilton, John Adams dhe hartuesit e tjerë të Kushtetutës?

“Unë mendoj se të gjithë do të ishin disi të kënaqur që korniza e përgjithshme që ata krijuan është akoma në veprim”, thotë zoti Wehrman.

Dhe ata madje mund të ishin të hapur për ndryshimin. Mbi të gjitha, ata hartuan një proces për ndryshimin në përgjithësi ose ndryshimin e Kushtetutës. Ata madje e shfrytëzuan atë proces me ratifikimin në 1804 të Amendamentit të 12-të, i cili përcaktoi votime të veçanta të Kolegjit Zgjedhor për presidentin dhe nënpresidentin. Ky ndryshim shmangu që kundërshtarët politikë nga partitë rivale të shërbejnë në të njëjtën administratë si president dhe nënpresident.

E megjithatë, thotë zoti Kuklick, Etërit Themelues do të konsideroheshin reaksionarë sipas standardeve të sotme.

“[Ata] nuk e donin atë që ndodhi”, thotë zoti Kuklick. “Dhe një nga transformimet e mahnitshme të Shteteve të Bashkuara në shekullin e 19-të është se ne shkuam nga një perceptim shumë, shumë i kufizuar i pjesëmarrjes nga njerëzit në qeveri, në atë që njerëzit tani e pranojnë plotësisht si mënyrën demokratike”.

Megjithëse demokracia në veprim sot mund të mos jetë saktësisht ajo që parashikuan themeluesit, paratë dhe pushteti vazhdojnë të luajnë një rol jetik në politikën amerikane. Dhe, duke pasur parasysh që shumica dërrmuese e presidentëve amerikanë kanë qenë të pasur në mënyrë të pavarur, qëllimi i themeluesve për të rezervuar vende për të pasurit në radhët e para të qeverisjes është përmbushur në thelb./VOA/

1


Etiketa:

Pas