Mapo Letrare

Dëshiroja të jesh thelbi i arrës sime





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 16:45 - 27/06/20 |
Nga Marta Markoska

Cikël me poezi erotike nga Marta Markoska


Marta Markoska u lind në datën 29.06.1981, në Shkup. Ka diplomuar për Letërsi të përgjithshme dhe komparative, në fakultetin filologjik “Bllazhe Koneski” në Shkup, ndërsa ka magjistruar për Studime kulturologjike interdisciplinare në letërsi, në Institutin e letërsisë maqedonase në Shkup.


Markoska është anëtare e Shoqatës së Shkrimtarëve të Maqedonisë dhe deri tani ka botuar njëmbëdhjetë botime autoriale: poezi, prozë/tregime, studime shkencore, kritikë/ese.


Libri  Heroik / Erotik  (H/ERO/T/IC BOOK, poezi erotike, Matica, 2019)


Kallëzim(e) të  fil(m)uara, studime shkencore dhe ese (Evroballkan – Shkup, 2017)

Vrima të zeza në ne, përkthyer në serbisht libri “Cërni dupki vo nas (Gramatika, Beograd, 2017)

Vrima të zeza në ne, poezi (botimi II, verzioni maqedonisht – anglisht, shpërblimi “Todor Çallovski”, 2015)

Vrima të zeza në ne, poezi, shpërblimi “Beli Mugri”, 2014)

Debat për Zen budizmin (Transcedenca religjioni – filozofia në mes mendimit lindor dhe perëndimor) studim shkencor, Matica, 2013)

Kokëfortë drejt lartësive, poezi (botimi II, Magor, 2013)

Kokëfortë drejt lartësive, poezi shpërblimi “Aco Karamanov”, 2012)

Hiper hipotezat, ese (Instituti për letërsi maqedonase, 2011)

Vorbull në Betlehem, tregime (Templlum, 2010) dhe

Të gjitha rrjedhat derdhen në shtratin time, poezi (Templlum, 2009).

Markoska është fituese e këtyre shpërblimeve: Shpërblimi i parë për tregim më të mirë në konkursin Elektrolit (Templum/Margjina), për tregimin Çka ndodh kur e lexoni Frejzerin (2007), shpërblimi Aco Karamanov (2012), për dorëshkrimin poetik Kokëfortë drejt lartësive; shpërbilimi Beli Mugri (2014), për dorëshkrimin poetik Vrima të zeza në ne, shpërblimi Todor Çallovski, për poezi, eseistikë, kritikë dhe forma proze kreative, 2015 (laureate e parë); shpërblimi për tregim të shkurtër në Nova Makedonija, për tregimin Lartësitë e Feliksit (2015). Krijimtaria e autores Marta Markoska është përfshirë në shumë antologji të poezisë bashkëkohore dhe prozës në vendin tonë dha jashtë vendit, kurse ajo është hartuese e Antologjisë së poezisë së dashurisë dhe lirikës erotike me titull  Kreshta të lundrimeve poetike (2014). Markoska ka qenë pioniere e lansimit të Talk-showt të parë në Shkup, kushtuar gjith poetëve të njohur maqedonas, të quajtur ”Magnitudat letrare”.

 

HYN SI…

 

Dëshiroja të jesh thelbi i arrës sime

të shtrihesh mes lëvozhgave të mia,

dëshiroja të jesh margaritar i guaskës sime

të derdh mbi ty gjith lëngjet e mia,

dëshiroja të jesh krimb në qershinë time,

të ëmbëlsohesh në ëmbëlsinë e saj

 

Dëshiroja të bëhesh prijës i fisit tim,

të më hysh si zanafillë në farë.
Të më jesh edhe shpëtim,

edhe humnerë njëkohësisht.

 

Kurse ti nga gjith kjo,

më quajte vetëm

sunduese e vogël dashurie!

 

 

MË FËRKO

 

Të dielave, kur shiu ka erë bliri

a mërzia më çon të mendoj për ty,

dora e majtë ledhaton të djathtën

a kofshët fërkohen mes veti,

në mungesë të prekjes së huaj.

 

Më duhesh që ta tërheqësh këmbëzën

kur kujtohem se

pimë vet,

flemë vet.

 

Të dielave kur shiu ka erë bliri

a në tryezë qëndon vetëm një filxhan i zbrazur,

libër që askush nuk e lexon,

çelësa gjë asgjë më nuk çelin,

kujtime që askush nuk i kujton më.

 

Më duhesh që ta tërheqësh këmbëzën,

sepse që moti

pimë vet,

flemë vet.

 

 

 

MË ZGJERO

 

Qielli është i ngushtë për ne të dy.

I mblodhëm të gjitha bekimet e tij

Tani nuk kemi më shtëpi, jemi fëmijë të askujt

e menduam se Zoti ka caktuar të takohemi

jo për të dyfishuar gëzimet,

por për të ndarë brengat.

 

Toka është shumë rrumbullake,

për të kuptuar mprehtësinë e këndeve,

të formave të ashpra gjeometrike

ku jeta na ka vënë.

Dhe aq të robëruar në dimensione të shumta,

shpresojmë të jetojmë në mënyrë lineare.

 

Thua: fati pranon shpërblesë,

por ai nuk pranon monedha të imta.

E ne nuk kemi miliona për ti dhënë …

të na lejojë të jetojmë pranë njëri – tjetrit,

aq sa dëshirojmë,

aq sa meritojmë.

 

 

BËMË HARTË

 

Nëse trupi im është territor për mbisundim

mes disa palëve ndërluftuese,

e ti i pari dëshiron të ngulësh flamurin

që të shënjosh se të takon vetëm ty,

mendon se di për ta zbutur,

si ta ruash, kultivosh e ta ledhatosh?

 

Trupi im nuk është hapësirë gjeografike,

ku mund të shpallesh perandor.

Trupi im është histori e tërë

ku janë shënuar shumë fate,

në të janë nënshkruar shumë emra,

nëpër të kanë kaluar shumë pushtues,

shumë perandori janë shkatërruar mbi të,

shumë rerandorë janë bindur para tij.

 

Por, trupi im për ty është magmë vullkanike,

stratosferë armiqësore pa oksigjen,

majë e pashkelur me bisha të egra,

ndaj nuk do të mund ta shënosh

hartën e jetës tënde për të cilën kam mall.

 

 

QASMU MUA

 

Këngët nuk më mjaftojnë

të mund të lahem me to

kur nuk je të ma turbullosh ujin.

Dridhem para pritjes së secilit varg të ri,

si fletëz e ndjeshme para flakës.

Pritja më emocionon çdo qelizë

që ndryshon strukturën e ADN – së

nga mendimi që do të na takohen trupat.

 

Malli për prekje zgjatën shumë

për këtë jetë të shkurtër ku nuk dimë

ku do na zë nata e a do të  agojë dita.

 

Mos i shtyj psherëtimat tona

për ndonjë jetë të ardhshme

ku ndoshta ti do të jesh ardhje e une – shkuarje

 

Qasmu dhe më lejo të të përmbys si Atlantidën

që vetëm unë të di ku gjithnjë  të të gjej përsëri.

Qasmu dhe më lejo vetëm unë të ankoroj në gjirin tën

kurse ti, deti im i trazuar – përherë do të më përkundësh…

 

 

MË PRANO

 

Bëhu zbulimi im i ri shkencor

të të hulumtoj në gjith meridianet

dhe të ankorohem në gjirin ku

lëngjet tona ende avullohen…

Të ndez vullkanin që të derdhë magmën,

të na shndërrojë në mbeturina,

fosile nga të cilat nesër do të lind brezi i ri.

 

Më merr në bregdetin tënd

të mbetur e kurë të shëruar.

 

Bëhu zbulimi im i ri shkencor,

më lejo të testoj voltazhën tënde

kur i ngazëllyer dridhesh në mua.

Të ndjej tërmetin përderisa

shtati yt i kundërvihet

tajfunit eksitues.

 

Më prano në odën tënde eksperimentale,

të bëjmë qark elektrik…

 

Bëhu zbulimi im i ri shkencor,

të të hulumtoj organ pas organi,

të depërtoj thellë në inde

dhe të ordinoj në fushën e ADN – së tënde

ku do të orvatem të shënoj edhe veten time.

 

Më prano në esencën tënde

siç të pranoj unë ty

gjithmonë si herën e parë

 

 

Rikëndoi nga origjinali:

Adem ABDULLAHU

 


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas