Kryeministri bëri të ditur se kufizimet dhe masat mund të vazhdojnë shumë gjatë. Ai përmendi, derisa të gjendet vaksina. Juristi Ledio Braho thotë se vaksina i takon shkencës, Rama duhet të zbatojë Kushtetutën
Shqiptarët duket se nuk do kenë shpresë t’i rikthehen jetës normale përpara daljes së një vaksine, por do të vazhdojnë me kufizimet dhe distancimin social për një periudhë të pacaktuar. Këtë bëri të ditur dje kryeministri në një dalje për qytetarët në orët e pasdites. Rama tha se do bëhet një hapje e diferencuar sipas qarqeve, por duke paralajmëruar rivendosjen e masave në rast se vërehen shpërthime të vatrave të koronavirusit.
“Mblidheni mendjen, duhet të jemi të vëmendshëm dhe se nuk duhet të shkelim më nga shtëpitë e njëri-tjetrit pa u zhdukur ky armik”, – tha Rama. Nga ana tjetër kryeministri pranoi se nuk mund të rrimë mbyllur pa fund, por gjithsesi në varësi të dinamikës së shpërndarjes të epidemisë do bëhet dhe lehtësimi i masave sipas qyteteve. “Për shembull në Gjirokastër apo Dibër ku risku është shumë i ulët mund të kemi më shumë lehtësim masash, por në Krujë asnjë lehtësim, apo në Tiranë dhe Durrës një lehtësim të moderuar.
Këto mund të variojnë në varësi të dinamikës së luftës dhe sjelljes së qytetarëve. Kjo qasje do të lehtësojnë shumë në zona të ndryshme lëvizjen me këmbë apo me makinë. Brenda disa bashkive mund të lehtësojmë shumë lëvizjen. Për shembull për njerëzit e fshatit për të shkuar në qytet, apo një familje që të rrijë e gjithë brenda. Edhe fashat orare nuk kanë pse të jenë njëlloj si në zonat me risk të ulët dhe tek ato me risk të lartë”, -tha Rama.
Juristët
Por për juristin Ledio Braho, shpikja e vaksinës nuk është në dorën e qeverisë shqiptare, dhe si e tillë, masat që kufizojnë liritë dhe të drejtat e njerëzve duhet të përfundojnë me përfundimin e afateve kushtetuese të gjendjes së fatkeqësisë natyrore. Në një prononcim për MAPO ai thotë se kryeministri mundet vetëm të zbatojë protokollet e sigurisë.
“Nuk mundet që masat kufizuese të jenë në fuqi deri në daljen e vaksinës, për më tepër që shpikja e vaksinës nuk është një nga objektivat e shkencës apo qeverisë në Shqipëri. Vetëm protokollet e sigurisë janë ato që mund të mbeten në fuqi deri në vaksinimin e popullsisë dhe të jenë legjitime. Janë pikërisht këto protokolle që mund të shmangin “puthjet dhe përqafimet” që citon Kryeministri. Gjendja e fatkeqësisë natyrore duhet të përfundojë brenda afateve kushtetuese dhe për rrjedhojë të përfundojnë dhe kufizimet e lirive dhe të drejtave të njeriut”, shprehet Braho. Më tej ai thotë se protokollet e sigurisë ndaj COVID-19 duhet të ishin marrë që në fund të shkurtit, ndërkohë që flet çdo ditë për burgime pa cituar asnjëherë Kushtetutën. “Qeveria shqiptare duhet të kishte marrë masa që në fund të muajit shkurt, për të mos thënë më herët, në lidhje me protokollet e sigurisë, por ndërkohë në fund të muajit shkurt u kujdes vetëm për miratimin e vendimeve për organizimin e procedurave të prokurimit në kundërshtim me parimet e sanksionuara në legjislacionin në fuqi për prokurimet publike. Kryeministri flet çdo ditë për kufizime, gjoba, sekuestrime apo dhe për burg, por asnjëherë nuk citon Kushtetutën a thua se është Kushtetuta armiku ndaj të cilit po luftojmë”, përfundon Braho.
Shpërndarja
Por në rast se i hedh një sy shpërndarjes së qyteteve të prekura duket se masat kufizuese do i vuajë më shumë pjesa veriore e Shqipërisë, dhe një pjesë e Shqipërisë qendrore. Tirana është qyteti që rezulton me numrin më të lartë të të prekurve, rreth 256 raste, e ndjekur nga Shkodra me 100 raste, Kruja me 58 raste, Durrësi me 42 raste dhe kështu me radhë. Kohët e fundit vatrat e shpërthimit kanë qenë në pjesën veriore dhe qendrore të vendit. Kruja dhe Kurbini patën ditët e fundit shpërthimin më të madh për shkak të një fasonerie. Shkodra, Kukësi, Tropoja, Mirdita, Lezha figurojnë në hartën e shqiptare të Covid-19. Prej kohësh në shumë zona të jugut, përfshirë Fierin dhe Korçën nuk kanë rezultuar persona të tjerë të infektuar me koronavirus, ndërkohë që qytete si Gjirokastra, Saranda apo Delvina rezultojnë deri më tani pa asnjë të prekur. Vlora, një nga qytetet më të mëdha të jugut, ka pasur vetëm pesë të infektuar dhe prej disa javësh nuk janë regjistruar të tjerë. Duket se këto qytete do kenë dhe lehtësirat më të mëdha. Ndërsa në qytetet e tjera, te të cilat është shfaqur koronavirusi por nuk kanë rezultuar raste të reja do ketë lehtësira të moderuara. Çka do të thotë fasha më të zgjatura oraresh apo lëvizje e kufizuar me makinë duke marrë leje pranë policisë, siç paralajmëroi në paraditen e djeshme ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu kur tha se “Mund të ketë zgjerim të orarit të lëvizjes brenda një bashkie për automjetet”.