Aktualitet

Dëmtimin e veshkave, 10 këshilla si mund ta shmangni  





Na ndiqni në Facebook
               Publikuar në : 11:17 - 17/01/20 |
mapo.al

Një analizë rutine e urinës, gjakut, matja e presionit të gjakut, ekografia e veshkave mund të sigurojnë, ose të zbulojnë, nëse ka ndonjë shenjë të hershme të problemeve në veshka. Kategoritë që rrezikojnë më tepër nga dëmtimet  


Mënyra më e mirë për të parandaluar sëmundjet e veshkave është duke bërë kontroll, ku të paktën një herë në vit të masni tensionin e gjakut, të kryeni një analizë urine dhe matjen e kreatininës në serum. Sëmundjet e veshkave dhe kalimi i tyre në stadet kronike janë cilësuar si vrasës të heshtur të shëndetit, mbasi dëmtimi i veshkave ndodh në mënyrë të ngadalshme dhe të fshehtë për një periudhë të gjatë kohore, prej muajsh apo vitesh të tëra, çka sjell një diagnostikim të vonshëm të tyre dhe dëmtime të rënda të veshkave. Dëmtime të cilat më pas kërkojnë terapi zëvendësuese të funksionit të tyre, apo të vetë veshkave, si dializa dhe transplanti. Fillimi i dëmtimit të veshkave shpesh është i heshtur dhe pa shenja të dukshme për pacientin, shenja të cilat konsiderohen si pjesë e normalitetit të përditshëm. Megjithatë, ndër shqetësimet më të shpeshta që paraqesin të sëmurët me sëmundje të veshkave janë: “Ndryshime të urinimit, si urinim të shpeshtë (mbi 4-5 herë në ditë), me dhimbje ose djegie, me ngjyrë të kuqe apo të errët, ndryshim të sasisë së urinimit, etj. Po ashtu mund të ketë shfaqje të edemave (ënjtjeve) në këmbë, duar, apo fytyrë. Simptoma të tjera paralajmëruese të sëmundjes së veshkave janë edhe lodhja, të përzierat, të vjellat, vështirësi në frymëmarrje, dhimbje mesi, etj. Të gjitha grupmoshat rrezikojnë për të zhvilluar sëmundje të veshkave. Megjithatë, risku është edhe më i lartë tek personat mbi 50 vjeç, pacientët që vuajnë nga diabeti, pacientët që vuajnë me tension të lartë të gjakut, njerëzit me një histori familjare të sëmundjeve të veshkave, njerëzit me sëmundje kardiovaskulare, njerëzit me mbipeshë, apo të dhjamosur, si dhe duhanpirësit. Duhet të dini që zbulimi i hershëm mund të ndihmojë parandalimin e dëmtimeve të rënda të veshkave. Tre teste të thjeshta që mund të zbulojë rrezikun për sëmundje të veshkave, veçanërisht atyre të stadit kronik janë: kontrolli i tensionit të gjakut, gjetja e albuminës në urinë dhe matja e kreatininës në serum. Rritja e sasisë se proteinave në urinë është një tregues se sëmundja kronike e veshkave është e pranishme. Dëmtimi i veshkave mund të shkaktohet nga disa kushte, apo gjendje, si: Diabeti i sheqerit dhe tensioni i lartë në gjak, glomerulonefriti, sëmundjet e trashëguara, si sëmundja e veshkave polikistike, keqformime të lindura, lupusi dhe sëmundje të tjera që ndikojnë në sistemin imunitar të trupit, pengesat e shkaktuara nga probleme si gurët në veshka, tumoret apo një gjëndër zgjeruar prostatës tek burrat dhe infeksionet urinare të përsëritura.



Parandalimi


Sëmundjet e veshkave janë konsideruar si vrasëse të heshtura, të cilat mund të ndikojnë në cilësinë e jetës suaj. Megjithatë, ka disa mënyra për të zvogëluar rrezikun e zhvillimit të këtyre sëmundjeve.  Në vijim të shkrimit gjeni të detajuara 10 këshillat që duhet të zbatoni për të mbajtur larg dëmtimin e veshkave.

  1. Bëni rregullisht aktivitet fizik

Marrja me aktivitet fizik në mënyrë të moderuar të paktën 30 minuta në ditë në pesë ditë të javës. Aktiviteti fizik zhvillohet duke ecur me ritëm mesatar, vrapuar, duke lëvizur me biçikletë, etj. Aktiviteti fizik është i rëndësishëm për funksionin e veshkave, pasi përmirëson funksionin e muskujve, ul tensionin e gjakut, kolesterolin në gjak, mban një peshë të shëndetshme të trupit dhe përmirëson gjumin.

  1. Kontrolloni rregullisht nivelin e sheqerit në gjak

Gjysma e njerëzve që vuajnë nga sëmundja e sheqerit zhvillojnë dëmtime të veshkave. Pacientet diabetikë duhet të bëjnë një kontroll të rregullt të albuminurisë, të paktën një herë në gjashtë muaj, të mbajnë në normë shifrat e glicemisë dhe të kenë kujdes me dietën.

  1. Masni rregullisht tensionin e gjakut

Pak njerëz e dinë se tensioni i lartë i gjakut është një shkaktar i zakonshëm i dëmtimit të veshkave. Pacientët me tension të lartë të gjakut, duhet të mbajnë nën kontroll shifrat e tensionit, të kenë kujdes me dietën dhe aktivitetin fizik, pasi të gjitha këto ngadalësojnë progresionin drejt sëmundjes renale kronike.

  1. Ushqehuni shëndetshëm dhe mbani peshën nën kontroll

Ngrënia e shëndetshme parandalon diabetin, sëmundjet e zemrës dhe faktorë të tjerë të lidhur me sëmundjet kronike të veshkave. Çdo ditë përdorni 5 porcione fruta e zarzavate, 5 porcione drithëra, pini jo më pak se 1,5 litra ujë.

  1. Zgjidh dhe përgatit ushqimet me pak kripë

Kripa është një element i nevojshëm për organizmin dhe ka një rol kryesor në kontrollin e presionit të gjakut, apo ekuilibrin e likideve në trup. Kur veshkat nuk janë të dëmtuara ato eliminojnë sasinë e tepërt të kripës nëpërmjet urinës. Ndërsa, nëse funksioni i veshkës ulet moseliminimi i saj mund të shoqërohet me mbajtje të ujit në organizëm që shfaqet, si: ënjtje përreth syve, apo në këmbë. Rekomandohet konsumi i jo më shumë se 5-6 gram kripë në ditë, rreth një lugë çaji dhe të shmanget konsumi i ushqimeve të kriposura. Prandaj duhet të përdoren ushqime të freskëta, të mos përdoren ushqime të gatshme dhe të konservuara.  Në vend të kripës përdorni më shumë erëza.

  1. Përdor ushqimet që përmbajnë pak fosfor

Fosfori se bashku me kalciumin janë dy elemente shumë të rëndësishëm në organizëm për të ruajtur strukturën e kockës. Kur funksioni i veshkës ulet ruajtja e ekuilibrit midis kalciumit dhe fosforit është i vështirë dhe në këto kushte veshka nuk mund të eliminojë sasinë e tepërt të fosforit nga organizmi. Në këto raste vërehet një rritje e nivelit të fosforit në gjak shoqëruar me nivel të ulët në kalcium dhe për të korrigjuar këtë çrregullim, trupi do të ‘’vjedhë’’ kalcium nga kockat gjë që sjell dhe dobësimin e tyre. Niveli i lartë i fosforit në gjak mund të shkaktojë krurje në trup, dhimbje të kockave dhe të artikulacioneve. Për të evituar këto efekte anësore të fosforit më poshtë janë ushqimet që përmbajnë sasi të pakët të fosforit si edhe ato të pasura në fosfor që duhet të evitohen të përdoren. Ushqime që përmbajnë shumë fosfor janë mishi, pula, peshku, produktet e qumështit, thjerrëzat, bathe, arrat, coca-cola. Ndërsa ushqime të varfra në fosfor janë frutat dhe perime të freskëta, buka, makarona, orizi, si dhe cereale me bazë orizi, apo gruri.

  1. Përdor ushqimet që përmbajnë pak kalium

Veshkat janë organi kryesor që ndikon në ruajtjen e nivelit të kaliumit. Në stadet e avancuara të sëmundjes, veshkat nuk munden të eliminojnë dhe të ruajnë ekuilibrin e kaliumit në organizëm. Niveli i lartë i kaliumit në trup mund të jetë shumë i rrezikshëm për zemrën dhe mund të shkaktojë deri në çrregullime të ritmit të saj apo dhe vdekje. Prandaj një kujdes i veçantë duhet treguar në marrjen e ushqimeve që përmbajnë shumë kalium me qëllim evitimin e përdorimit të tyre. Ushqime që përmbajnë shumë kalium janë portokallet, bananet, patatet, domatet, produktet e qumështit, buka e bardhë, fasulet dhe arrat Sasia e proteinave që duhet të merrni në ditë varet nga niveli i dëmtimit të veshkave dhe pesha juaj. Për këtë duhet të konsultoheni me një mjek dietolog me qëllim përcaktimin e saktë të nevojave tuaja ditore.

  1. Shmangni pirjen e duhanit

Nikotina dëmton muret e brendshme të enëve të gjakut dhe lejon yndyrat dhe pllakëzat e gjakut që të ngjiten tek to, duke ngadalësuar rrjedhjen e gjakut në veshka dhe dëmtimin e funksionimit të tyre. Duhanpirja rrit rrezikun për kancer të veshkave me 50 për qind. Shmangni përdorimi e ilaçeve pa konsultën e mjekut.

  1. Bëni kujdes me disa barna

Disa barna të përdorura rëndom nga njerëzit për sëmundjet reumatizmale, si: brufeni, voltareni, aulina, mund të shkaktojnë dëmtim të veshkave dhe sëmundje nëse merren rregullisht. Barna të tilla ndoshta nuk paraqesin rrezik të madh nëse veshkat janë relativisht të shëndosha dhe nëse ato përdoren vetëm për emergjenca, por nëse keni të bëni me dhimbje kronike të tilla, si: artriti ose dhimbje të kurrizit, bashkëpunoni me mjekun tuaj për të gjetur një mënyrë për të qetësuar dhimbjen pa vënë veshkat tuaja ne rrezik. Shumë pacientë, sidomos të moshuarit, bëhen të sëmurë me sëmundje kronike të veshkave pasi përdorin pa kriter, apo me shumicë ilaçe anti-inflamatore për të qetësuar dhimbje të ndryshme

  1. Bëni ekzaminime

Nëse jeni në rrezik për sëmundje të veshkave, apo keni një ose më shumë faktorë të lartë të rrezikut mos neglizhoni ekzaminimet. Kjo veçanërisht në rastet kur keni diabet, keni hipertension, jeni obez, kur ju ose një nga anëtarët e familjes suaj vuan nga sëmundjet e veshkave.

Duhet të dini se:

  • Çdo minutë, përmes arterieve të veshkave, hyn në veshka rreth një litër gjak,apo një e pesta e tërë gjakut që pompohet nga zemra. Pasi pastrohet gjaku kthehet përsëri në trup.
  • A e dini se: Çdo ditë veshkat tuaja kontrollojnë me kujdes sasinë e kripës dhe të ujit në trupin tuaj në mënyrë që tensioni juaj i gjakut te mbetet i njëjtë.
  • A e dini se: Veshkat prodhojnë hormonin e reninës që rregullon tensionin dhe volumin e gjakut
  • A e dini se: Veshkat prodhojnë hormonin e eritropoetinës që stimulon palcën e kockave për të prodhuar rruazat e kuqe të gjakut
  • A e dini se: Veshkat aktivizojnë vitaminën D,e cila është e rëndësishme për të pasur kocka të shëndetshme.

Simptomat

  • Dobësi.
  • Mungesë përqendrimi.
  • Mungesë oreksi.
  • Pagjumësi.
  • Ngërçe gjatë natës
  • Ënjtje të këmbëve dhe përreth syve sidomos në mëngjes.
  • Tharje të lëkurës dhe kruarje.
  • Urinim i shpeshtë dhe sidomos gjatë natës.
  • Etje për ujë.


Etiketa: ,

Pas