Drejtoria e QSUT ka reaguar menjëherë pas intervistës tronditëse dhe denoncuese të dy vajzave të Rifat Lalos, i cili ndërroi sot jetë në Spitalin Infektiv.
QSUT rrëzon pretendimet se i prekuri me koronavirus nuk ka marrë kujdes mjekësor, dhe se i është kërkuar familjarëve para për ta nxjerrë nga Infektivi, në mënyrë që të dërgohej në një tjetër spital jashtë vendit.
Qendra Spitalore Universitare e Tiranës, gjithashtu deklaron se personeli mjekësor, teksa ofronte shërbimin e nevojshëm shëndetësor për 79-vjeçarin Rifat Lalo, është përballur me presione dhe ndërhyrje të vazhdueshme të familjarëve.
“Pacientit i janë kryer të gjitha shërbimet e nevojshme, por për fat të keq ai nuk ia ka dalë dot për shkak të gjendjes së rënduar të mushkërive, në momentin e mbërritjes së tij në spital“, – theksohet në deklaratë.
“QSUT hedh poshtë çdo insinuatë për mungesë shërbimi, dhe është e gatshme të ofrojë të gjithë informacionin dhe provat e nevojshme, që vërtetojnë të kundërtën” , – vijohet më tej.
Deklarata e QSUT-së:
Në vijim të një interviste të dhënë sot nga vajzat e qytetarit R.L., duke respektuar dhimbjen dhe rolin që ajo luan në gjykimin e tyre, dëshiron të sqarojë opinionin publik si vijon:
Pacienti me inicialet R.L ,79 vjec, ka mbërritur me urgjencë pranë Spitalit Covid 1, ora 16:30 të datës 15 Shkurt 2021, në një gjendje shumë të rënduar shëndetësore, në kushtet e Insuficiencës së rëndë respiratore (me saturime 70% nën oksigjenoterapi 20L)
Menjëherë është pranuar në urgjencën e Spitalit Covid 1 dhe ka marrë shërbimin e nevojshëm shëndetësor, sipas protokolleve.
I është bërë skaneri ne orën 17:15, është komunikuar menjëherë pas realizimit të skanerit me familjarët duke ju shpjeguar gjendjen tepër të rëndë si në aspektin klinik ashtu edhe atë imazherik. Gjendja e pacientit ka vazhduar të jetë e rënduar, ndërkohë që ka qenë gjatë gjithë kohës në oksigjenoterapi (sipas rekomandimeve edhe te mjekeve reanimatore).
Ndërkohë, mjekja e rojës është gjendur vazhdimisht nën presionin dhe ndërhyrjet e familjarëve, të cilët kanë patur madje dhe një komunikim të acaruar mes tyre, në ambjentet e jashtme të spitalit, mbi vendimin për ta mbajtur apo për ta nxjerrë pacientin nga spitali dhe për ta dërguar në nje shtet tjetër Europian për trajtim.
Duke e mirëkuptuar gjendjen e rënduar të të afërmve, mjekja roje dhe kuruese Dr. Migena Qato ka komunikuar me ta çdo 15 minuta, pavarësisht se sjellja e tyre kundrejt saj, ia ka vështirësuar tej mase ushtrimin e detyrës dhe ofrimin e shërbimit për pacientët e shumtë që merrnin shërbim në spitalin Covid 1 ku mjekja shërbente.
Në vijim komunikimi me dy motrat ka vazhduar edhe nga Shefja e Shërbimit Prof. Najada Çomo.
Sigurojmë dhe një herë familjaret dhe qytetarët se pacientit i janë kryer të gjitha shërbimet e nevojshme, por për fat të keq ai nuk ia ka dalë dot për shkak të gjendjes së rënduar të mushkërive, në momentin e mbërritjes së tij në spital.
QSUNT hedh poshtë çdo insinuatë për mungesë shërbimi, dhe është e gatshme të ofrojë të gjithë informacionin dhe provat e nevojshme, që vërtetojnë të kundërtën.
Lusim mediat që të inkurajojnë qytetarët të paraqiten në kohë pranë shërbimeve shëndetësore për të marrë shërbimin e nevojshëm në kohën e duhur, pasi çdo vonesë sjell pasoja në shëndetin e tyre.
Gjithashtu garantojmë që stafi ynë mjekësor do bëjë të pamundurën, ashtu siç ka vepruar për gjatë gjithë kësaj periudhe pandemie me një përkushtim të jashtëzakonshëm!