Ministria e Arsimit dhe Sporteve ka reaguar pas akuzave të ish-deputetes së PD, Albana Vokshi, për masat në shkolla ku po përhapet koronavirusi.
Ish-deputetja demokrate denoncoi nga shkolla “Emin Duraku” në kryeqytet, e cila sipas saj është kthyer ne vatër virusi pasi janë infektuar 8 mësues dhe 20 të tjerë janë karantinuar.
Por për Ministrinë e Arsimit, procesi mësimor në këtë shkollë vijon normalisht, ndërkohë që mësuesit e infektuar janë zëvendësuar.
Reagimi
Në lidhje me shkollën 9-vjeçare “Emin Duraku” në kryeqytet, dëshirojmë t’ju informojmë se mësimi në këtë shkollë po vijon normalisht.
Për shkak se disa mësues kanë rezultuar me COVID-19 dhe disa të tjerë janë karantinuar, nga ana e DPAP dhe zyrës arsimore vendore Tiranë janë marrë masat e menjëhershme për zëvendësimin e tyre në mënyrë që mësimi të vijojë pa ndërprerje. Njëkohësisht, është shtuar edhe numri i psikologëve për të qenë sa më pranë nxënësve e mësuesve me shërbimin psiko-social.
Ndërkohë, procesi i dezinfektimit në këtë shkollë është kryer 3 herë gjatë gjithë javës së shkuar, teksa dezinfektimi më i fundit është realizuar ditën e djeshme.
Duam të sigurojmë prindërit e të gjithë opinionin publik se ne po punojmë intensivisht që jo vetëm në këtë shkollë por në të gjithë vendin, ambientet e shkollave tona të jenë të sigurta, me higjienizim të vazhdueshëm, me masa që respektohen e me nivel të lartë ndërgjegjësimi nga ana e nxënësve, mësuesve dhe gjithë stafit të shkollave.
LEXO EDHE:
Denoncimi i PD: “Emin Duraku”, vatër e rrezikshme e Covid – 8 mësues të infektuar