Editorial

Departamenti Amerikan i Shtetit, OFL dhe pastrimi i parave








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:09 - 08/09/20 |
Pellumb Nako

Sipas një dalje televizive të përfaqësuesit të opozitës duket se Departamenti Amerikan i Shtetit edhe për këtë vit, të katërtin radhas, e gjykon Shqipërinë si vendin ku lehtësisht mund të investohen dhe pastrohen paratë e aktivitetit kriminal  duke e cilësuar atë “ si vend kryesor për pastrimin e parave.” Ky konstatim tregon qartë që ndryshe nga ç’mund të ndodhë me opinionin e brendshëm publik të vendit tonë që mund të impresionohet nga propaganda shtetërore, Operacioni Forca e Ligjit aq shumë i pompuar mediatikisht, nuk e paska bindur, as impresionuar Departamentin Amerikan të Shtetit me efikasitetin e tij në sekuestrimin e pasurive me prejardhje kriminale. Raport vjen i pandryshuar në konstatimet e tij të rënda lidhur me fenomenin për të katërin vit radhasi, pra edhe edhe në vitin kur qeveria reklamoi me forcë zhurmuese kthimin e madh, atë të aktit normativ për sekuestrimin e pasurive të të dënuarve për vepra të ndryshme penale nëpërmjet OFL-së.


Këtij akti i mbaron afati këtë vit, por raporti amerikan duket se nuk e sheh si sukses. Ka shumë të ngjarë që ai të shtyhet përsëri sepse viti që vjen është vit elektoral dhe Operacioni Forca e Ligjit hyn në punë në shumë drejtime, edhe për kompromise të mundshme me botën e krimit. Heshtja e qeverisë me këtë rast të krijon bindjen se ajo pak ose aspak e ka në qendër të vëmendjes luftën reale kundër pastrimit të parave për një ekonomi të dekriminalizuar dhe një shoqëri shqiptare me vlera të shëndosha sociale. Po ashtu aspak nuk i bën përshtypje se ky raport konsultohet nga shumë grupe interesi dhe agjensi të huaja duke dëmtuar jo vetëm ekonominë, por edhe reputacionin e vendit. Por edhe ky i fundit duket që nuk e ka vëmendjen e  qeverisë. Për të pak rëndësi kanë vlerat dhe emri i mirë i vendit, mjafton të ketë të ardhura financiare, pavarësisht se nga vijnë ato. E gjitha kjo për shkak të shpërdorimit katastrofik të parave publike. Kjo qeveri ka dëshmmuar një etje kronike për të gjetur burime financiare edhe me rreziqe kriminale, dhe nga ana tjetër kërkon të bindë publikun për seriozitetin e saj kundër parave të pista. OFL-ja është aty për të bindur apo hedhur hi syve opinionit publik të vendit lidhur me seriozitetin e qeverisë kundër krimit dhe për të peshkuar ndonjë diplomat europian të tipit Romana Vlahutin që të  dëshmojë në emër të qeverisë për ecjen përpara të reformave integruese të vendit.


Pra nga njëra anë kemi një OFL që mediatikisht krijon përshtypjen se nuk po lë kriminel pa i sekustruar pasuritë dhe nga ana tjetër Departamentit Amerikan që thotë se këtu në Shqipëri paratë pastrohen me lehtësi dhe në masë. Duke e quajtur të besueshëm raportin amerikan dhe duke parë me vëmendje gjithë kontigjentin individëve me të kaluar kriminale të cilëve OFL po u sekuestron pasurinë, do të konstatohet se akti normativ nuk ka themele të forta ligjore. Ai ushtron dhunë mbi këtë kontigjent, dhe jo drejtësi. Më shumë kemi të bëjmë me një akt ligjor që krijon mundësinë e sekuestrimit të pasurisë një kontigjenti me të shkuar kriminale për të cilin publiku i gjerë i vendit ka perceptimi emotiv dhe ndihet i shpaguar kur sheh pasurinë e tyre të sekuestrohet. Megjithëse një pjesë e madhe deri tani e paligjshme. Ai tregon ndjeshmëri të madhe për dënim të ashpër ndaj trafikantëve, dhunuesve apo shfrytëzuesit e prostitucionit dhe në këtë mënyrë nuk është në gjendje të dallojë se ku është problemi më therrës i pastrimit të parave.


OFL-ja së bashku me inskenimet e saj kinematografike e joshin pa masë atë, por nuk zgjidhin aspak thelbin e problemit real të institucioneve kompetente të vendit tonë në pastrimin e parave siç është korrupsioni masiv i hallkave të shtetit në të gjitha nivelet, sidomos ato vendimarrëse. Deri më sot, në aksionin e saj OFL-ja nuk ka na ka bërë me dije të ketë konfiskuar pasurinë e ndonjë individi për arsye se ka qenë i dënuar për korrupsion. Korrupsioni është paradhoma e pastrimit të parave, kusht i ekzistëncës së tij. Janë dy fenomene që ushqejnë reciprokisht njëri-tjetrin duke e kthyer trafikantin në biznesmen dhe zyrtarin në sipërmarrës. Sigurisht  OFL nuk mund të kryejë këtë mision për faktin e thjeshtë, por të rëndë, sepse nuk ka të tillë  që të jenë dënuar. Po të shihet profili i atyre që popullojnë sot burgjet, nuk të ze syri ndonjë individ që me të qeshur apo përqeshur i quajmë me emrin “peshk i madh”. Të dënuarit e këtij fenomeni përbëjnë kategori me pasuri modeste apo që kanë kryer aktin për të rregulluar sadopak jetën në mënyrë të gabuar. Të konfiskosh asetet e krimit në një vend ku të paktën sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, pastrimi i parave kryhet me lehtësi dhe të mos kthesh sytë nga dënimi dhe konfiskimi i pasurive të të korruptuarve të mëdhenj me pushtet që mundësojnë pastrimin e parave, do të thotë t’i vish  vërdallë problemit.


Në një vend si i yni, të luftosh asetet kriminale, pa goditur rëndë korrupsionin e niveleve të larta qeverisëse, do të thotë të gënjesh kur të gjithë e dinë se ura ndërmjet botës kriminale dhe futjes së parave në kanale ligjore janë jo vetëm mangësitë e bazës ligjore të vendit, e cila në tërërsi konsiderohet e mirë, por mbi të gjitha janë autoritetet ato që krijojnë mundësitë. Pra pastrimi i parave në një vend nuk lehtësohet nga korrupsioni “ popullor ” i shtresave të ulëta të cilat përbëjnë edhe gjahun më të preferuar të një drejtësie burracake të dobët dhe që popullojnë masivisht burgjet, por elitar të shtresave të larta. Sepse ato kanë pushtet, ato janë në gjendje të marin vendime dhe të japin autorizime. Nëse shihet numri i të dënuarve për korrupsion në vendin tonë dhe numri i atyre që për këtë vepër penale iu janë sekuestruar pasuritë, diferenca gjigande do të përligjte me siguri absolute raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit.

 


Etiketa: , , ,

Pas