Nga Veli Haklaj
Pasi realizuan pushtimin e Shqipërisë, në prill 1939, strukturat zyrtare ushtarake dhe civile të pushtuesit italianë, vazhduan me intensitet realizmin e planit për kolonizimin dhe fashistizimin e Shqipërisë. Me mjetet e tyre të shumta propagandistike, ideologët fashistë u përpoqën të krijonin në popull idenë e rreme se “bashkimi” i Shqipërisë me Italinë shënonte një etapë të re në zhvillimin politiko-shoqëror dhe ekonomik të vendit. Por këto përpjekje hasën në rezistencën e patriotëve dhe atdhetarëve shqiptarë dhe të shtresave të ndryshme të popullit.
Pas ngjarjeve të prillit të vitit 1941 në verilindje të Shqipërisë, ku forcat italiane morën një goditje që nuk e prisnin, në gjysmën e dytë të vitit 1941, kemi një thellim të mëtejshëm të krizës politike dhe shtimin e ballafaqimeve politike në Shqipëri. Aksioni më i rëndësishëm ishte demonstrata e organizuar në Tiranë, më 28 tetor 1941, ditën e përvjetorit të marshimit fashist mbi Romë, e cila u shndërrua në një përleshje të ashpër midis demonstruesve dhe milicisë e karabinierisë. Edhe në Korçë, më 8 nëntor 1941, u organizua një demonstratë e tillë. Kundër demonstruesve pushtuesit fashistë përdorën armët. Në përleshje me forcat e Milicisë Fashiste u vra Koci Bako dhe u plagosën një numër pjesëmarrësish.
Manifestime kundër pushtuesve italianë pati në qytetet kryesore të Shqipërisë, më 28 nëntor 1941, me rastin e përvjetorit të pavarësisë. Ndërkohë që demonstrata kundër pushtuesit italian u organizuan edhe në qytetet shqiptare të Tokave të Liruara, si Gjakovë, Prizren, Mitrovicë, Prishtinë dhe Dibër. Në demonstratën e organizuar në Shkup kundër pushtuesve bullgarë, shqiptarët kërkuan që ky qytet të bashkohej me pjesën tjetër të Shqipërisë.
Këto demonstrime masive e rritën edhe më shumë tensionin dhe pasigurinë në Shqipëri. Me gjithë shtimin e masave shtypëse, pushtuesi italian nuk arriti të vërë situatën nën kontroll. Strukturat e Sigurisë Publike pranonin se masat e marra nga organet policore nuk po jepnin rezultatet e duhura.
Këto zhvillime në periudhën tetor – nëntor 1941 do të jenë objekt i këtij punimi që do të publikojmë në vijim për lexuesin e gazetës “Mapo”. Për këtë janë shfrytëzuar dokumente arkivore që administrohen në Arkivin Qendror të Shtetit, në Fondin 153 (Drejtoria e Përgjithshme e Policisë), për periudhën qershor – dhjetor 1941.
I. DEMONSTRATA E TIRANËS – 28 TETOR 1941
Një ndër manifestimet më të rëndësishme kundër fashistëve italianë ishte dhe demonstrata e organizuar nga studentët në Tiranë, më 28 tetor 1941. Për pjesëmarrësit dhe personat organizatorë në këtë demonstratë, më 13 nëntor 1941, drejtori i Drejtorisë Qendrore të Policisë Zef Kadarja, do informonte Kuesturën e Tiranës, duke vënë në dijeni dhe Mëkëmbësinë e Përgjithshme, Kryesinë e Këshillit të Ministrave, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Komandën Eprore të KK. MM., Komandën e Legjionit të KK. MM., Tiranë, se ishte “vërtetuar se zonjusha Kaliopi Prifti, zonjusha Jorgjija Hoxha, Galip Hatibi, Nuri Huta, Gani Mati, Agron Çorati dhe Dhimo Dhima kishin marrë pjesë në demonstratën e datës 28 tetor, si shtytës kryesorë, dhe se kishin ndërmend të shkaktonin edhe të tjera, në të ardhmen ose për 28 nëntorin vazhdues”.
Në vijim të komunikimit shkresor, Drejtoria Qendrore e Policisë dispononte këto detyra për Kuesturën e Tiranës:
a) Zonjushat Kaliopi Prifti e Jorgjije Hoxha (në dokumente del edhe Haxho-V.H.) të dërgoheshin në vendlindjen e tyre me letër – nisje të detyrueshme me detyrim për të mos u larguar nga vendi ku kanë me u dërgue pa autorizimin e autoriteteve të qarkut të Sigurisë Botore, autorizim që kanë me mujt me ua dhânë mbasi të jetë marrë pëlqimi i kësaj Drejtorie Qendrore. Prindërit e tyre të qortoheshin me verbal nga ana e autoritetetit kompetent që të mos lënë me u largue vajzat prej atij vendi pa autorizimin e naltëpërmendur dhe të sillen mirë tue mos zhvillue asnjë aktivitet propagandistik, se përndryshe kanë me u marrë masa policore edhe kundra prindërve.
b) Djelmoshat Galip Hatibi, Nuri Huta, Gani Mati, Agron Çorati e Dhimo Dhima të ndaloheshin menjëherë dhe t’u propozoheshin Komisionit kompetent për internim policor.
c) Kuestura të sigurohej nëse me të vërtetë personat: Skënder Hajro, Rexhep Mahmut Shpati, Xhavid Qesja, Drita Çaushi, Cuk Lini, Skënder Hasani, Dilo Koço, Myrteza Pengili, Filip Ekonomi, Mustafa Greblleshi, Thoma Karagjozi, Sadik Peqini, Tomor Frashëri, Hilmi Inku, Abdullah Dibra Harullah, Skënder Mersini, Safet Musarçja, Mehmet Ali Toptani, Ali Bakiu, Telo Vasil Dilo, Grub Lleshi, Adem Tagani, Gani Kodra Dibra, Hysen Osman Begeja, Merkur Çelo, Mihal Çuno, Aristotel Ndimi, Nazim Batolli, Fadil Vokopola, Baftjar Xhindi, Petrit Kokobobo, Like Toptani, Ferim Xhunglini, Ismail Ceni Vogli, Vasil Perikliu, Dula Sidki, Ali Lauti, Haxhi Petrela, Besa Theodhosi, Ajete Rusi; që nuk i përkisnin ambientit shkollor, kishin marrë pjesë apo jo në manifestimin në fjalë
Kundër atyre që rezultonte se kishin marrë pjesë në manifestim urdhërohej të merreshin këto masa:
1) Të ndaloheshin menjëherë ata me moshë madhore duke ja propozuar Komisionit kompetent për internim policor.
2) Të ftoheshin prindërit e atyre që ishin të mitur dhe t’i qortonin me verbal që t’imponohen pranë fëmijëve të tyre duke i shtrënguar me ndejtë urtë, se përndryshe do të rëndonin masat disiplinore edhe mbi prindërit.
d) Gjithashtu, u kërkohej autoriteteve të kuesturës të siguroheshin nëse studentët: Ibrahim Mahmut Turdiu, Ibrahim Zverku, Petrit Agolli, Ludovik Shllaku, Tonin Ndoca, Anton Zadrima, Kapo Kapaj, Telo Mino Mezini, Hamid Kruja, Rahim Pengili, Muharrem Çorati, Jakup Frashëri, Pal Prifti, Arqile Dilo, Hilmi Çausholli, Hysen Begeja, Zenel Baboçi, Bardhyl Pogoni, Gjergj Frashëri, Skënder Ali Begeja, Siri Kodra, Adem Deliu, Pëllumb Koka, Musa Kota, Tomorr Jarani, Asllan Tagani, Ali Zhuri, Teki Kalltani, Sali Toptani, Sokrat Hobdari, Varvari Rusi; kishin marrë pjesë apo jo në manifestimet e ndodhura në Tiranë, më 28 tetor 1941, por porositeshin që hetimet e nevojshme të bëheshin jashtë shkollave ose ambienteve shkollore.
Kundër atyre studentëve për të cilët krijohej siguri se me të vërtetë kishin marrë pjesë në manifestimin e përmendur, duhet të merreshin po ato masa që ishin caktuar në numrat 1) dhe 2) të shkronjës c), të mësipërme.
Në fund të shkresës, Drejtoria Qendrore e Policisë shtonte se personat e dërguar në vendlindjen e tyre e që largoheshin pa autorizimin e urdhëruar, duhej të ndaloheshin menjëherë e procedoheshin si “mosbindësa të urdhërave të autoritetit, në bazë të dispozitave ndëshkimore në fuqi”.
Organizatorët e demonstratës
Në përgjigje të kërkesës së tyre, më 15 nëntor 1941, Kabineti i Kuesturës Mbretërore të Tiranës nformonte Drejtorinë Qendrore të Policisë dhe Kompaninë e Brendshme të KK. MM., në Tiranë, se, sipas njoftimeve jo zyrtare që kishte Ministria e Arsimit, dilte në shesh se studentët e poshtëshënuar:
1) Galip Hatibi, maturant, biri i Kasemit, banues në Tiranë, Rruga “De Rada”, nr. 14, me kujdestar Rasim Hatibin;
2) Nuri Huta, maturant, biri i Zyberit, banues në Tiranë, Rruga “Kazanit”, nr. 17, me kujdestar Zyhdi Huta;
3) Gani Mati, maturant, biri i Adilit, banues në Tiranë, Rruga “Ferit Frashëri”, nr. 37, me kujdestar toger Galip Mati;
4) Agron Çorati, maturant, biri i Feridit, banues në Tiranë, Sheshi “Avni Rrustemi”, me kujdestar Bedia Asllani;
5) Dhimo Dhima, kl. VII, banues në Tiranë, biri i Mihalit, lind në Gjirokastër;
ishin nxitësit kryesorë të demonstratës së zhvilluar më 28 tetor 1941 e se ata mendonin të provokonin edhe të tjera demonstrata, në t’ardhmen ose më 28 nëntor të këtij viti.
Organet e Ministrisë së Arsimit bënin me dije se “dy të parët, të përfshirë edhe në listën e përpilueme nga Karabinieria, kishin marrë pjesë në demonstratën në fjalë dhe mbasi mbi sjelljet e tyne dhe mbi ndjenjat që ushqejnë nuk dyshohej mâ, e shihnin të arsyeshme që Drejtoria Qendrore e Policisë të merrte kundrejt nxënësve që permenden ato masa sa me pengue në çdo mënyrë veprimin e tyne për të turbullue përsëri turmat rinore”. Ndërkaq, njoftoheshin autoritetet qendrore të Policisë se Ministria e Arsimit nuk mundet me i ndëshkue, mbasi ata u kishin dhënë fund provimeve të pjekurisë, para datës 28 tetor 1941.
Për tre të tjerët titullari i Ministrisë së Arsimit rekomandonte se “âsht e nevojshme të bâhen hetime të tjera, por përherë jashtë ambjentit të shkollës, për me vërtetue mâ mirë nëse edhe ata kanë marrë pjesë në demonstratën e 28 tetorit, mbasi mbi ata nuk kemi ndonjë shënim tjetër përpos informatave që na kanë arritë, si thamë, në formë jo zyrtare”.
Masat e marra nga Ministria e Arsimit
Më 11 nëntor 1941, Ministria e Arsimit njoftonte Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë se në lidhje me ngjarjen e 28 tetorit kjo ministri, në bazë të hetimeve të zhvilluara prej organeve të saj, mbi vendimet përkatëse të Këshillave Disiplinore të Liceut të Shtetit dhe Shkollës Normale Femnore dhe të konvikteve shtetnore të Tiranës, kishte vendosur masat ndëshkuese për fajtorët si vijon:
Nga Liceu i Shtetit të Tiranës, Bardhyl Pogoni, Tomorr Jarani dhe Sali Toptani përjashtoheshin për tre vjet nga të gjitha shkollat e Mbretnisë.
Nga Shkolla Normale Femnore e Tiranës, Savete Shantoja përjashtohej për tre vjet nga të gjitha shkollat e Mbretnisë.
Nga Konvikti Mashkulluer i Tiranës: Faslli Rexhepi, bursist, lind më 1924 në Vuthaj (Guci), pa kujdestar; Teme Sejko, bursist, lind në Konispol, në vitin 1922, kujdestar Niazi Demi, nëpunës në Bankën Kombëtare; Veli Deva, bursist, lind në Gjakovë, në vitin 1924, pa kujdestar; Janaq Kilica, bursist, lind më 1925 në Fier, pa kujdestar; Petro Kagjini, bursist, lind në Sheper (Gjinokastër), pa kujdestar; Nuhi Kërxhalliu, bursist, lind më 1924, në Bicaj (Kosovë), pa kujdestar; Safet Kurti, me pagesë, lind më 1923 në Lushnje; Murat Angoni, konviktor me pagesë, lind në Gjirokastër, me kujdestar avokat Islam Angoni, Rruga e Pishës, nr. 46; Eshref Pumo, konviktor me pagesë, lind më 1924 në Gjirokastër, me kujdestar Nexhmedin Dobi, Rruga e Shkodrës, nr. 8; përjashtoheshin nga të gjitha konviktet e shtetit për gjithmonë si edhe nga të gjitha shkollat e Mbretnisë për dy vjet rresht me të drejtë provimi në vjeshtë, në vitin 1941 – 1942, vetëm për periudhën e parë, d.m.th. për vitin shkollor 1940 – 1941.
Nga Konvikti Femnuer i Tiranës: Drita Malile, lind në Delvinë e banuese në Gjirokastër, me kujdestare Nadihe Kasoruha, Rruga “Galeazzo Ciano”, nr. 101; Polikseni Thoma, busiste, lind në Sarandë (Porto Edda) e banuese në Tiranë, Rruga “Papakristo Bellkameni”, nr. 5; Ebibe Mirzade, bursiste, lind në Strugë e banuese në Tiranë, me kujdestar Qazim Vlora, Rruga e Durrësit, nr. 156; Persefoni Todri, bursiste, lind e banuese në Elbasan, me kujdestar Josif Murzaku, tregtar; Ramize Gjebrea, bursiste, lind e banuese në Berat, me kujdestar Qemal Kikino; Liri Belishova, bursiste, lind në Ballsh e banuese në Tiranë, me kujdestar Kamber Belishova, në Ministrinë e Bujqësisë; Eleni Terezi, konviktore me pagesë, lind e banuese në Korçë,me kujdestar Perik Adami, pranë Shoqnisë Krraba; Margarita Totokoçi, konviktore me pagesë, lind e banuese në Korçë, me kujdestar Thanas Çikopana, Rruga “Loredano”, nr. 15; Olimbi Progri, konviktore me pagesë, lind në Korçë e banuese në Progër, me kujdestare Evanthi Kristaq Jostinani; përjashtoheshin nga konvikti si dhe nga shkolla, por me të drejtë provimi në sesionin e parë të vitit shkollor 1940 – 1941.
Rektorët e konvikteve u porositën të thirrnin kujdestarët për të marrë me vete konviktorët e dënuar dhe t’i përcillnin në vendlindjen ose vendbanimin e tyre. Gjithashtu, rektorët u porositën që të urdhëronin organet përkatëse të Policisë që të merrnin dhe të nisnin menjëherë për në vendet e tyre të gjithë ata bursista që nuk kishin kujdestarë.
Në lidhje me zbatimin e këtyre masave, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Zef Kadarja, më 13 nëntor 1941, do të urdhëronte urgjent Kuesturën e Tiranës që nxënësit që kishin kujdestar të thirreshin në kuesturë bashkë me kujdestarët e tyre; nxënësve t’u jepej letër – nisja e detyrueshme për në vendlindjen e tyre dhe kujdestarët të njoftoheshin me procesverbal që t’i shoqëronin e t’ia paraqitnin autoritetit të vendmbërritjes. Nxënësit duhej të qortoheshin “me mbajtë sjellje të mira, mos me shkaktue të tjera ngjarje e mos me ardhë në Tiranë pa autorzimin e autoritetit policor”, autorizim që duhej të pëlqehej më parë prej Drejtorisë Qendrore të Policisë.
Kurse për nxënësit që nuk kishin kujdestarë, kuestura urdhërohej t’i merrnin nga Instituti, t’i qortonin e t’u jepnin letër – nisjen e detyrueshme, si më sipër.
Për secilin rast duhej të njoftohej autoriteti i Sigurisë Publike i vendmbërritjes.
Kuestura porositej që “të merrte këto masa sa mâ me shpejtësi, jo vetëm me qëllim që ndëshkimi i Ministrisë të kishte efektin mâ të madh tue u zbatue menjëherë, por, edhe për arsye të Sigurimit Botuer, konsiderohej e nevojshme që të largoheshin sa mâ parë elementët turbullues”.
Masat e organeve të sigurisë ndaj pjesëmarrësve në demonstratë
Më 15 nëntor 1941, në përgjigje të kërkesës së tyre, Kuestori i Tiranës, Kamber Qafmolla, do të informonte Drejtorinë Qendrore të Policisë se në mbështetje të dispozitave ligjore, zyra e kuesturës së Tiranës kishte parashikuar këto masa ndaj personave që kishin marrë pjesë në demonstratën studentorë të datës 28 tetor 1941:
1) Anton Zadrima, i Filipit e i Milka, lindur në Kattaro, më 1921, me qëndrim në Tiranë, Rruga e Veriut, nr. 113, iu qortue i ati.
2) Sokrat Hobdari, i të ndjerit Mark e i të ndjerës Maria, lindur në Tiranë, më 1921, ku edhe banonte në rrugën “Ali Bej”, nr. 8, student, u qortue personalisht.
3) Varvara Rusi, 19 vjeç, e Andreas dhe e Viktorias, lindur në Tiranë, me banim në rrugën “Bajram Curri”, nr. 17, i ati i tij deklaronte se nuk ka qenë.
4) Hysen Osman Begeja, 21 vjeç, i Osmanit e i të ndjerës Hamide, lindur në Tiranë, student i klasit VI të gjimnazit, me banim në rrugën “Dibra”, nr. 160, iu qortue i ati.
5) Tomor Frashëri, i të ndjerit Sabri e i Nuries, lindur në Pogradec, më 1925, me qëndrim në Tiranë, rruga “Pasha”, nr. 8, nëpunës pranë “Tonko”, u qortue.
6) Shaqir Kazanxhi, i Isuf e i të ndjerës Beje, lindur në Gjirokastër më 1922, me banim në Tiranë, pranë bujtinës “Kapri”, student, u qortue; banimin e përhershëm e kishte në Gjirokastër, ku qëndronin edhe prindërit.
7) Gani Mati, 23 vjeç, i të ndjerit Adil e i Meleqe, lindur në Mat, student, me banim në Tiranë, rruga “Ferit Frashëri”, nr. 37, ishte në burg në dispozicion të kësaj Kuesture.
8) Bardhyl Pogoni, i Petrit e i të ndjerës Hofza, lindur në Tiranë, më 10 janar 1925, me banim në Tiranë, rruga “Beqir Luga”, nr. 24, iu qortue i ati.
9) Hasan Jero, i Arifit e i Hysnijes, lindur në Selanik, më 1912, me qëndrim në Tiranë, rruga “Çiano”, nr. 130, dentist pranë ambulancës italiane në shëtitoren “Musolini”, kishte kabinetin e vet dentistik në rugën “Bajram Curri”, u qortue.
10) Vasil Perikli, i të ndjerit Polikron e i Pandoros, lindur në Përmet, më 4 dhjetor 1921, ortodoks, me qëndrim në Tiranë, pranë bujtinës “Ballkan”, banimin e përhershëm e kishte në Përmet, u qortue.
11) Ismail Bega, i Hysenit e i Kumes, lindur më Tiranë, më 1921, student, banonte në rrugën e “Tafajve”, nr. 53, u qortue.
12) Enver Hoxha, 32 vjeç, i Halilit e i Durje Çuçit, lindur në Gjirokastër, me banim në Tiranë, rruga e “Dibrës”, tregtar, kishte qenë i qortuar, është për t’u arrestuar.
13) Nazim Batalli, i Myslymit e i Fatime Metanit, lindur në Fier, më 1917, banues në Tiranë, rruga “Musolini”, rrugica e Xhafajve, nëpunës pranë Drejtorisë së Shtypit e Propagandës, i qortuem.
14) Skender Begeja, 17 vjeç, i Aliut dhe i Nurijes, student, lindur e banues në Tiranë, rruga “Çerçiz Topulli”, i qortuem.
15) Dule Sitki, 23 vjeç, i të ndjerit Shaqir e i Vezires, lindur në Gjakovë, i pamartuem, mysliman, student në Liceun e Shtetit Tiranë, i ati i tij kishte deklaruar se biri i tij nuk ka marrë pjesë.
16) Dilo Koço (Kostandin), 25 vjeç, i Vasilit e i Fatimes, lindur në Labovë të Gjirokastrës, banues në Tiranë, në rrugën “Dibra”, rrugicën “Kota”, i pamartuem, student universitar, u arrestua dhe u la i lirë më datë 28 tetor 1941, ju qortue i ati.
17) Mehmet Tufina, 20 vjeç, i Hysenit dhe i Hamides, lindur në Tiranë, ku edhe banon, në lagjen “Abdullah”, rruga “Gjinali”, nr. 9, tregtar, ju qortue i ati.
18) Muharrem Çorati, 21 vjeç, i të ndjerit Ferit e i Ferruzes, lindur në Vlorë, banues në Tiranë, në rrugën “Pasha”, nr. 59, student, i qortuem, kishte nënën në Tiranë.
19) Teki Kaltani, i Sabriut dhe i Dilës, lindur në Mallakastër, më 1925, student, banues në Tiranë, në rrugën “Dibra”, nr. 123, u ndalua dhe u la i lirë me datën 28 tetor 1941, u qortue.
20) Pal Prifti, i Kristos e i të ndjerës Sofia, lindur në Kolonjë të Korçës, më 5 prill 1941, banues në Tiranë, në bujtinën “Ballkan”, student i Liceut, i qortuem.
21) Niazi Hatibi, 19 vjeç, i Mynirit dhe i Zyries, lindur në Dibër të Madhe, me banim në Tiranë, në lagjen “Sulejman Pasha”, rruga “Guzzoni”, nr. 22, student, i qortuem.
22) Tonin Noca, 20 vjeç, i Kolës e i Martës, lindur në Gjakovë, banues në Tiranë, në rrugën ”Sopoti”, nr. 5, i ati i tij banon në Prizren, u qortue.
23) Petrit Agolli, i Miftarit e i Razijes, lindur në Tiranë, më 14 shtator 1925, banon në Tiranë, në rrugën “Gjeneral Guzzoni”, nr. 122, i pamartuar, student i qortuar, i ati i tij gjendej në Kosovë.
24) Jakup Frashëri, 18 vjeç, i Bajramit e i Razijes, lindur në Korçë, banues në Tiranë, në rrugën “Çiano”, nr. 191, student, iu qortue i ati.
25) Rrahim Pengili, 20 vjeç, i Mehmetit e i Dashes, lindur në Krujë, banues në Tiranë, në rugën “Sh. Gjergjit”, nr. 31, i ati ishte avokat, i qortuem.
26) Aristotel Ndimi, 19 vjeç, i Davros e i Polimias, lindur në Vlorë, banues në Tiranën e Re, i qortuem.
27) Merkur Çelo, 17 vjeç, i Qerimit e i Lutfijes, lindur në Dibër, student, banues në Tiranë, në rrugën “Saraçi”, nr. 17, iu qortue i ati.
28) Fehim Xhuglini, 17 vjeç, i Tefikut e i Naxhijes, lindur në Dibër, student, banues në Tiranë, në rrugën “Saraçi”, iu qortue i ati.
29) Filip Ekonomi, 19 vjeç, i Anastasit e i Vasilos, lindur në Kolonjë, në katundin Bezhare, me banim pranë konviktit priftnor ortodoks që gjendej në shëtitoren “Viktor Emanueli”, u qortue.
30) Tomor Jerani, 18 vjeç, i Ramazanit e i Emines, lindur në Tiranë, banues në rrugën “Çerçiz Topulli”, nr. 23, student, iu qortue i ati.
31) Musa Keta, 21 vjeç, i Muhedinit e i Mejremes, lindur në Tiranë, banues në rrugën “Musa Juka”, nr. 7, u qortue.
32) Hilmi Çausholli, 18 vjeç, i Ganiut e i Minetes, lindur në Tiranë, student, banues në rrugën “Tafaj”, nr. 51, i ati kishte deklaruar se nuk kishte qenë.
33) Galip Soil, i Xhemalit e i Gjifjanes, lindur në Tiranë, më 9 maj 1923, banues në lagjen “Abdullah Bej”, rruga e “Dibrës”, nr. 356, i qortuem.
Në fund të shkresës, kuestori Qafmolla, theksonte se “ishin në vijim hetimet për identifikim, rreshtim e qortim kundrejt të tjerëve emnuesa të dërguem në notën së cilës i përgjigjej dhe rezervohej me u përgjigjë më mbrapa”.
VIJON NUMRIN E ARDHSHËM…