Deputeti Lefter Maliqi dha versionin e tij për shkaqet që çuan në shkarkimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Enton Duro.
Në një konferencë për shtyp, deputeti Maliqi deklaroi se Enton Duro u shkarkua nga Tatimet, pasi nuk mbajti premtimin për të nxjerrë administratën në votime më 30 qershor. Sipas deputetit, ai u shantazhua që të çonte administratën në votime, por punonjësit nuk pranuan të shkonin.
“Edhe shkarkimi i Drejtorit të përgjithshëm të Tatimeve ka të bëjë me mosmbajtjen e premtimit, u shantazhua që administrata të shkojë në votime, por nuk shkoi. Po kapen të gjitha institucionet, po shkojmë drejt diktaturës”, tha Maliqi.
Duro u shkarkua nga detyra dy ditë më parë, ndërsa nuk pati asnjë sqarim zyrtar nga Ministria e Financave.