Partia Demokratike e konsideron Spitalin Covid-4 një mashtrim të kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij për prapagandë.
Jashtë ambienteve të ish-universitetit Kristal që u tha se do ishte spitali Covid 4, kreu i Departamentit të Shëndetësisë në PD, Gazment Koduzi tha sot që shqiptarët kanë nevojë urgjente për kujdes shëndetësor në këtë kohë pandemie.
“Kjo godinë është e mbyllur dhe nuk është vënë në funksion të qëllimit të luftimit të koronavirusit asnjë ditë”, u shpreh Koduzi.
“Qeveria në vend që sakrificën e njerëzve që bënë gjatë 3 muajve karantinim ta kthente në investim në sistemin shëndetësor për ta përballuar më mirë këtë situatë, qeveria u mor me propagandë, me tendera korruptivë dhe një nga veprat e propagandës së Edi Ramës është prapa meje, ish-Universiteti Kristal, i cili sipas Edi Ramës u kthye në Spitalin Covid 4 më 2 qershor dhe u inaugua me propagandë të madhe por që ishte një mashtrim për shqiptarët”, deklaroi Koduzi.
Zyrtari i PD ishte edhe te spitali COVID 3, te ish-spitali Kirurgjik, i cili ndodhet në të njëjtat kushte si COVID 4, jashtë funksionit, ndryshe nga deklaratat e kryeministrit Edi Rama dhe ministres së Shëndetësisë se do të jetë gati në çdo moment, në rast të përkeqësimit të situatës nga koronavirusi.
Aktualisht si spitale COVID në vendin tonë funksionojnë spitali Infektiv në QSUT dhe ai i mushkërive, “Shefqet Ndroqi”, në Sauk.