Ish-krymeinistri Sali Berisha ka komentuar deklaratat e deputeti kristiandemokrat, Gunther Krichbaum, i cili tha ditën e djeshme në intervistë për DW se Gjermania do të ndërpresë marrëdhëniet me Partinë Demokratike nëse kthehet te e shkuara.
Berisha e cilësoi deklaratën e Krichbaum personale dhe theksoi se ndjen keqardhje që një anëtar i një partie simotër me PD bën deklarata të tilla. Sipas tij, është faktuar se shpallja “non grata” është marrë “nga lobimi korruptiv i Edi Ramës dhe Xhorxh Soros”.
“Së pari shumë thjesht, ai ishte angazhim personal. Unë në qëndrimet personale të idividëve nuk ndërhy. Por cili është komenti im. Keqardhje që një deputet i Bundestagut i lejon vetes se mund të ndërhyjë në një proces të lirë te një parti simotër. Aq më tepër kur ai e bën këtë mbi një vendim që është faktuar që është marrë nga lobimi korruptiv i Edi Ramës dhe Xhorxh Soros. Ftoj zotin Krichbaum që të marrë një hetim në të gjitha arkivat e shtetit të tij, nëse mund të gjejë një provë të vetme, për të faktuar atë shpifje dhe trillim të Xhorxh Sorosit, unë do ta vlerësoja”, tha Berisha.
Në intervistën për DW, Gunther Krichbaum tha se i vjen keq për situatën në PD, por nuk mund të ndërhyjë në zgjedhjet e brendshme për zgjedhjen e kryetarit.
“Por kjo do të thotë edhe për ne dhe për mua personalisht, se unë do të vazhdoj të punoj dhe ta mbështes PD-në vetëm nëse jepet një sinjal largpamës në përzgjedhjen e kryetarit. Nëse nuk do të jetë kështu, por do të ketë kthim në të djeshmen, në mos të pardjeshmen, atëherë kjo nuk mund të gjejë mbështetjen time personale. Në një rast të tillë, unë do të angazhohesha që të pezulloheshin procedurat për anëtarësim në nivel të Partisë Popullore Evropiane. Sepse ne, si parti Parti Popullore Evropiane duhet të ecim përpara”, sqaroi ai.
Më tej deputeti gjerman shtoi se partia dueht të marrë një vendim të mençur, nëse dëshiron të bashkëpunojë në planin ndërkombëtar.
“Ky është qëllimi legjitim i një partie në demokraci: që të vijë në pushtet e të formojë qeverinë. Unë mendoj se amerikanët kanë gjetur fjalë të qarta dhe mendoj se partia bën mirë që fjalë të tilla të mos i lërë pa i dëgjuar”, përfundoi Krichbaum.