Protesta e opozitës pati frymë dhe relativisht masivitet pas djegies së mandateve të deputetëve, ndërsa parashikimet ishin se kjo situatë do të detyronte qeverinë të shkonte deri në zgjedhje të parakohshme. A ka rënë ky parashikim, deri ku mund të shkohet me protesta?
Denis Dyrnjaja: Opozita në të gjithë aksionin e saj politik që shënjoi si kulm dorëzimin e mandateve të përfaqësimit parlamentar u tradhtua nga dy fajtorë kryesorë dhe madhorë për rezultatin e dëshiruar të saj; rrëzimin e Qeverisë dhe Kryeministrit Rama. Së pari, u tradhtua nga faktori ndërkombëtar që në mënyrë unanime i doli kundër të gjithë aksionit opozitar, pavarësisht toneve për të theksuar të drejtën legjitime të opozitës për të protestuar dhe së dyti, kjo opozitë nuk u mbështet nga elektorati gri, që aktualisht është shumicë në Shqipëri. Kjo do të thotë që opozita nuk prodhoi frymë dhe se liderdshipi i saj nuk krijon besim në publik. Kjo lidhet me të shkuarën dhe mënyrën sesi individët që e përfaqësojnë sot opozitën janë sjellë dhe qasur ndaj pushtetit. Masiviteti në protesta sporadike është tregues subjektiv në një mënyrë, pra nuk prezanton domethënien reale të votës, por një perceptim të saj, ose është tregues objektiv se strukturat partiake të të dy partive kryesore arrijnë të mbledhin militantët në ditët dhe datat e caktuara për protesta. Kjo do të thotë se opozita po krijon më shumë një vetësugjestionim të krizës politike dhe të mbështetjes popullore sesa një realitet faktik. Populli i pakënaqur del pa komandë në shesh, opozita thjesht i bashkëngjitet nëse ai e pranon. Studentët e refuzuan opozitën kur ajo tentoi t’i bashkëngjitej. Ky është një tregues domethënës, përkundër asaj që opozita propagandon dhe ky nuk është një mëkat i saj gjithsesi. Realiteti po tregon se populli mund të ketë dhe ka pakënaqësi pafund ndaj abuzimeve, skandaleve, korrupsionit, arrogancës apo prepotencës së kësaj qeverie, por opozita nuk i ka krijuar elektoratit të pavendosur bindjen se ajo është alternativa e duhur.
Qeveria vijon të jetë të paktën publikisht “indiferente” ndaj kërkesave të opozitës dhe këmbëngul se zgjedhjet lokale do të mbahen më 30 qershor. A mendoni se PD dhe partitë e tjera opozitare do të futen në zgjedhje? Nëse jo, a mund të konsiderohen zgjedhje pa pjesëmarrjen e opozitës?
Denis Dyrnjaja: Shumica e shqiptarëve të lodhur nga demagogjia politike dhe një tranzicion i gjatë dhe i vuajtshëm besojnë se qëllimi është rotacioni i pushtetit, jo ndryshimi i konceptit të përdorimit të pushtetit dhe shtetit. Ndaj protestat e opozitës nuk po e shqetësojnë Ramën sepse ato janë numrat e militantëve dhe Rama beson se betejën me militantë e fiton ai. Ndërsa betejën me popullin pa parti nuk e kanë humbur që të gjithë. Establishmenti është zgjatje e agonisë politike dhe e tranzicionit postdiktatorial. Opozita duhet të kuptojë se strategjia e saj e ekstremit politik nuk i solli produktin e shumëpritur. Sensibilizimi ndërkombëtar ndodhi por jo në mbështetje të opozitës, por në mbështetjeje të qeverisë. Ky ishte një autogol politik i opozitës, autori i së cilit dihet por nuk thuhet!
Të shtunën opozita ka parashikuar protestë masive para Kryeministrisë, ndërsa skenarët deri tani të protestave kanë qenë të ngjashme; disi incidente të vogla, por pa akte dhune. A mendoni se kjo formë proteste duhet të ndryshojë. Çfarë mendoni se do të ndodhë?
Denis Dyrnjaja: Është në të drejtën e saj të krijojë klimën për rrëzimin e qeverisë, që nga dita e parë që humbet pushtetin dhe del në minorancë. Në këtë rast ky është një postulat i vjetër sa dhe vetë demokracia si sistem. Çështja qëndron te realitetet sesi palët e shohin këtë reaksion politik. Pyetja parimore është përse opozita e ka ndërmarrë këtë aksion politik që kulmoi me dorëheqjen nga mandatet e përfaqësimit legjislativ?!