Nga Veli Haklaj
VIJON NGA NUMRI I SHKUAR
Edhe gjatë muajit nëntor 1941 konstatohen veprime dhe organizime kundër pushtuesve italianë, të cilat kulmuan me demonstrimet në ditën e përvjetorit të pavarësisë, më 28 nëntor 1941, në qytetet kryesore të vendit. Konstatohet shpërndarje manifestesh me nënshkrimin “Partia Komuniste Shqiptare”, para datës 8 nëntor 1941, ditës së themelimit të PKSH-së.
Shpërndarje manifestesh subversive në qytetet e Shqipërisë
Siç rezulton nga shkresa nr. 0359, datë 10 nëntor 1941, që Drejtoria Qendrore e Policisë i dërgon Mëkëmbësisë së Përgjithshme, Kryesisë së Këshillit të Ministrave dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, “natën e datës 5 nëntor 1941, rreth orës 20.00, në rajone të ndryshme të Kryeqytetit ishin hedhur gjatë udhëve disa manifestina të nxjerruna nga çiklostil, me ngjyrë propagande komuniste, në gjuhë shqipe, dhe disa të tjera ishin vënë nëpër dyer të banesave private”.
Në atë orë e po me ato modalitete edhe në Durrës ishin hedhur po ato manifestina.
Natën e datës 6 – 7 nëntor 1941, manifestina të njëjta ishin hedhur në Korçë, Pogradec dhe Shkodër. Kurse të tjera manifestina afishoheshin në murin e jashtëm të Paspunës në Lushnje e dy të tjerë ishin hedhur brenda Shtëpisë së Fashos, që ndodhej çelë për punime.
Këto manifestina ftonin popullin shqiptar me marrë pjesë në luftën e Republikave Sovjetike kundër Fuqive të Boshtit e të vërsulet kundër Imperializmës Fashiste e kundër anëtarëve të Qeverisë Shqiptare, që i cilësonte “Tradhëtarë të shitun armikut t’atdheut” tuj përmendë edhe “djalërinë e përgjakur në rrugët e Tiranës prej fashistave barbarë”. Manifestinat nënshkruheshin “PARTIJA KOMUNISTE SHQIPTARE”.
Mëngjesin e datës 7 nëntori 1941 i ishin dorëzue Prefekturës së Elbasanit, nga privat, dy manifesta shqip me titull “Vdekje o Liri” hedhun nëpër rrugët e qytetit gjatë natës. N’ato thuhej se “populli italian me gjerarkë e shkrimtarë nuk rrfen asnjë stim për popullin shqiptarë, tuj e konsideruem gjysëm barbar” e ftohet Shqipëria të kryengritet.
Në fund të këtij informacioni, drejtori Qendror i Policisë, Zef Kadarja, theksonte se “ishin urdhërue hetime t’imta për të nxjerrë në shesh përgjegjësat dhe ishin ndalue disa persona të dyshuem përgjithësisht, dhe se rezervohej me njoftue çdo të re”.
Manifestime pasive kundëritaliane
Në dokumentet arkivore janë administruar dhe shkresa që japin informacion për veprime kundëritaliane, që nga organet e Sigurisë Publike konsideroheshin manifestime pasive.
Sipas komunikimit shkresor të kuestorit të Tiranës Kamber Qafmolla, me Drejtorinë Qendrore të Policisë, rezulton se në orën 7.45 të mëngjesit, të 11 nëntorit 1941, “në fillim të transmetimit të radios që u çel për të marrë Marshin Mbretnor, Hymnin Giovineza e Hymnin Shqiptar, âsht vërejtun se shumë persona që rrinin në kafe “Imperial” e “Bologna” ose ishin në Sheshin “Skënderbeg”, rrishin ndejun, pa hequn kapelen, kur u kënduen dy hymnat italianë me anën e altoparlantave të kafeve edhe të Bashkisë, përkundrazi kanë hequn kapelet kur u këndue Hymni Shqiptar”.
Përveç kësaj, në Liceun e Shtetit, “në fillim flamuri italian ishte vu në të djathtën e flamurit shqiptar, por, mbas pak kohe, u ndryshue, tue u vu ashtu si më përpara”.
Nga strukturat e specializuara të Kuesturës u ndërmorën hetime për identifikimin e atyre që ishin prezent, kur u bë transmetimi radiofonik në fjalë.
Personat e ndaluar në Tiranë
Mbas hetimeve të bëra për implikimet në demonstratën e 28 tetorit 1941, por bazuar dhe në informatat mbi zhvillimet në tre javët e para të nëntorit, me qëllim ndoshta dhe të parandalimit të demonstrimeve në vijim, strukturat e Sigurisë Publike në Tiranë kishin proceduar me ndalimin e disa personave që ishin evidentuar si të rrezikshëm. Më 25 nëntor 1941, Kuestori i Tiranës, Kamber Qafmolla, informon Drejtorinë Qendrore të Policisë se në vijim të veprimeve për manifestimet studentore dhe cenimin e rendit publik, Zyra Mbretnore e Policisë së Tiranës kishte proceduar me ndalimin e personave të poshtëshënuem, të cilët ishin konsideruar të rrezikshëm:
Alaudin Stafa, Beqir Kallçiu, Haxhi Petrela, Maliq Petrela, Salih Toptani, Qemal Petrela, Mehmet Toptani, Ismail Petrela, Pirro Floqi, Haxhi Herri, Dhimitri Canco, Gani Mati, Zyhdi Kashani, Mehmet Vokshi, Skënder Çaçi, Ilo Çomo, Agron Çorati, Nuri Huta, Drist (Drita) Çaushi, Qeramudin Sula, Siri Kodra, Mentor Përmeti, Nikolla Duka, Skënder Kosturi, Ismail Bega.
Të gjithë këta persona ndodheshin në burgun e Tiranës, në dispozicion të Kuesturës Mbretërore. Ndërkohë vazhdonin hetimet kundrejt personave të tjerë të rrezikshëm.
Masat për ruajtjen e Liceut Italian
Gjatë kësaj periudhe u evidentuan edhe tendenca përplasjeje ndërmjet studentëve shqiptarë dhe bashkëatdhetarëve të tyre që studionin në shkollat e hapura nga autoritetet pushtuese italiane. Një informacion të tillë përcjell dhe fonogrami në dorë, urgjent dhe rezervat, nr. 06455, datë 26 nëntor 1941, i Drejtorisë Qendrore të Policisë për Kuesturën Mbretnore, Tiranë:
“Autoriteti shkollor ka komunikuar në mënyrë rezervate se prej lajmesh të sigurta i rezulton se ndonjë grup studentësh shqiptarë, të paarsyeshëm, kanë me shkuar pandehur në Liceun Italian për me ofendue, sidomos bashkëatdhetarët që ndjekin atë lice, e që duket të mos kenë pranue në ngjarjet e rastit mënyrën e sjelljes së tyre.
Lutemi ndërkaq, me urdhërue që, prej orëve të para të datës 27 deri në orën 14 të datës 29, Liceu të jetë i ruajtur prej ndonjë patrulle fikse në mënyrë që të bashkëpunojë sa mâ shpejt, me mâ të fortat reparte të forcës së vendosur në vendet e afërme”.
Qëndrime ndaj prindërve
Pasi kishte identifikuar studentët që konsideroheshin të rrezikshëm për regjimin fashist, më 27 nëntor 1941, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Zef Kadarja, do të autorizonte Kuesturën Mbretërore të Tiranës që kundrejt studentëve në moshë të vogël Sali Toptani, Mehmet Lik Toptani, Qemal Petrela etj. të thirreshin prindërit e tyre dhe të qortoheshin me verbal që t’imponohen pranë fëmijëve të tyre tue i shtrëngue me ndejtë urtë, se përndryshe do të rëndojnë masat disiplinore edhe mbi prindërit.
Demonstrimet e datës 28 nëntor 1941
Më 28 nëntor 1941, mitingjet përkujtimore të ditës së Pavarësisë së Shqipërisë të organizuara nga autoritetet civile të asaj kohe, u shfrytëzuan nga rrethet atdhetare për manifestime kundëritaliane në disa prej qyteteve kryesore të vendit. Gjatë 28 dhe 29 nëntorit shërbimet preventive dhe të mbikqyrjes së policisë ishin mbajtur gjithmonë në veprim, duke patur dhe forca rezervë për çdo eventualitet.
Siç rezulton nga informacioni urgjent i datës 28 nëntor 1941 (saktësuar të dhënat më 29 nëntor), i Drejtorisë Qendrore të Policisë, dhe shkresa e datës 28 nëntor 1941, e Komandës Eprore të Karabinierisë Mbretërore në Shqipëri, dërguar Mëkëmbësisë së Përgjithshme, Kryesisë së Këshillit të Ministrave dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, manifestimet ishin zhvilluar si më poshtë vijon:
Tiranë: – Mbas fjalimit të kryetarit të Bashkisë, ndërprerë prej hymnesh patriotike nga ana e dëgjuesave më të largët, autoritetet dhe organizata u shpërndanë në rregull, por një grup studentësh, me flamurin kombëtar, kanë shkuar tek burgu i këtushëm, ku janë ndaluar pak minuta duke thënë: “shokët”, “shokët”, pastaj drejtohen në sheshin “Skanderbeg” ku grupi u zmadhue prej punëtorësh edhe nëpunësish e me një flamur shqiptar. Fuqija botore shpërndau demonstratën dhe ndaluan shtatë vetë, jo studentë, nga ata më rebelët, ndër të cilët një të quajtur Makbule Sali Verzivolli, e Saliut, 28 vjeç, nga Dibra, banues në rrugën “Rozafat”, nr. 55, bashkëshortja e ish – togerit të arratisur Hulusi Spahiu, i biri i Hasanit, komunist, ish – luftëtar në Spanjë e tani në Rusi.
Makbule Saliu kishte marrë pjesë në manifestim e armatosur me një shkop prej hekuri të gjatë.
U shtruan në spital dy të plagosur: Evrasina Plaku dhe Ludovik Temali. Rendi u vendos pa incidente të tjera.
Durrës: – Në orën 10 të mëngjesit në Durrës u zhvillua me rregull të plotë ceremonia e përvjetorit të Indipendencës Shqiptare, ku kanë marrë pjesë autoritetet civile dhe ushtarake, organizatat fashiste dhe një popullsi prej shtatëqind personash. Mbas një fjalimi të shkurtër të kryetarit të Bashkisë Dr. Tuni, ceremonia u mbyll me këndimin e hymneve patriotike. Pas kësaj rreth njëqind djelmosha, shumica e të cilëve studentë, me të cilët u bashkue edhe prefekti, kanë përshkue rrugët kryesore të qytetit me flamur dhe duke kënduar hymne patriotike dhe janë shpërnda në orën 12.00, pa incidente. Disa grupe kanë shprehur dëshirën me e përsëritë manifestimin në orën 14.00 dhe, mbasi nuk i autorizuen, u morën masat e rastit duke ndaluar disa vetë e duke lëçitë disa të tjerë.
Pasditja kaloi pa ngjarje dhe të gjithë të ndaluemit, mbas një shqyrtimi të shkurtër të pozicionit të tyre vetiak, u lanë të lirë.
Në Krujë dhe Shijak ceremonia u zhvillua rregullisht.
Kavajë: – Në Kavajë, rreth orës 10.40, menjëherë mbas ligjëratës së mbajtur prej mësuesit Stefan Dhima, i dërguem nga kryetari i Bashkisë, afro 80 studentë të kursit të tretë dhe të katërt të Institutit Bujqësor “Arnaldo Musolini” papritmas filluan të demonstronin duke thirrë “Duam flamurin origjinal” dhe pastaj kundështonin ftesën që iu bâ për të hyrë në Institut. Më së fundi, si filluen me u kthye në rresht, porsa kaluan qytetin, papritmas u shpërndanë në grupe e u vërsulën kah Bashkia. Nja 20 demonstrues hynë në zyrën komunale, në ballkonin e së cilës ekspozuan një flamur shqiptar pa fashën e liktorit.
Ndërsa populli qëndronte i qetë dhe i displinuem, Arma e KK.MM. përpiqej me iu mbushë mendjen studentëve për të shmangë ngjarje të tjera dhe në këtë mënyrë u përfitue që studentët të bindeshin me u kthye t’inkuadruem n’Institutin e tyre.
Mbasdreke, nënprefekti, i shoqëruar prej sekretarit federal e prej kapitenit të KK. MM. (Karabinierisë) shkoi në shkollë dhe drejtoria e Institutit e siguroi se nxënësit nuk do të dilnin mâ atë ditë.
Shkodër: – Ceremonia e paracaktueme u zhvillue rregullisht. Në kundërshtim me urdhërat e autoritetit shkollor, gati njëqind studentë të klasës së shtatë dhe të tetë të Liceut u përpoqën të përshkojnë rrugët kryesore me flamur dhe duke kënduar hymnet shqiptare, por u shtrëngun të heqin dorë nga ndërhyrja e ushtarëve të Armës së Karabinierisë dhe të Sigurisë Publike. U ndaluan shtatë vetë, jo studentë, të cilët ishin futur në mes të studentëve për të shkaktuar turbullime. As një ngjarje tjetër.
Elbasan: – Mbas manifestimeve zyrtare, të zhvilluara rregullisht, një grup prej dyzetë studentësh të shkollës Normale me një flamur të vjetër (kombëtar) përpiqen të nisin një demonstratë, por u shpërnda nga fuqija botore dhe flamuri u sekuestrue. Pesë prej pjesëmarrësve u arrestuan, të cilët mbasi u lëçitën me verbal u lanë të lirë, mbasi rezultoi se kortezhi i studentëve ka pasë vetëm qëllim patriotik.
Berat: – Manifestimi u zhvillua simbas programit e me rregull të plotë, me pjesëmarrjen e të gjithë popullit.
Korçë: – Manifestimi u zhvillua me rregull të plotë e pa ngjarje.
Gjirokastër: – Ceremonitë u zhvilluan sipas programit, me rregull e me pjesëmarrje të pakët të popullit. Në orën 10.40, studentët e gjimnazit u përpoqën të bënin një demonstratë me një flamur të vjetër (kombëtar) tuj thirrë: “Roftë flamuri i jonë e pavarësija e Shqipërisë”. Fuqija botore ndërhyri dhe shtypi këtë përpjekje manifestimi jo të autorizueme dhe bâni disa ndalime duke vendosur menjëherë rendin.
Vlorë: – Ceremonia zyrtare u zhvillua rregullisht. Në orën 11.00, si mbaroi manifestimi zyrtar, një grup studentësh të Institutit Tregtar mori një flamur të vendosur jashtë një shtëpie private dhe duke thirrë “Poshtë gënjeshtarët dhe të shitunit”, përpiqeshin të viheshin në kolonë për një kortezh. Fuqia Botore për me ndalue bâmjen e manifestimeve jo të lejueshme procedoi ndalimin e 12 personave, ndër të cilët pesë studentë dhe dy mësues.
Pak më vonë ndërhyri për oportunitet senatori Mustafa Kruja, që tue pa flamurin dhe demonstruesit pranë, mori drejtimin e kortezhit dhe, mbas një fjalimi të shkurtër pranë monumentit të Ismail Qemalit, bâni që mbledhja të zgjidhej pa incidente.
Me ndërhyrjen po të Mustafa Krujës, në orën 13.00, nxënësit dhe mësuesit e ndaluar u lanë të lirë, kurse për pesë personat e tjerë vazhdonin hetimet.
Sipas informacioneve arkivore, rezulton se rreth pesë muaj më parë, në qershor të vitit 1941, studentët në qytetin bregdetar të Vlorës kishin organizuar një demonstratë kundër Italisë.
Më 20 qershor 1941, Këshilltari i Përhershëm i Policisë G. Travaglio informon Zyrën Politike dhe të Personelit, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, mbi hetimet që po kryheshin për Basri Nokën.
Në këtë informacion theksohet se Basri Noka, i biri i Mehdiut dhe Nafijes, lindur në Novosej të Shishtavecit, më 18 tetor (nuk jepet viti i lindjes-V.H.), e banues në Novosej, qysh nga prilli 1940 vazhdonte Shkollën Tregtare të Vlorës dhe kishte marrë pjesë, bashkë me studentët e tjerë, në një demonstratë kundër Italisë dhe për këto arsye ishte difidue (qortue) verbalisht.
Mbas disa ditësh të qortimit në fjalë, Basriu nuk deshte me frekuentue shkollën. Ai shfaqej indiferent për regjimin italian. Në ngarkim të tij nuk kishte precedentë as edhe padi penale, porse të sjellunit e tij të lente me dëshirue. Ai kishte hy pranë Komunës së Shishtavecit si roje provizore, por mbas dy muajsh ishte përjashtuar për mungesë sjelljeje korrekte, serioziteti dhe se nuk mbante këshilla.
Ndonëse i ri në moshë, nga shërbimet policore konsiderohej si një element i pavullnetshëm etj.
Pasojat e demonstrimit të 28 nëntorit 1941, në Tiranë
Për pasojat e veprimeve kundër pushtuesve italianë në Tiranë, më 28 nëntor 1941, kuestori i Tiranës, Kamber Qafmolla, i dërgon dorazi një fonogram Drejtorisë Qendrore të Policisë dhe Prefekturës së Tiranës, me këtë përmbajtje:
Mbas incidentit që ka ngjarë sot në mëngjes, rezultojnë të shtruar në Spitalin Civil personat e poshtëshënuar:
1) Evrasina Plaku, e bija e Thimit dhe e Katerinës, 18 vjeç, lindur në Hoçisht (Korçë), banuese në rrugën “Muharrem Karapici”, nr. 44, rrobaqepëse, e plagosur në këmbën e majtë e në synin e majtë, e shërueshme brenda dhjetë ditësh.
2) Ludovik Temali, i të ndjerit Liko dhe i Maries, 21 vjeç, lindur në Shkodër, banues në Tiranë, në rrugën “Çerçiz Topulli”, nr. 32 e 33, elektriçist, i shtruem në spital për t’u vizituar në stomak.
U ndaluan dhe u futën në burg, në dispozicion të Zyrës së Kuesturës, këta persona:
1) Makbule Dibra (Spahija), e Saliut dhe e Sanijes, lindur në Manastir më 1913, banuese në Tiranë, në rrugën “Dhimitër Kamarda”, e shoqja e komunistit të njohur (Hulusi Spahiu), i arratisur politik në Rusi.
2) Aleksandër Llazari, i të ndjerit Foto dhe i Këlcyrës, lindur në Porto Edda (Sarandë), më 1920, nëpunës pranë Mediterranea, banues në shëtitoren “Musolini”, nr. 112.
3) Sabahudin Gabrani, i Ismailit dhe i Hënës, lindur në Libohovë, më 1922, banues në Tiranë, në rrugën “Bari”, nr. 34, nëpunës pranë shoqërisë së Asikuracioneve.
4) Demir Gashi, i të ndjerit Osman dhe i Hamides, lindur në Dibër, më 1914, banues në Tiranë, në rrugën “Konti Çiano”, nr. 26, elektriçist.
5) Hasan Alimerko, i Meços dhe i Fatimes, lindur në Vlorë, më 1920, nëpunës në shoqërinë “COMECO”, banues në Tiranë, në rrugën “Ferit Frashëri”, nr. 76.
6) Fadil Tafaj, i Hajdarit dhe i Dehijes, lindur në Tiranë, banues në Tiranë, në rrugën e Durrësit, nr. 82.
7) Mehmet Radheshi, i Rexhepit dhe i Hajries, lindur në Tiranë, më 1921, banues në rrugën “Ferit Frashëri”, nr. 5, karrocaxhi.
VIJON NUMRIN E ARDHSHËM…
LEXO EDHE: