Aktualitet

Denoncimi i deputetit nga Kosova: Veliaj tenton të më marrë pronën, pasi pagova 1.6 milionë euro




               Publikuar në : 17:28 - 11/02/19 |
mapo.al

Deputeti shqiptar i Kosovës, njëherësh biznesmen, Ramiz Kelmendi, ka denoncuar publikisht kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj se po e shantazhon për ti marrë pronën në kryeqytet.


Përmes nje letre publike në “Facebook”, Kelmendi tregon të gjitha peripecitë që ka kaluar për të qenë investitor në Tiranë dhe i bën thirrje Veliajt të heqë dorë nga aventurat rinore e mos pengojë investitorët. E rëndë është akuza që ai i bën Veliajt, duke thënë se “detyrimi juaj që ne t’i japim Bashkisë dhuratë me shantazhim, pronën në vlerë prej mbi 5 milion eurosh, tregon një çmenduri rinore”. Po kështu ai thotë se ka paguar 1.6 milionë euro taksë për lejen e ndërtimit, sipas projektit për qender tregtare.

Ndërsa Bashkia e Tiranës në një deklaratë për mediat, nuk përmend aspak shqetësimet e biznesmenit, por thotë se prona do të shpronësohet për interes publik, pasi tek kthesa e Kamzës do ndërtohet terminali i udhëtarëve.

Letra e deputetit të PDK Ramiz Kelmendi dërguar kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliajt:

Letër e hapur,

Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj

I nderuar kryebashkiak Velijaj, tre vite më parë në zyrën tuaj e ku ishin prezent edhe stafi juaj profesional-teknik, kërkova mendim profesional rreth blerjes së prones për ndërtimin e ETC-së.

Në pyetjen time se a ka ndonjë kontest, interes publik për parcellën në fjalë, të gjitha përgjigjet nga ana juaj ishin në favor dhe mbështetje të ketij projekti.

Sa për ri-kujtim, isha deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Nuk prisja trajtim të veçant, por të paktën mbajtje të fjalës dhe përkushtimin tuaj si ndaj një investitori dhe qytetari të Kosovës. Fatkeqësisht ndodhi e kundërta. Çështja u prolongua në dhënjen e lejës dhe u detyrova të vij tek ju sërish në takimin e radhës 15 muaj pas takimit të parë. Gëzova sërish të njejtën mbështetje verbale nga ju sikur edhe në takimin e parë. Në këtë periudhë të takimit tonë të dytë isha zv/Kryeministër i Republikës së Kosovës dhe sërish u trajtova si një qytetarë i thjeshtë. Nuk e kisha brengosje as kësaj rradhe. Pas shumë pritjesh, pra 3 vite për të zbardhur lejen e ndërtimit (pritje e gjatë apo e shkurtër) le të vendosni ju dhe opinion), në nëntor të vitit 2018, zbardhët dokumentin për pagesën e taksës së ndërtimit dhe infrastrukturës që ishte në vlerë prej 1 milion e 680 mijë euro. Kjo shumë u pagua nga ana jonë dhe ishim duke pritur zbardhjen formularit, që sipas ligjit duhej të zbardhej në afatin prej 5 ditësh.

Kaluan ditët, afatet dhe pas tre muajve edhe pse hyri në fuqi me bazë ligjore, ne me instruksion të institucioneve ligjore filluam informimin me shkrim procedural tek të gjitha organet e nevojshme për fillimin e rrethimin dhe parapërgatitjet për vendosjen e gurëthemelit në të cilin do merrnit pjesë edhe ju si kryebashkiak, për gëzimim që investimin po e bënë investitori nga Kosova. Në këtë pikë ndodhi ajo që parashihte prolongimi i lejes. Erdhën në punishte inspektorët tuaj pa asnjë vendim për të pezulluar punët dhe për të rrënuar rrethojat në orët e vona të së shtunës, duke dashur të friksojnë kompaninë ndërtuese.

Nuk e di dhe mbetem i befasuar përse ndodhi kjo ?

Njerëzit tuaj na plotësuan me përgjigje ndaj kësaj befasie. Tani kërkohet që ne t’ua falim bashkisë pronën në fjalë. Absurd. Me keqardhje po ju theksojë se detyrimi juaj që ne ti japim Bashkisë dhuratë me shantazhim, pronën në vlerë prej mbi 5 milion eurosh, tregon një çmenduri rinore. Bile na u tha se po që se nuk e japim pronën në këtë mënyrë, ne nuk do të ndërtojmë kurrë objektin e cekur.

Andaj z. Velijaj, publikisht po ju kërkoj të hiqni dorë nga këto aventura të cilat do dëmtojnë rëndë imazhin e të dyja palëve dhe do ndikojnë negativisht në politikat lokale për investitorët nga Kosova.

****
Reagimi i Bashkisë së Tiranës

Bashkia e Tiranës, mbështetur në politikat e saj dhe në strategjinë e zhvillimit të qendrueshëm të transportit në qytetin e Tiranës, në bashkëpunim me Bankën Europiane për Rindërtim e Zhvillim (BERZH), ka identifikuar nevojshmërinë e krijimit të një terminali multimodal për transportin publik në Bashkinë e Tiranës.

Për këtë qëllim, Këshilli i Ministrave ka miratuar disa akte nënligjore, në funksion të vijimit të procedurave për realizimin e këtij projekti. Me vendimin nr. 770, datë 10.11.2011, Këshilli i Ministrave ka vendosur kalimin në pronësi të Bashkisë së Tiranës, të truallit me sipërfaqe 85.000 m2, me qëllim përdorimin e saj për ndërtimin e Terminalit Multimodal të Pasagjerëve.

Me anë të vendimit nr. 445, datë 22.05.2013, Këshilli i Ministrave ka përcaktuar Bashkinë e Tiranës, si autoritetin kontraktues për dhënien me koncesion vendor të projektimit të ndërtimit, financimit, operimit dhe transferimit të terminalit të transportit publik në qytetin e Tiranës.
Së fundmi, nga disa takime të përbashkëta ndërinstitucionale, jemi bërë me dije se Qeveria Qendrore, nëpërmjet shoqërisë Hekurudha Shqiptare sha, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe në bashkëpunim me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, po punojnë për zhvillimin e projektit të linjës hekurudhore Durrës-Tiranë -Rinas dhe ndërtimit të stacionit të Terminalit Hekurudhor. Ky terminal hekurudhor, synohet që të integrohet në terminalin multimodal për transportin publik në Bashkinë e Tiranës, projekt i cili po finalizohet nga ana e Bashkisë së Tiranës.
Në lidhje me ndërtimin e Terminalit Hekurudhor, tashmë shoqëria Hekurudha Shqiptare sha i është drejtuar zyrtarisht Bashkisë së Tiranës mbi bashkëpunimin për zhvillimin e këtyre dy projekteve madhore në fushën e transportit publik. Në dispozicion të këtyre dy projekteve, përveç pronës në pronësi të Bashkisë së Tiranës, duhet të vendosen dhe disa prona private, vendosja e të cilave do të realizohet nëpërmjet procedurave ligjore të shpronësimit publik.

Për sa më sipër, ku interesi publik dhe ai i qytetarëve mbizotëron mbi çdo projekt tjetër, Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të bashkëpunojnë për të siguruar funksionalitetin optimal dhe zhvillimin e këtyre dy projekteve, në shërbim dhe funksion të qytetarëve të vendit tonë.


Etiketa: , , , ,

loading...
KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Pas