Dikur

Dëshmi të mizorive greke ndaj shqiptarëve në vitet 1923-1924






               Publikuar në : 09:30 - 03/07/19 |
Nga Veli Haklaj

Nga Veli Haklaj


VIJON NGA NUMRI I KALUAR



  1. Dëshmitë e Mit’hat Frashërit për mizoritë greke

Më 10 prill 1924, përfaqësuesi i Shqipërisë në Athinë, Mit’hat Frashëri, informon ministrin e Punëve të Jashtme, në Tiranë, se më 14 prill 1924 do të proklamohej në Epir, Maqedoni dhe Thesali shtetrrethimi me qëllim që të ndiqeshin hajdutët.

Sipas z. Frashëri, në Greqi i tërë vendi ishte infestuar(?) prej brigandësh dhe qetësia mungonte krejt; çdo ditë rripnin dhe vrisnin njerëz. Për të çrrënjosur brigandazhin ishte krijuar një Ministri e veçantë me emër Ministére de l’ordre public, në krye së cilës ishte emëruar Gjeneral Pangalos (shqiptar nga Mandra, afër Eleusis), ish–gjeneral lisim. Po pika e zezë e çështjes ishte se, për të ndjekur hajdutët, një tok hajdutë të vjetër ishin emëruar oficerë.

Mit’hat Frashëri do të përcillte për ministrin e Punëve të Jashtme edhe listën e këtyre oficerëve hajdutë, që kishin botuar gazetat greke, duke shënuar dhe krimet e kryera prej tyre kundra shqiptarëve.

Përfaqësuesi ynë në Athinë ishte skeptik për rezultatet përfundimtare që do të kishin këto masa për elementin shqiptar të Çamërisë.

 

III. Dëshmi të mizorive greke ndaj shqiptarëve në vitet 1923-1924

  1. Vuajtjet e shqiptarëve në Çamëri

Në një njoftim tjetër, ardhur nga Preveza, që është administruar në Ministrinë e Punëve të Jashtme në muajin janar 1924 shkruhet:

Tragjedia që po luhet këtu në Greqi, mjerisht me autorë autoritetet greke dhe elementin shqiptar dhe nën titullin “Ndjekja e çetave shqiptare!!”, “Këmbimi i popullatave”, nuk ka të mbaruar. Këtu mâ poshtë po ju përshkruaj përfundimin e njëres nga këta tragjedira, prologun e së cilës e përshkroi dy muaj më parë për gazetat shqipe bashkëpunëtori ynë “Ushtimi Durrësit” (shih “Drita”, 16 vjeshtë e III, dhe “Shqiptari i Amerikës” t’atij muaji).

Këto ditë u nisën për në Selanik 173 veta nga Karbunara (Ajdonat – Paramithi) burra, gra, djem (disa prej tyresh janë nënshtetas turq të mbetun nga koha e Luftës Ballkanike kur Greqia u jepte leje shqiptarëve të ruajnë nënshtetësinë turke). Karbunara ka vuajtur fort shumë që më 1913 dhe akoma më tepër më 1920, por këto vuajtje janë shtuar tepër nga tetë muaj e këndej.

Tani ka nji muaj që vuajtjet e tyre arritën në nji shkallë të padurueshme nga shkaku që xhandarët grekë venin dhe kërkonin një çetë hajdutësh me të cilën Karbunara nuk kishte asnjë marrëdhënie.

Me këtë rast, xhandarët grekë kishin rrahur një grup njerëzish, munduar të tjerë, violuar gra përpara burrave të tyre. Një burri i kishin bërë copë krahun me dhëmbë.

Jetesa e tyre ishte bërë problematike këtu në Greqi dhe ashtu u nisën pa u menduar se ku do venë, veç të shpëtojnë nga duart e grekërve. Për në Shqipëri autoritetet greke nuk u japin leje.

Nji komision nga Arpica (Margëllëç) vajti për në Athinë me gjetur një shërim të vuajtjeve të tyre nga ana e refugjatëve.

Në Arpicë kanë vënë mâ tepër se 100 familje refugjatë grekë të Azisë së Vogël. Shqiptarët janë mbledhur dy dhe tre familje në një shtëpi, kurse shumë muhaxhirë rrinë vetëm dy njerëz në një shtëpi.

Refugjatët po mbledhin për hesap të tyre vallanidhin, fiqtë, ullinjtë, zarzavatet, presin drurët dhe pemët, kështu që të zotët e shtëpive janë pa asnjë prodhim.

Pse disa Arpiciotë kanë dashur të ndalojnë grabitjen e refugjatëve, qeveria arrestoi pesë veta (Mamo Balo, Shuaib Malo, Mustafa Said, Adem Shuaib, Qerim Meleq) të cilët i çoi në Margëllëç, në Pargë dhe në Prevezë, nga burgu në burg, 15 ditë!!.

 

  1. Emigrantë çamë sistemohen në rrethin e Fierit

Për tragjedinë që po u ndodhte vëllezërve çamë në shtëpitë dhe tokat e tyre kishte një komunikim intensiv të strukturave të posaçme të shtetit shqiptar me përfaqësuesit e Shqipërisë në Greqi.

Letrës që titullari i Legatës Shqiptare në Athinë, Mit’hat Frashëri, i kishte dërguar më 24 mars 1924 Ministrisë së Punëve të Brendshme, në Tiranë, do t’i përgjigjej shefi i Seksioni II të MPB, Teki Selenica, më 29 prill 1924. Sipas kësaj përgjigjeje, që i referohej informacionit që kishte marrë Ministria e Punëve të Brendshme nga Prefektura e Gjirokastrës, situata paraqitej si më poshtë:

Një pjesë e emigrantëve çamë, që përbëheshin prej 9 familjesh e 35 frymë, kishin mundur të shesin pasurit e tyre të tundshme, si gjë të gjallë e tesha shtëpie, por me gjysmë vlefte, nga shkaku se qeveria greke i quante turq dhe kish shpallur rregjistrimin e pasunis së tyre për t’ua marrë gjysmat; kurse një pjesë tjetër, nga keqbërjet e komitave dhe të organeve të qeverisë, ishin shpërngulur prej banimit të tyre, duke mundur të marrin me vete vetëm ca, sa për nevojë. Këta çamë që lanë katundet e tyre nga shkaqet e sipërrrëfyera, pasi shkuan në Pargë e Margëllëç e qëndruan dy – tre muaj, sa shpenzuan të hollat e pasunive që shitën, duke i paguar një barke greke 950 Dhrahmi, ikën fshehurazi nga Parga e dolën në Vivar të Delvinës.

Emigrantët në fjalë edhe pasunit e patundshme të tyre që përbëheshin prej 10 shtëpi, 30 streme kopshte, 911 streme ara, 321 rrënja ullinj dhe 10 rrënja fiq, i kanë shitur.

Përveç këtyre, janë dhe shqiptarët e katundeve Karbunare, Kardhiq e Dhromi që përbëhen prej 300 familjesh me 1 500 frymë, që një e treta e të cilëve banojnë në katundet e tyre në mes të tmerrit të komitave dhe dy të tretat janë shpërngulur e banojnë në Margëllëç e Pargë në mes të mizerjes e të ligësive të ngjethshme. Që të gjithë këta dëshironin t’emigrohen në tokën shqiptare [në Shqipëri[.

Ndërkohë, qeveria shqiptare emigrantëve çamë që kishin shkuar në Shqipëri u caktoi tokë simbas ligjit nga 2 hektar e gjysmë në rrethin e Fierit dhe u dha nji kredi prej 10 000 Fr. ari për qe, farë, parmendë etj. dhe shpresohej që ata të fillonin nga puna.

 

  1. Bisedimet e Mit’hat Frashërit me kryeministrin grek Papanastasiu

Nisur nga zhvillimet në muajt e parë të vitit 1924, më 14 maj 1924, përfaqësuesi i Shqipërisë në Athinë, ishte pritur në takim nga kryeministri grek, zoti Papanastasiu. Kryeministri grek i kishte deklaruar përfaqësuesit tonë se politika e Republikës Greke është që të mos intervenonte në Shqipëri po të lërë Shqipërinë të forcohet dhe të marrë fuqi. Në deklaratat që kishte bërë në Selanik, Papanastasiu kishte theksuar se, në qoftë se intervenonte ndonjë fuqi e huaj në Shqipëri, atëherë edhe Greqia mund që të marrin pjesë për të ndihmuar Shqipërinë, sepse qeveria greke s’ka asnjë qëllim të rritet në dëm të nji shteti tjetër.

Kryeministri grek i deklaroi përfaqësuesit tonë se në Selanik kurrë në ndonjë këshillë ministror ose militar s’u bë fjalë për Shqipërinë dhe se transferimi i trupave të ushtrisë nga Negreponte dhe Moreja në Maqedoni s’kishte fare lidhje me Shqipërinë.

Zoti Papanastasiu, duke folur prej sentimentet e Greqisë për Shqipërinë, kishte thënë se ajo që dëshironte është të shohë se trajtohet mirë elementi grek i Shqipërisë duke pasur të drejtat për shkollë dhe kishë. Ai tha se në Selanik, vorioepirotëve qi e kishin vizituar (padyshim Josif Adhamidhi me shokë) u kishte këshilluar që të rrinë urtë se politikën e jashtme e bënte vetë qeveria dhe jo ata.

Kryeministri grek ishte çuditur kur kishte mësuar se në Epir vetëm 5% qenkan shqiptarë, kurse 95 % ishin deklaruar turq (siç trajtohet në këtë dosier, këto deklarime ishin bërë në kushtet e terrorit të qarqeve zyrtare dhe jozyrtare greke – V.H.).

Në përgjigjen e tij, përfaqësuesi i Shqipërisë në Athinë, Mit’hat Frashëri, i kishte thënë kryeministrit grek se, “siç kërkoni ju për elementin grekofon në Shqipëri, kërkojmë edhe ne trajtimin reciprok për shqiptarët që janë në Greqi”.

 

  1. Zbrazja e fshatrave shqiptare në Follorinë dhe Kostur

Në komunikimin e datës 29 maj 1924, përfaqësuesi i Shqipërisë në Athinë do t’i sugjeronte ministrit të Punëve të Jashtme, në Tiranë, se do të ishte mirë që të bëheshin hapa në S.D.N. që të kërkohej një studim i paanshëm dhe me bashkëpunimin e një interpreti shqiptar, nga ana e Komisionit Mikst për shkëmbimin e popullsive ndërmjet Greqisë dhe Turqisë. Një ditë më pas, më 30 maj, ai do t’i lutej ministrit të Jashtëm që të ndahen ato masa edhe për katundet e Kosturit.

Në vijim të këtij komunikimi, përfaqësuesi ynë në Athinë do ta vinte në dijeni ministrin e Jashtëm mbi evenimentet që kishin ndodhur, që nga shkresa e fundit që i kishte dërguar mbi situatën e çamëve.

Zoti Ekstrand ishte kthye nga udhëtimi në Maqedoni, po kishte vajtë vetëm në Selanik dhe në Soroviç. Shqiptarët e Selanikut, Karaforia, Vodanë, Elasona, Ratorina kishin përgatitur kataloge të plotë dhe i paraqitën me anë të zotit Qenan Pesserena. Çdo njëri kishte dhe dokumentat e duhura, me një mënyrë që defterët qenë fare në rregull. Këta shqiptarë ishin nga Shqipëria, me dokumente të rregullt. Për ndarjen e këtyre shqiptarëve definitivisht do të ngarkohej për dy javë një nënkomision në Selanik. Zoti Qenan ishte nisë prapë për në Selanik që të rregullonte çështjen e shqiptarëve atje.

Për sa u përket shqiptarëve autoktonë, 7 katunde në Follorinë dhe 24 katunde në Kostur, përfaqësuesi ynë do të raportonte se nga të 7 katundet e Follorinës pothuajse asnjë shqiptar s’ka mbetur, të gjithë kanë shkuar si turq dhe kjo ishte bërë me propagandën dhe përpjekjen e një të quajturi Haki, biri i Jusuf bej Qafëzezit, i vendosur në Follorinë. Hakiu vetë do të ikte si turk, kurse t’atin, Jusuf beun, kërkonte ta lente si shqiptar.

Nga 24 katundet e Kosturit, më 29 maj 1924, përfaqësuesit tonë në Athinë i kishte ardhë nji delegat nga Shenedielli, i cili e lajmëroi se 11 katunde po zbrazeshin fare dhe gjithë banorët kanë në mend të ikin, 7 katunde zbrazeshin për gjysmë dhe vetëm 6 katunde mbesnin krejt. Në këtë mënyrë 4 000 banorët e katundeve të Follorinës i humbisnim krejt dhe nga 13 000 shqiptarë të Kosturit mund që të mbetnin vetëm 5 000. Sikur të kishte vajtur zoti Ekstrand në katundet e Kosturit dhe t’i kishte vizituar, mbase asnjë shqiptar s’kishte për të lojtur nga vendi. Por mosvajtje e Ekstrandit në katundet, dhe ndejtja e tij në Soroviç, i demoralizoi shqiptarët, të cilët u influencuan prej autoriteteve të vendit dhe prej propagandës që bëri Hadi beu, delegati turk, i cili u thoshte se të gjithë myslimanët do të ikin.

Sa për natyrën e vuajtjeve që kalonin shqiptarët e të 94 katundeve, përfaqësuesi ynë në Athinë rrëfente këta dy shembuj:

1) Që kur ka dalë fjala e këmbimit të popullatave, nuk ka shkuar ditë që të mos venë xhandarë dhe ushtarë në katundet shqiptare dhe t’i ngarkojnë me një mijë farë angarije, duke i vënë të mbajnë në kurriz dru dhe ujë. Me këto keqbërje shquhej nënprefekti i Kosturit.

2) Hasan Zejnel Shenediellit, që ishte vetë i dhjeti në shtëpi, i kishin caktuar 33 refugjatë, kështu që u shtrëngua që të lërë shtëpinë dhe të rrijë me qira në Kostur.

Kushëriri i Hasanit, në Shenediell, Sajfedini, kishte 19 refugjatë, kurse Xhemal Jakubi 13, Salih Nuredin 23. Ndërkohë në të gjitha fshatrat e krishterë s’kishte asnjë refugjat.

Delegati që erdhi nga Kosturi ishte takuar më datë 30 maj 1924 me z. Ekstrand dhe ky i telegrafoi nënkomisionit që të merreshin masat dhe të mos përzënë njeri nga vendi, sa pa u marrë masa definitive.

Një urdhër identik ishte dhënë edhe në Katerinë, ku autoritetet greke donin të përzënë shqiptarët në masë. Nga Katerina i ishte hequr përfaqësuesit tonë në Athinë një telegrafë dhe ai kishte bërë demarshet e duhura pranë Komisionit Miks.

Sipas përfaqësuesit tonë në Athinë, mospasja e një konsulli shqiptar në Selanik po shkaktonte katastrofën e 15 000 (pesëmbëdhjetë mijë) shqiptarëve, megjithëkëtë, edhe në ato momente sikur të shkonte konsulli, prapë mund të ndalonte një katastrofë definitive edhe kjo nga shkaku se atyre viseve nuk u bie udha në Athinë, por në Selanik shkonin shpesh.

Për në Çamëri dhe Janinë z. Ekstrand i kishte dhënë fjalën përfaqësuesit tonë se do të merrte një interpret. Përfaqësuesi ynë mendonte për Qenan Pesserena, për të cilin kishte simpati dhe Ekstrandi vetë, por nuk dihej a do ta merrte, dhe a do të ishte mbaruar puna e Maqedonisë deri sa të nisej nënkomisioni për në Epir (mesi i qershorit 1924), sepse pritej që të kthehej  kryedelegati turk, Tefik Ruzhdi, që ishte në Angora.

Në një letër që kishte marrë nga Çamëria, me datë 22 maj 1924, përfaqësuesit shqiptar në Athinë i thuhej se familja e Qazim Mahmudit, nga Filati, pasi u hap fjala në Çamëri se të gjithë shqiptarët do të dëbohen, u ngrit që të ikte në Shqipëri, duke lânë gjithë pasurinë e tundshme dhe të patundshme në Greqi. Xhandarmëria greke e zuri Qazim Mahmudin, e ndaloi dhe e vuri tri ditë në burg, duke i thënë “Do të ikësh nga Çamëria, po vetëm në Turqi do të vesh”.

Kopje e kësaj letre iu dërgue edhe përfaqësuesit të Shqipërisë në sesionin e radhës të Këshillit të Lidhjes së Kombeve, Z. Blinishi, që të gjindej në korent të këtyre zhvillimeve.

 

  1. Gjashtëqind ushtarë grekë me topa dhe mitraloza derdhen në fshatrat e Çamërisë

Sipas njoftimeve që përcillte përfaqësuesi shqiptar në Athinë, më 4 shtator 1924 kishte arritur Komisioni Mikst në Margëllëç. Myftiu i Margëllëçit, Adem Haxhi Abaj, dhe ai i Paramithisë vajtën dhe u thanë Komisionit se “të gjithë jemi turq dhe duam të ikim”.

Kurse Haxhi Brado, Abdi Roida, Mehmet Buza, Xhavid Huso, Musa Kasimi, Kasim Jatro vajtën dhe u thanë se janë shqiptarë dhe flasin në emër të Margëllëçit, Luarat, Mazarek, Smukovinë. Delegati Bratlij u tha sillmani me të shkrojtur. Të nesërmen ata bënë një anaforë turqisht, me 80 nënshkrime, e dërguan në Komisionin Mikst, por Bratlij kishte ikur për në Korfuz. Ata kuvenduan me delegatin e Greqisë dhe të Turqisë, të cilët i pyetën shqiptarët se me çfarë e provojnë origjinën e tyre shqiptare. Fshatarët ishin përgjigjur mirë.

Si dolën nga Komisioni, një refugjat i thirri që të gjashtë shqiptarët që kishin kuvenduar me Komisionin dhe u foli për anaforan (arzuallën) që dhanë, duke u thënë se ajo nuk mjafton, po duhet që çdo njeri të japë kërkesë veç e veç dhe me katër ditë e sipër. Nga ana tjetër, autoritetet greke thirrën Kasim Jatron dhe e porositën që të rrijë mirë dhe të mos bëjë propagandë, duke iu kanosur kështu dhe Xhavid Husos.

Ndërkohë që Komisioni Mikst akoma s’kishte dalë në asnjë katund, qarqet zyrtare greke kishin çuar gjashtëqind ushtarë, me topa dhe mitraloza, dhe i kishin derdhur në katundet shqiptare të Çamërisë duke ngrënë dhe ushqyer në shtëpitë e myslimanëve. Në Margëllëç nuk lenin më tepër se dy shqiptarë bashkë, po qenë tre dhe katër, i ndalonin policia, kurse ata që e quanin veten e tyre turq, ishin fare të lirë.

 

  1. Reagime të brendshme

Për situatën që po kalonin vëllezërit tanë në trevat shqiptare jashtë kufijve të 1913 – ës, kishte patur reagime të forta edhe nga faktori i brendshëm në Shqipëri. Ishin organizuar mitingje proteste thuajse më të gjitha prefekturat dhe nënprefekturat e vendit. Në përfundim të mitingjeve, hartoheshin edhe telegrame me kërkesa specifike, një pjesë e të cilëve u drejtoheshin autoriteteve të Lidhjes së Kombeve.

Pas organizimit të njërit nga këto mitingje, më 31 gusht 1924, përfaqësuesit e popullit të Elbasanit i drejtuan këtë telegram Lidhjes së Kombeve, në Gjenevë:

Populli i Elbasanit, tue pamun se shtetet fqinjë në mënyrë të padurueshme shkelin të drejtat e popullsive shqiptare të ndodhuna nën sundimin e tyne, u mblodhën sot në një miting të madh edhe proteston me energji kundër sjelljes së padrejtë të qeverisë greke që shtrëngon shqiptarët e Çamërisë me u shkëmbye me grekët e Azisë së Vogël pa dashjen e tyre; si dhe kundër mizorive serbe që bâhen në Kosovë me qëllim që të shuajnë e të zhdukin popullsinë shqiptare t’asaj krahine. Populli i këtij qyteti, tue u mbështetun në ndjenjat njerëzore të përfaqësuesve të popujve të bashkuar në Lidhjen e Kombeve kërkon mbrojtjen e jetës dhe të të drejtave të vllaznëve të vet.

Në emen të popullsisë të Prefekturës së Elbasanit: Kryetari i Bashkisë Ahmet Dakli d.v., Lef Nosi d.v., Emin Haxhiademi d.v., Rrapush Demeti d.v., Q. Xhuvani d.v., Dhimitër Papojani d.v., Anmet Burburija d.v., Mustafa Shasha d.v., Nazim Tela d.v.

Telegrami i popullit të Elbasanit drejtuar Lidhjes së Kombeve mbi mizoritë serbe dhe greke nga Ministria e Punëve të Brendshme iu përcoll Ministrisë së Punëve të Jashtme, më 5 shtator 1924, për dijeni dhe me lutjen që të bëheshin demarshet e duhura.

VIJON NUMRIN E ARDHSHËM

LEXO EDHE:

Dëshmi të mizorive greke ndaj shqiptarëve

Aspekte nga mizoritë greke ndaj shqiptarëve, 1912-1926

 

 


Etiketa: , , ,

Pas