Nga Veli Haklaj
VIJON NGA NUMRI I KALUAR
Jehona e demonstratës së 28 tetorit 1941
Demonstrata e Tiranës, më 28 tetor 1941, pati jehonë dhe ndikim pozitiv në mbarë Shqipërinë. Një ndër qendrat që reagoi më shpejt në frymën e këtyre protestimeve ishte qyteti i Korçës. Përveç të tjerave, këtë reagim e favorizonte edhe veprimtaria e Grupit Komunist të Korçës, por, veçanërisht, prania e vatrave kulturore – studentore me formim atdhetar.
Në komunikimin shkresor të 15 nëntorit 1941, Drejtoria Qendrore e Policisë i dërgonte Kuesturës Mbretnore të Korçës dhe për dijeni Kuesturës Mbretnore të Tiranës një letër anonime me përmbajtje antifashiste drejtuar Gjimnazit të Shtetit në Tiranë, që vinte nga Korça, e cila ishte hequr nga qarkullimi në kontrollin postar. Në atë letër deklarohej solidarizimi i vajzave të Korçës me manifestimin studentor të ndodhur në Tiranë, më 28 tetor 1941, dhe ftoheshin studentët e punëtorët me e nxjerrë prej Shqipërisë fashizmin e nazizmin.
Letra, e shkruar me dorë më 30 tetor 1941, mbante në zarf vulën postare të Korçës, më datën 31 tetor 1941.
Në lidhje me këtë problem, Drejtoria Qendrore e Policisë u kërkonte shërbimeve të kuesturës në Tiranë dhe Korçë që të “bënin hetime shumë të kujdesshme me qëllim që të zbulohen e rreshtohen autorët, tue përdorë çdo mjet të dobishëm, përfshi shërbimin fiduçiar, për me ia dalë sa mâ shpejt e sa mâ me siguri qëllimit”.
Në pritje të përfundimit të hetimeve, Kuesturës së Tiranës iu dërgua dhe një kopje e letrës së përmendur.
Teksti i letrës
Korçë, më 30 tetor 1941
Të dashur shokë,
Urime të përzemërta shokëve dhe shoqeve të Gjimnazit të Shtetit të Tiranës për suksesin që kanë treguar në revolucionin kundër fashizmit të poshtër që na është bërë si plehër në “Shqipërinë tonë të dashur”.
“Luftoni shokë, spastroni tokën shqiptare nga këta plehraxhinj që na kanë skllavëruar, që na kanë përdorur si kafshë, si veglat e tyre”.
“Kërkoni Shqipërinë të lirë, shporrni Duçen, kokë derrin që na shtihet në ëndërr, që na llahtaris, që ju kalli frikën popullit shqiptar.
Bashkohuni si shqiptarë e luftoni të zhdukim fashizmin e nazizmin. O burra punëtori, me krahun e çelniktë të shkatërrojmë mbretërinë që të ka në skllavëri.
Rroftë Shqipëria e lirë!
Rroftë gjuha shqipe!
Rrofshin gjithë të rinjtë e të rejat shqiptarë!
Vula (drapër e çekan)
Salutime nga vajzat korçare.
Shqipëria.
Zhvillimi i demonstratës së Korçës
Sipas informacionit të dërguar nga Komandanti Epror i Karabinierisë Mbretnore Shqiptare, Gjeneral Brigade Giusepe Paglieri, dhe të dhënave të dokumentuara në shkresën e datës 17 nëntor 1941, të drejtorit Qendror të Policisë, Zef Kadarja, dërguar Mëkëmbësisë së Përgjithshme dhe për dijeni Këshilltarit të Përhershëm, pranë Kryesisë së Këshillit të Ministrave, dhe Zyrës Politike dhe Personelit, në Ministrinë e Brendshme, demonstrata e 8 nëntorit 1941, në Korçë, që për autoritetet e mësipërme konsiderohej manifestim kryengritës, kishte ndodhur si më poshtë vijon:
Më 8 nëntor 1941, nga ora 11.00, një grup prej afër 80 studentësh të Liceut Turtulli të mbedhur papritmas në afërsinat e atij Instituti kishin zbritur në grup drejt qytetit duke përshkuar rrugën kryesore.
Grupi, ku ishin futur elementë të ndryshëm të jashtëm, prihej prej dhjetë nxënësish që bashkë me studentët këndonin këngë Kombëtare Shqiptare duke thirrë “Rroftë Shqipnija e lirë”, “Feja s’na ndanë”, “Feja e jonë është Shqipnija”, “Poshtë ata që punojnë për këtë qëllim”. Kishin edhe tre tabela të shkruara në gjuhën shqipe me parullat e mësipërme.
Ndërsa zhvillohej kjo demonstratë e vëzhguar nga pak agjentë të KK. MM., që ishte qenë e mundur me i mbledhë, u mbajtë në Prefekturë një mbledhje në mes drejtorit të Policisë së Korçës, prefektit, komandatit të KK. MM., komandantit të Milicisë Fashiste Shqiptare e përfaqësuesit të Mëkëmbësisë së Përgjithshme për me konkretizue situatën e me marrë masat e rastit.
Ndërkohë, grupi që kishte parakalue në mes indiferencës së përgjithshme, së cilës popullata nuk ia vuri veshin e që gjatë rrugës kishte ngritur një flamur të regjimit të kaluar (Flamurin Kombëtar) kishin arritë në rrugën “Mbretëresha Elena”, në afërsi të lulishtes publike.
Këtu, për shkaqe të papërcaktueme, një këpucar, i cili po kërkohej vazhdimisht prej strukturave të Sigurisë Publike, emni i të cilit nuk dihej e që në fillim besohej se qe Tomorr Zavalani, ju drejtue kapitenit të KK. MM. Luigi Cognioli duke i bâ sheja tallëse dhe sulmuese (dhunimi). Kapiteni iu afrue për ta qetësue duke e ftue të hiqte dorë e mos të harrojë se kishte të bânte me një oficer të KK. MM. Atëherë ai njeri ngriti duart kundra në shej kërcënimi, duer që i kapi menjëherë kapiten Cognioli që përfshihet n’atë grindje e mbi të u hodhën shumë demonstrues.
Në këtë kohë, nënbrigadieri i KK. MM. Ritrosi Luigi, i Stacionit të Rrugës Prejes, Korçë, si pau eprorin e vet të rënë përdhe, duke parë numrin e sulmuesave, duke parë oficerët të keqpërdorur dhe mâ në fund duke dëgjuar disa pushkë të shtime nga demonstruesit, hodhi bombën pas grupit të sulmuesave, e cila plasi. Gati njëkohësisht u dëgjue plasja e një bombe tjetër të hedhur nga ndonjë nga grumbulli i demonstruesave, sepse fuqia publike nuk kishte bomba. Krisja e armëve të zjarrit të sipërpërmendura dhe plasja e dy bombave u pasuan, mâ në fund, nga të shtëna të tjera armësh zjarri, të shtime kësaj here nga ushtarët e Milicisë Fashiste dhe nga agjentët e Sigurisë Publike. Sipas Komandantit Epror të Karabinierisë Mbretnore Shqiptare Gjeneral Brigade Giusepe Paglieri, karabinierët e paktë nuk kishin shti, sikurse kishte rezultuar nga inspektimi i armëve. Përgjithësisht ishin shti nga të dy palët nga gjashtëdhjetë pushkë.
Episodet e violencës së sipërpërmendur ishin zhvillue në më pak se sa pesë minuta, por pjesa më e gjakshme e ngjarjes ka qenë e çastshme. Turma u shpërnda menjëherë duke ikur. Në tokë u gjetën një i vdekur e dy të plagosun rëndë, kurse pjesa tjetër e madhe e të plagosurve, gjithësejt 22 vetë, u mblodhën e u shtruan në siptal.
Menjëherë u ndaluan nga Kuestura dhe nga Arma e Karabinierisë 21 persona të dalluar si mâ të ndezun nga demonstruesit dhe ndër ta katër studentë, dy civilë të liruem tash vonë nga masat policore dhe të qortuem nga Arma për aktivitet të dyshimtë në fushën politike.
Personat e ndaluar të evidentuar si përgjegjësat më kryesorë ishin: Vasil Ballço – fotograf, Zisi Avram – rrobaqepës, Theodor Maliqi, Kostika Kulla – rrobaqepës, Teli Samsuri – tregtar, Nexhat Dishnica, Petro Treska, Mina Uçi.
Gjeneral G. Paglieri do theksonte faktin se “ndër organizatorët dhe shtytës të manifestimit, përveç atyre pak elementëve të njohur që do të kërkohen ndërmjet studentëve, përveç keqbâmsave që janë përzier, janë padyshim edhe të tjerë jashtë ambientit të studentave që, mundësisht, as nuk kanë marrë pjesë në manifestim. Mbi këtë ishin në vijim hetimet.”
Nga autoritetet drejtuese të karabinierisë dhe policisë besohej se ngjarja ishte bërë në shenjë protestimi të ngjarjeve të Tiranës e se kishte pasë të njëjtin qëllim.
Në një informacion të datës 9 nëntor 1941, që drejtori i Shkollës së Mesme në Korçë, Injac Naraçi, i kishte dërguar Ministrisë së Arsimit ai implikon studentët Jahja Panariti, Pranvera Pojani, Andre Stefani, Jordan Nikolla, Reis Malile, Gaqo Denati, Evander Vinçani, Neim Kuçin dhe Muharrem Butkën, vëllanë e profesorit Safet Butka.
Në vijim të komunikimeve për këtë ngjarje, me datën 23 nëntor 1941, Drejtoria Qendrore e Policisë do njoftonte Kryesinë e Këshillit të Ministrave se në lidhje me demonstratën e Korçës, kuestura e vendit kishte rreshtuar 14 persona që kishin bërë pjesë në demonstratë dhe tre të tjerë, të pandehur se ndoshta përgatitshin ndonjë demonstratë tjetër kundër regjimit. Gjithashtu, Arma e Karabinierisë rezervohej me procedue të tetëmbëdhjetë të plagosurit që ishin shtruar në spital.
Në lidhje me këto veprime procedurale, Drejtoria Qendrore e Policisë i kërkonte Kryesisë së Këshillit të Ministrave që t’u jepeshin dispozita ligjore rreth demonstratës së ndodhur dhe nëse duhej me i procedue fajtorët e demonstratës në Gjyqin Ushtarak, apo me marrë kundër tyre masa policore.
Personat e plagosur gjatë demonstratës së Korçës
Personat e plagosur gjatë demonstratës antiitaliane në Korçë, më 8 nëntor 1941, janë:
1) Nasi Marango, i Stavros, 18 vjeç, rrobaqepës, nga Korça. Kishte plagë në gjithë gjoksin e majtë dhe në pëllëmbën e dorës së majtë, të shkaktuara nga bomba dore. Gjendja e plagëve ishte shumë e rëndë. Konsiderohej me prirje komuniste dhe me natyrë turbullonjëse.
2) Andrea Papa Stefani, i Sotirit, 18 vjeç, student, nga Korça. Kishte plagë të shkaktuara prej plumbi, në gjoks nga ana e majtë, me dalje në kockën e djathtë të shpinës. Gjendja e plagës ishte shumë e rëndë. Ishte nga familje filogreke. Pandehej me ndjenja kundër Italisë dhe fashizmit dhe regjimit të atëhershëm në Shqipëri.
3) Taqo Qirici, i Qiricit, 30 vjeç, argat, nga Korça. Kishte plagë prej plumbi në qafë nga e majta me drejtim lartë për poshtë dhe dalje e plumbit dy gisht nën shpatullën e djathtë. Gjendja e plagës nuk ishte aq e rëndë. Pandehej me qëndrim politik indiferent.
4) Seit Ali, i Saliut, nga katundi Goskov i Korçës, bujk, 21 vjeç. Kishte thyerje të krahut të djathtë të shkaktuar nga bombë dore. Iu pre krahu. Gjendej në Korçë, sepse ishte ditë tregu. Pandehej me qëndrim politik indiferent.
5) Pandi Alabashi, i Jorgjit, 16 vjeç, nga Korça, student. Kishte plagë në kokë nga cifël bombe. Gjendja e plagës ishte e lehtë.
6) Jordan Haxhiu, i Kostës, 17 vjeç, student, nga Elbasani dhe banues në Korçë. Kishte plagë në shkallë të lehtë prej plumbi të kalibrit të mesëm në këmbën e djathtë dhe me dalje nga ana e brendshme. Rezultonte me ndjenja kundër situatës së atëhershme në Shqipëri dhe me natyrë turbullonjëse.
7) Ali Pirgu, i Jaupit, 26 vjeç, nga Pojani dhe banues atje. Kishte plagë në shkallë të lehtë prej plumbi në këmbën e djathtë. Rezultonte me ide kundër regjimit të atëhershëm. Mbas rizaptimit të Korçës nga ana e italianëve u ndalua dhe u mbajt për gati një muaj në burg. Ish-sekretar i komunës së Gollomboçit. Komisioni krahinor i vendit, më 23 qershor 1941, disponoi për të qortimin me verbal dhe e propozoi për shkarkimin nga detyra.
8) Petraq Lala, i Mitit, 18 vjeç, nga Pogradeci dhe banues në Korçë, student. Kishte plagë në shkallë të lehtë në fytyrë dhe në duar nga cifla bombe. Rezultonte me ndjenja kundër regjimit italian dhe me natyrë turbullonjëse.
9) Dalip Braho, i Brahimit, 20 vjeç, nga Erindi i Gjirokastrës dhe banues në Pojan, bari. Kishte plagë prej plumbi në bërrylin e krahut të djathtë dhe në shpatullën e djathtë. Ishte në vrojtim. Nuk diheshin bindjet e tij politike.
10) Llambi Bani, i Naunit, 26 vjeç, lindur dhe banues në Voskopojë, bujk. Kishte plagë në shkallë të lehtë në qafë e shkaktuar prej cifle bombe. Me gjasa ndodhej në Korçë, sepse ishte ditë tregu. Rezultonte me qëndrim politik indiferent.
11) Muharrem Butka, i Saliut, 51 vjeç, nga Butka dhe banues në Korçë, pa punë. Kishte plagë në shkallë të lehtë në anët, prej plumbi. I shënuar në internim politik, me vendim të komisionit të posaçëm krahinor të vendit, më 18 qershor të vitit 1941, dhe i liruar prej gati një muaji. Vendimtarisht kundër Italisë dhe regjimit të atëhershëm. Kishte bashkëpunuar me grekët gjatë zaptimit armik të Korçës.
12) Jorgaq Lluka, 25 vjeç, nga Korça, tregtar sendesh ushqimore. Kishte plagë në shkallë të lehtë në fytyrë dhe në kofshë të shkaktuara ngë cifla bombe. Rezultonte me qëndrim politik indiferent.
13) Dhori Shkodrani, i Thanasit, 19 vjeç, nga Voskopoja dhe banues në Korçë, robaqepës. Kishte plagë në shkallë të lehtë në këmbën dhe në kofshën e djathtë të shkaktuar nga cifla bombe. Rezultonte me ndjenja komuniste dhe me natyrë turbullonjëse.
14) Miço Andrea, i Theodhosit, 31 vjeç, nga Korça, ushtronjës. Kishte plagë në shkallë të lehtë në fytyrë dhe duar. Rezultonte me qëndrim politik indiferent.
15) Koço Mara, i Thimit, 39 vjeç, nga Korça, zdrukthtar. Kishte plagë në shkallë të lehtë në fytyrë dhe në sisën e djathtë të shkaktuara nga cifla bombe. Konsiderohej me ndjenja të flakta komuniste dhe me natyrë shumë turbullonjëse.
16) Reis Malile, i Ymerit, 17 vjeç, nga Gjirokastra dhe banues në Korçë, student. Kishte plagë në shkallë të lehtë në mjekër, në krah dhe në këmbë nga cifla bombe. Konsiderohej me qëndrim politik kundër regjimit të atëhershëm dhe me natyrë turbullonjëse.
17) Ramiz Qazimi, i Qazimit, 20 vjeç, nga Aranitasi i Ballshit dhe banues në Korçë, student. Kishte plagë në shkallë të lehtë në dorën e djathtë nga cifla bombe. Konsiderohej me qëndrim politik kundër regjimit të atëhershëm dhe me natyrë turbullonjëse. Më 1939 ishte përjashtue nga Instituti Teknik i Tiranës për keqësjellje.
18) Vasil Treska, i Jorgjit, 28 vjeç, punëtor pranë fabrikës “Birra Korça”, nga Korça dhe atje banues. Kishte plagë në shkallë të lehtë në kofshën e majtë nga cifla bombe. Rezultonte me ide komuniste, kundër regjimit të atëhershëm dhe me natyrë turbullonjëse.
19) Neim Kuçi, 17 vjeç, nga Berati dhe banues në Korçë, student. Kishte plagë në shkallë të lehtë në këmbë nga cifla bombe. Më 1940 u largue nga Instituti Teknik i vendit për keqësjellje. Rezultonte me natyrë subversive, kundër regjimit të atëhershëm dhe me natyrë turbullonjëse.
20) Gaqi Denasi, i Thanasit, 18 veç, nga Korça, student. Kishte plagë në shkallë të lehtë në këmbën e djathtë me cifla bombe. Rezultonte me ndjenja kundër Italisë dhe regjimit të atëhershëm. Konsiderohej me natyrë turbullonjëse.
21) Myslim Shuaipi, i Hamitit, 50 vjeç, nga Rehova e Vithkuqit. Kishte gërvishje të lehta në fytyrë. Ndodhej në Korçë për treg. Konsiderohej me qëndrim politik indiferent.
22) Evander Vinçani, i Qaniut, 18 vjeç, nga Korça, student. Kishte plagë në gjurin e majtë prej bombe, prerje të arteries. Ishte prej një familje që konsiderohej me të kaluar të mirë politike, rezultonte me qëndrim politik indiferent.
23) Neim Çela, i Aliut, 28 vjeç, nga Melçani i Mokrës, Pogradec, banues në Korçë. Ishte agjent i S.P. (Sigurisë Publike) i Kuesturës së vendit. Kishte plagë në shkallë jo shumë të rëndë në shpatull, me dalje të plumbi sipër sisës.
Lista e të ndaluarve deri më 9 nëntor 1941
Stefan Grabocka, nga Korça, ish – i arratisur në Jugosllavi, pa punë, i propozuar për internim, por i qortuar me verbal me aktin 95-44-1941; Theodhor Maliqi, nga Korça, dentist; Miçe Kacaku, nga Korça, orëndreqës; Nexhat Dishnica, nga Korça, nëpunës finance; Seit Pojani, nga Korça, student; Bardhyl Pojani, nga Pojani, student; Nisi Magjistari, nga Korça, kafexhi; Rami Pojani, nga Pojani, katundar; Thoma Vangjeli, nga Korça, kafexhi.
Të plagosur të ndaluar në dispozicion
Vasil Treska, nga Korça, punëtor; Neim Kuçi, nga Berati, student; Jusuf Gjataj, nga Korça, student; Thanas Martiri, nga Korça, mekanik; Myslim Hamiti, nga Rehova, katundar; Ramiz Qazimi, nga Mallakastra, student; Muharrem Alika (ndoshta Butka –V.H.) i Saliut, më 18 qershor u vendos caktimi në internim policor, i internuar dhe pastaj i çliruar (akti 95–62–1941).
Të ndaluar nga Kuestura
Petro Treska, nga Korça, këpucar; Vasil Ballço, nga Korça, fotograf; Kostika Kulla, nga Korça, rrobaqepës; Teli Samsuri nga Korça, tregtar; Mina Uçi, nga Korça, kafexhi, i qortuar me verbal nr. 36/14 res. 1941.
I vdekur
Koci Bako, 37 vjeç, nga Korça, ëmbëltor, i martuar, me tre fëmijë, me ndjenja antiitaliane, komunist, propagandist i rrezikshëm, objekt mbikqyrjeje të kujdesshme nga ana e organeve të policisë.
Lista e nxënësve të larguar nga shkolla arbitrarisht
Sipas informacionit të dërguar, më 14 nëntor 1941, nga drejtori i Liceut të Korçës, në lidhje me demonstratën e 8 nëntorit, rezultojnë këta nxënës që ishin larguar nga shkolla arbitrarisht: Dhimitër Kostandin Tona, nga Vithkuqi i Korçës; Ender Nexhip Nexhipi, nga Korça; Filip Kristaq Kotta, nga Korça; Gaqo Petraq Face, nga Korça; Hekuran Banush Mara, nga Mborja e Korçës; Ilo Mihal Kuneshka, nga Boboshtica e Korçës; Piro Kristaq Kole, nga Pogradeci; Ilia Thoma Verleni, nga Drenova e Korçës; Piro Taqi Bozdo, nga Fieri; Petraq Vasil Fundo, nga Korça; Petrit Sotir Niko, nga Pogradeci; Stiljan Vasil Pili, nga Korça; Mybareq Riza Stërmasi, nga Berati; Yrysh Ibrahim Sejfullahu, nga Qatrom i Korçës; Uran Xhevat Starova, nga Pogradeci; Bajazit Mustafa Shehu, nga Kavaja; Piro Pertef Risilia, nga Risili e Vlorës; Raif Hasan Hasani, nga Korça; Stefi Llambi Kotmilo, nga Korça; Theodhoraq Koço Qiriako, nga Korça; Gaqo Sotir Done, nga Korça; Dhori Nisi Trebicka, nga Korça; Filip Angjeli Tonço, nga Korça; Lefter Koli Civici, nga Korça; Bardhyl Petraq Popa, nga Elbasani; Gaqo Akile Totokoçi, nga Korça; Kiço Vaskë Karaguni, nga Korça; Skënder Ibrahim Baçe, nga Mborja e Korçës; Mihallaq Petro Pullani, nga Ziçishti i Korçës; Anesti Vani Çekani, nga Korça; Ligor Kostaq Mile, nga Korça; Niko Sotir Koleci, nga Korça.
Edhe nxënësit Keti Loni Kristo, nga Korça, Nimet Jaup Zhilla, nga Pojani i Korçës, Violeta Foqion Postoli, nga Korça, Gaqo Thoma Trebicka, nga Korça, dhe Oresti Mihal Papadhimitri, me origjinë nga Greqia, por banues në Korçë, ishin larguar nga shkolla arbitrarisht, por ishin kthyer në mesditë.
Nxënësit e padëshirueshëm
Në vijim të informacioneve në lidhje me demonstratën e 8 nëntorit 1941, drejtori i Liceut të Korçës do të evidentonte këta nxënës si të padëshirueshëm:
1) Pranvera Esat Pojani, lindur më 1923, në Pojan, e cila kishte mbajtur flamurin kombëtar gjatë manifestimit dhe kishte qenë një nga nxitëset.
2) Bardhyl Esat Pojani, lindur në Pojan më 1920.
3) Dhimitër Vasil Theodhosi, lindur në Korçë, më 1922, i cili ishte identifikuar si nxitës i manifetsimit.
4) Masar Qemal Baçi, lindur në Korçë, më 1919.
5) Guri Vangjel Stratoberdha, lindur në Korçë, më 1923, i cili kishte qenë i arrestuar në gusht 1941, si i dyshimtë për hedhje manifestash subversive.
6) Hysen Lutfi Zavalani, lindur në Korçë, më 20 mars 1925, i plagosur në dorën e majtë me armë zjarri.
7) Simon Ligor Vangjeli, lindur në Skorovot të Korçës, më 10 nëntor 1924.
Nxënësit që mund të përmirësoheshin
Drejtori i Liceut të Korçës kishte evidentuar edhe këtë grup me nxënës, të cilët ishin pak të mirë, por që mund të përmirësoheshin: Anesti Naun Zoto, nga Korça, kishte marrë pjesë në manifestim; Stiljan Lluka Bici, nga Gjirokastra, njihej si element turbullues; Aleko Kristaq Bimbli, nga Korça, njihej si element turbullues; Viktor Muçi Emanoil, nga Korça, kishte marrë pjesë në manifestim; Vaskë Nasi Aristidhi, nga Korça, kishte marrë pjesë në manifestim; Xhuvi Dhimitër Bino, nga Korça, kishte marrë pjesë në manifestim; Piro Petraq Katro, nga Korça, nuk dihej nëse kishte marrë pjesë në manifestim, ishte larguar nga shkolla arbitrarisht, element turbullues; Sulo Sali Zavalani, nga Korça, kryetari i klasës 4aB, ishte larguar arbitrarisht nga shkolla, por nuk dihet në mori pjesë në manifestim; Thoma Petraq Face, nga Korça, nuk dihej nëse mori pjesë në manifestim, ishte larguar nga shkolla arbitrarisht, element turbullues; Jahja Sabri Panariti, nga Korça, kryetari i klasës 4A, ishte larguar arbitrarisht nga shkolla, por nuk dihet nëse mori pjesë në manifestim; Thoma Jani Karamelo, nga Sinica e Korçës, kishte marrë pjesë në manifestim.
Grupi i recidivistave
Pjesëtarë të grupit të recidivistave ishin evidentuar Ilia Nepsi Kerenxhi, Gaqo Thanas Denasi, Jani Rodolf Stasa, Kristaq Mandi Samara, Misti Ilo Muke, Gaqo Petraq Shqahu, Muhamer Izet Kotori, Agron Frashëri, Ilia Gaqo Furxhi, që ishin nga Korça, Elmas Myfit Libohova, nga Libohova, dhe Bestar Ramadan Tërshana, nga Dibra.
Kurse nxënësit Besnik Mynir Zeraliu, nga Peshkopia, Julian Andrea Cico, nga Gjirokastra, Spiri Ilia Papa, nga Vlora, kishin qenë dënuar në vitin 1939, ishin larguar nga shkolla arbitrarisht, më 8 nëntor 1941, por nuk kishte elementë për të ditur nëse kishin marë pjesë në demonstratë.
Nxënësit pjesëmarrës në manifestim
Sipas drejtorit të Liceut të Korçës, nxënësit që me siguri ose pothuajse me siguri kishin marrë pjesë në manifestim ishin: Andrea Sotir Papastefani, i lindur në Boston, Reis Ymer Malile, nga Gjirokastra, Sedat Safet Babani, nga Babani, Zhulieta Qazim Frashëri, nga Korça, Kostanca Rapi Gambeta, nga Korça, Pipina Irakli Jasi, lindur në Stamboll, Ndreko Llambi Plasari, nga Burgaleci, Shkëlqim Dosti, nga Zaloshnja, Jordhan Kostë Haxhinikolla, nga Elbasani, Evander Qani Vinçani, nga Korça, Fatmir Isuf Gjata, nga Korça, Pandi Jorgji Allabashi, nga Korça, Vilson Isuf Asabella, nga Vinçani i Korçës, Mehmet Qerim Tato, nga Buzmadhi i Korçës, Petrit Stavri Taçi, i lindur në Korfuz, Anesti Vanço Nase, nga Korça, Gafur Sami Çuçi, nga Gjirokstra.
Personat e shpallur në kërkim
Më 21 nëntor 1941, Zyra e Shërbimit dhe e Gjendjes, në Komandën Eprore të Karabinierisë Mbretërore, në Shqipëri, njoftonte Drejtorinë Qendrore të Policisë se Pëllumb Dishnica, Llambi Dishnica dhe Vangjel Përmeti, mbas manifestimit turbullonjës të ndodhur në Korçë, më 8 nëntor, ishin zhdukur përnjëherësh. Meqënëse, megjithë kërkimet e bëra, nuk ishin gjetur, lutej Drejtoria Qendrore e Policisë që organet e saj vartëse të interesoheshin me dhënë bashkëpunimin e mundshëm për gjetjen, ndalimin dhe shoqërimin e tyre në Korçë.
Për personat e kërkuar jepej ky informacion:
1) Pëllumb Dishnica, i Jaupit dhe i Fatimes, lindur në katundin Pojan më 1919, banues në Korçë për arsye studimi, në shëtitoren “Viktor Emanueli”, nr. 92, student i liceut.
Tiparet: leshra të zeza, 1,67 m i lartë, i hollë, fytyrë ovale, sytë gështenjë, hundë drejtë, gojë mesatare, veshët të vegjël, vetulla të zeza të dendura, vishej elegant.
2) Llambi Dishnica, i Llazos dhe i Athinas, lindur në Korçë më 1908, atje banues, ish-drejtor i banjove publike të vendit.
Tiparet: Leshëra të verdha, 1,70 m i lartë, i hollë, sytë bij qielli, hundë drejtë, gojë të madhe, veshët mesatar, vetulla të verdha, veshur me pallto të qartë, pa kapele.
3) Përmeti Vangjel, i Argjit dhe i Parashqevis, lindur në Korçë, më 1912, banues në Korçë, rruga “Tefta”, nr. 25, shofer, i papunë.
Tiparet: 1,70 m i lartë, i shëndoshë, fytyrë mbushur, leshëra të dredhura gështenjë, vetulla të dendura, sytë të mëdhenj gështenjë, hunda samar, veshët të mëdhenj, veshje modeste, pa kapele.
FUND
LEXO EDHE:
Mungojne shume emra…